Jeta ime si një pemë

Sep 16 • Meditimi i ditës

16 shtator 2017 – E shtune, Shën Korneli e Cipriani, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Tim 1,15-17; Ps 113,1-5a.6-7; Lk 6,43-49)

 

Prania e Hyjit

Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem ashtu siç jam.

Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.

Hyji gjithmonë më afrohet i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i mirë.

Do të ndalem një moment dhe do ta përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria

Lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga të gjitha ankthet dhe brengosjet,

që t`i hapem gjatë kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua edhe më shumë dhe t`i shërbej.

 

Ndërgjegjësimi

Vetëdijesohem se jam në praninë e Hyjit.

Do të kërkoj strehim në zemrën e tij që më do.

Ai është fuqia ime në momentet e dobësisë,

ngushëllues në momentet e hidhërimit.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Lk 6, 43-49

 

43 Nuk ka pemë të mirë që jep fryt të keq, as pemë të keqe që jep fryt të mirë. 44 Çdo pemë njihet prej frytit të saj. Nuk mblidhen fiq nga murrizi as nuk vilet rrush nga ferra.

45 Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga visari i mirë i zemrës së vet, njeriu i keq nxjerr të keqen nga visari i keq: sepse goja i qet çka i ka zemra.”

46 “Pse më thirrni: ‘Zotëri, Zotëri!’, e nuk bëni si ju urdhëroj?

47 Do t’ju tregoj se kujt i përngjan çdonjëri që vjen tek unë, që e dëgjon fjalën time e që e vë në veprim: 48 ai i përngjan njeriut, i cili, kur ndërtoi shtëpinë e vet, mihu dheun thellë dhe themelin e vuri mbi shkëmb. Ra vërshimi, lumi u vërsul mbi atë shtëpi, por nuk mundi ta tundë, sepse ishte e ndërtuar mirë. 49 Kurse ai që e dëgjon, por nuk e vë në veprim fjalën time, i përngjan njeriut, që e ndërtoi shtëpinë përmbi dhe ‑ pa themel: u vërsul lumi e menjëherë e rrëzoi: ajo shtëpi u bë gërmadhë e madhe.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nëse e imagjinoj jetën time si një pemë mund ta pyes veten se si kujdesem për të dhe të mendoj për cilësitë e saja jetësore. Si ndikon ‘uji’ që e nxjerr nga toka, në çfarë `drite` kënaqem, çfarë `hije` ose ‘fryti’ jap për të mirën e të tjerëve?
  • Do ta shikoj çdo përfundim negativ duke mos harruar se gjykimi i takon vetëm Zotit. Do të lus vetëm që fjalët e Jezusit të më hapin ndaj urtisë dhe të vërtetës së Hyjit.

  

Bashkëbisedimi

Nuk po më vijnë lehtë fjalët, o Zot.

Këqyr në zemrën time dhe shih se shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di se gjithmonë je afër meje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »