Papa Françesku: Duhet të lutemi për qeveritarët!

Sep 19 • Kisha në botë

“Mëkati që duhet ta sjellim në rrëfim është ai i mos lutjes për qeveritarët.” Kjo lutje duhet të bëhet mbi të gjitha “që mos t’i lëmë vetëm” ata që janë pak “të vetëdijshëm” që pushteti i tyre nuk është absolut, por vjen prej popullit dhe prej Hyjit. Porse edhe “qeveritarët duhet të luten për të kërkuar hirin” që ta shërbejnë sa më mirë popullin që iu është besuar. E nëse nuk janë besimtarë, së paku të kërkojnë këshillë për të mos e humbur vetëdijen për të mirën e përbashkët e për të dal nga konteksti i vogël autoreferencial i partisë së vet.

Është një “doracak për politikanin e mirë” ky që Papa Françesku ka sugjeruar në mëngjesin e të hënës, 18 shtator, gjatë kremtimit të meshën në Shën Martë. Në komentin e leximeve liturgjike, Papa menjëherë ka vërejtur se “në qendër të homelisë janë qeveritarët” . Në leximin e parë, nga letra e parë dërguar Timoteut (2, 1-8), Shën Pali këshillonte “të bëhen lutje për qeveritarët: për të gjithë, edhe për ata që qeverisin.” Pastaj në Ungjillin e Lukës (7, 1-10) “shohim një qeveritar që lutet: ky centurion është një qeveritar, i cili kishte një problem me shërbëtorin e vet të sëmurë.” Por aty e kemi një frazë që na lë përshtypje e tërheq vëmendjen: “ E donte popullin tonë”. Papa Françesku pohoi: “ky qeveritar e donte popullin” edhe pse “ishte i huaj”. Ai “e donte shërbëtorin e vet. E donte prandaj edhe kujdesej dhe pse kujdesej shkoi për të kërkuar një zgjidhje për sëmundjen e tij. Dhe shkoi te Jezus, për ta lutur.”

“Ky njeri – vëren Papa – ndjeu  nevojën e lutjes”.  Po, pse? Sepse e donte, kjo është e qartë. Por, jo vetëm sepse “e donte” shërbëtorin, por edhe sepse ishte i vetëdijshëm se nuk është zoti i gjithçkaje, nuk ishte instanca e fundit”.  Luka na sjell fjalët e centurionit romak: “Sepse edhe unë, ndonëse jam vetëm njeri që varem prej tjetërkujt, prapë kam nën urdhër ushtarë”. Janë fjalë – shpjegon Papa – të cilat tregojnë “vetëdijen e qeveritarit se mbi të është një tjetër që e komandon. E kjo e nxiti qeveritarin të lutet.”

“Një qeveritarë që ka këtë vetëdije, ai lutet” ka ripohuar Papa. Përveç kësaj, “Nëse nuk lutet, mbyllet në vetvete, ose në partinë e vet, në atë rreth nga i cili nuk mund të dalë; është njeri i mbyllur në vetvete.” Por “kur shikon problemet reale, e ka vetëdijen e vartësisë, ai lutet” ka shpjeguar Papa. Sepse ky njeri ka vetëdijen e se ekziston dikush, që ka më tepër pushtet se ai.

Do të shtrohej pyetja natyrshëm, “e kush ka më tepër pushtet se qeveritari? Përgjigja që e jep Papa është “Populli, që ia ka dhënë pushtetin dhe, Zoti, nga i cili i vjen pushteti përmes popullit.”
“Është tejet e rëndësishme – ka ngulmuar Papa – lutja e qeveritarit, sepse është lutja për të mirën e përbashkët të popullit që i është besuar.”  Në lidhje me këtë Papa tregon: “Më kujtohet, se si një qeveritar më pati thënë këtë: unë qëndroj në meditim për dy orë për çdo ditë para Zotit.” Unë mendoja, si është e mundur që ky ka aq shumë punë për të bërë…” Porse, vërtetë është e rëndësishme – ka vazhduar Papa – “të kërkohet hiri për të qeverisur mirë.” E ashtu “siç pati bërë Salomoni: “Kur Hyji i kërkoj Salamonit: ‘çfarë do, ar, argjend, pasuri, pushtet?’ Çfarë ishte përgjigja e Salamonit? “Më jep urtinë për të qeverisur mirë”.

Pikërisht për këtë – theksoi Papa – qeveritarët duhet të kërkojnë këtë urti: “O Zot, më jep urtinë; O Zot mos e largo nga unë vetëdijen e varësisë nga ti dhe nga populli, që forcën ta gjejë aty e jo tek grupi i vogël apo te vetvetja.”

Pra, ka përsëritur Papa “është e rëndësishme që qeveritarët të luten”. Porse, Papa vazhdoi duke thënë se dikush mund thotë: “Atë, është e vërtetë ajo që ju e thoni, por unë nuk janë besimtarë, jam gnostikë, ateist.” Përgjigja e Papës ishte: “Dakord, por ballafaqohu: nëse nuk mund të lutesh, atëherë ballafaqohu me ndërgjegjen tënde, me të urtët, kërko nga të urtët e popullit tënd e këshillohu me ta.” Pra, nëse nuk mund të lutesh, së paku bëje këtë ballafaqim, por mos rri i mbyllur dhe vetëm në grupin e ngushtë të partisë tënde. Kjo do të ishte një marrje me vetveten: dil, kërko këshillë jashtë, ose në lutje, ose në ballafaqim me ata që do të mund të të këshillojnë. E kjo është lutja e qeveritarit.

Në Leximin – ka kujtuar Papa Françesku – Shën Pali na fton dhe na këshillon të luten për qeveritarët: “Të bëhen kërkesa, lutje, përgjërime e falënderime për të gjithë njerëzit, për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet, për qeveritarët, që ata të kenë një jetë të qetë e dinjitoze, një jetë me Zotin. Pra, Shën Pali na porosit “populli duhet të lutet për qeveritarët, e ne nganjëherë nuk e kemi vetëdijen e fortë për këtë: kur një pushtetar apo qeveritar bënë ndonjë gjë që nuk na pëlqen, flasim gjëra të këqija për të, por nëse bënë ndonjë gjë që na pëlqen, atëherë themi, bravo.” Por, ne e lëmë vetë, me partinë e vet, e lëmë që të gjendet vetëm në parlament, i vetmuar.

Ka të atillë që thonë: “Unë e kam votuar” apo “Jo, unë nuk e kam votuar, le të bëjë si të dojë’. “Jo – ka insistuar Françesku – ne nuk mund t’i lëmë vetëm qeveritarët: duhet t’i shoqërojmë me lutje.” Të krishterët “duhet të luten për qeveritarët” Ka edhe të atillë që do të thonin: “O Atë, po si të lutem për këtë, që bën kaq të këqija?’  Pikërisht për këtë “Ai ka më tepër nevojë. Lutu, bëj pendesë për qeveritarin!”. 

Lutja e ndërmjetësimit – e thotë bukur Shën Pali – është për të gjithë mbretërit, për të gjithë ata, që kanë pushtet. Pse? Sepse “që të mund të kemi një jetë të qetë e të denjë’. Në fakt, kur qeveritari është i lirë e mund të qeverisë në paqe, i gjithë populli përfiton nga kjo”.

“Ne duhet të kërkojmë këtë vetëdije për të lutur për ata që qeverisin” – ka ripërsëritur Papa dhe ka shtuar: “Ju kërkoj një favor: secili prej jush le të ndalet pesë minuta sot, jo më shumë. Nëse është qeveritar, ta pyesë veten: ‘A i lutem unë Atij, që më ka dhënë pushtetin përmes popullit?’ Nëse nuk është qeveritar, ‘a lutem unë për qeveritarët? Po, për këtë dhe atë po, sepse më pëlqejnë; për ata të tjerët, jo’. Por kanë nevojë ata, më tepër se këta! Është e nevojshme ta pyesim vetveten: ‘A lutem për të gjithë qeveritarët?’ E nëse kur shqyrtoni ndërgjegjen para rrëfimit, kujtoheni se nuk jeni lutur për qeveritarët, rrëfejani këtë meshtarit. Sepse të mos lutesh për qeveritarët është mëkat”.

(Teskti i plotë i homelisë së Papa Françeskut gjatë meshës së mëngjesit, e hënë 18 shtator 2016, në Shën Marta. Teksti është marrë nga: www.osservatoreromano.va. Përkthimi: Rev. “DRITA”)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »