P. Brian: Shugurimi i Katedrales, një ngjarje tejet e rëndësishme për popullin e Kosovës!

Sep 14 • Editorial, Opinion

Nga Atë  Brian Kolodiajchuk*

 

Para disa ditësh, pata nderin dhe gëzimin të marr pjesë në shugurimin e Katedrales së re të kushtuar Shën Terezës së Kalkutës në Prishtinë, Kosovë, që u kremtuar në ditën e festës së Nënë Terezës, më 5 shtator. Isha dëshmitar i drejtpërdrejtë për këtë ngjarje tejet të rëndësishme kombëtare për popullin e Kosovës dhe, në të vërtetë, për gjithë njerëzit me origjinë shqiptare.

Në këtë ditë historike kishte disa aspekte apo çaste shumë të rëndësishme. Isha shumë i emocionuar nga prania e të dërguarit të posaçëm të Papës, Kardinalit Shqiptar Ernest Simoni (i cili i mbush 89 vjet muajin e ardhshëm), që vitin e kaluar Papa Françesku e kishte nderuar duke e krijuar kardinal, si mirënjohje për 28 vjetet që i ka bërë punë të detyruar gjatë sistemit komunist në Shqipëri, së pari në një minierë e pastaj në kanalet e ujërave të zeza. Çfarë dëshmie frymëzuese!

Për të treguar peshën e madhe të kësaj ngjarje për Kishën dhe Vendin, ishte i pranishëm Delegati Apostolik për Kosovë, argjipeshkvi polak Juliusz Janusz, shumica e ipeshkvijve nga Shqipëria dhe vendet përreth (p.sh. Italia, Rumania, Mali i Zi, Kroacia, Serbia, Maqedonia). Duke marrë parasysh historinë e Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë, ishte prekëse të shikosh shenjat e paqes mes ipeshkvijve nga Serbia e atyre nga Kosova e Shqipëria.

Jam shumë i sigurt se Shën Nënë Tereza ka qenë e kënaqur me të gjithë atë popull që ishte i pranishëm brenda dhe jashtë katedrales; me praninë e liderëve të Vendit (posaçërisht të presidentit) dhe të Qytetit, me përfaqësuesit e myslimanëve dhe të ortodoksëve. Nënë Tereza ka pasur aftësinë unike për të bashkuar njerëzit me bindje dhe fe të ndryshme. “Le ta duam njëri-tjetrin si bijë të Zotit”, do të thoshte ajo.

Isha i nderuar të lexoj ungjillin në gjuhën angleze dhe të marrë pjesë në procesion kur Kardinali e vendosi reliktin e gjakut në relikuiarin e madh të Shën Nënë Terezës. Më ka bërë shumë përshtypje se sa e rëndësishme është për ipeshkvijtë, meshtarët dhe laikët të kenë reliktin e gjakut. Natyrisht, Zyra Postullatore për Çështjen e Kanonizimit iu ka dhënë famullive nga relikte prej qime floku (për shkak se kemi relativisht pak gjak), por unë kam sjell me vete reliktin e gjakut. Ashtu si tha ipeshkvi i vendit në mesazhin e tij në fund të Meshës, trupi i Nënë Terezës është në Kalkutë, por është shumë kuptimplote të kemi në këtë Katedrale gjakun e një shenjtëreshe me gjak shqiptare!

Isha i emocionuar nga famullitari i katedrales dhe meshtarët e tjerë që punojnë bashkë me të, për dëshirën që kishin për të shpallur personin dhe shpirtin autentik të Shën Nënë Terezës, në mënyrë që kjo Katedrale të jetë për shumë njerëz një vend ku mund ta njohin, ta nderojnë dhe të frymëzohen prej Shën Nënë Terezës. Ajo do t’iu kërkonte të gjithë shtegtarëve, përveç tjerash, “të bëjnë gjëra të vogla me dashuri të madhe” ose “gjëra të zakonshme me dashuri të jashtëzakonshme”, duke filluar me ata që i kanë në familje dhe në bashkësi.

Kisha si ndërtesë është shumë e madhe e me lartësinë e saj dominon qendrën e qytetit. Katedralja është e projektuar dhe e punuar me shije. Më pëlqeu jashtëzakonisht shumë vendndodhja e statujës së Nënë Terezës në njërën anësore të Kishës me reliktin e saj të gjakut nën këmbët e saja, prej nga Nëna mund “të sheh” Jezusin në Tabernakull (Shenjtërueshmin Sakrament) dhe Nënën e Tij në anësoren tjetër të Kishës. Kjo ishte shumë frymëzuese për mua.

E gjithë kjo është një shembull i mrekullueshëm se sa e rëndësishme është Nënë Tereza për shumë njerëz. Ndoshta, që nga Shën Françesku i Asizit e këndej, nuk ka pasur shenjtë më të njohur e më të dashur, jo vetëm në Kishë, por edhe jashtë saj, nga ata me fe të ndryshme apo nga ata të pa fe. Unë jam i sigurt se Katedralja e Shën Nënë Terezës në Prishtinë do të ketë një rol të rëndësishëm për ta bërë Shën Nënë Terezën më të kuptueshme dhe më të respektueshme në Kishë dhe në Botë.

 

*Autori është vëlla misionar i dashurisë, degë e meshtarëve soditës që e ka themeluar Nënë Tereza. P. Brian ka qenë postulator i kanunizimit të Nënë Terezës. Ka sjell reliktin e gjakut, e cila në ditën e shugurimit është vendosë në relikuiarin e madhe te altari i Nënë Terezës në Katedrale. E falënderojmë përzemërsisht p. Brian për këtë shkrim mbi mbresat e tija në mesin tonë, që e ka shkruar ekskluzivisht për Revistën “Drita”.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »