Efektet e faljes dhe mirësisë

Sep 17 • Meditimi i ditës

17 shtator 2017 – E diela 24-të gjatë vitit (A), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Sir 27,30 – 28,7; Ps 103,1-4.8.10-12; Rom 14,7-9; Mt 18,21-35)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Me afsh e dëshiroj fuqinë tënde që shëron.

 

Liria

Po të donte Hyji të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoja?
Po të dëshironte të më jepte zemër dhe të më sfidonte, a do të mund këtë ta vëreja?
Lus për hirin e çlirimit nga brengosjet personale
dhe çiltërinë ndaj asaj çfarë Hyji dëshiron të më komunikojë.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mt 18, 21-35

 

21 Atëherë Pjetri iu afrua dhe e pyeti:

“Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?”

22 Jezusi iu përgjigj:

“Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!

23 Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. 24 Kur filloi të bëjë llogari, i sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. 25 E, pasi nuk kishte t’ia kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. 26 Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbe dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ 27 Zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.

28 Porse, pikërisht ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të tij, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti në fyt duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ 29 Atëherë shoku i tij i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ 30 Por ai nuk deshi dhe shkoi dhe e futi në burg derisa të kthente detyrimin.

31 Kur shërbëtorët e tjerë ‑ shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ndodhi. 32 Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. 33 A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ 34 Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthente tërë detyrimin.

35 Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Falja që na është dhënë është për ne, mirëpo kur është Hyji në veprim nuk ekziston vetëm dobia private sepse efektet e faljes dhe mirësisë zgjerohen dhe mbërrijnë larg.
  • Atë çka marrim prej Zotit marrim falas. Ndërsa e pranoj që e mira në jetën time vjen prej Zotit, lus për zemërgjerësi që kam nevojë që të jem bekim për të tjerët.

 

Bashkëbisedimi

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,

me mirëbesim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »