Bashkësia Katolike Shqiptare në Belgjikë inauguron Kapelën kushtuar Shën Nënë Terezës

Sep 20 • Kisha ndër Shqiptarë

Gjithçka për Jezusin, nëpërmjet Marisë. Jeni të shenjtë!

Me 3 shtator 2017, në Shenjtëroren e Zojës së të Varfërve, në Banneux (Belgjikë) plot falënderim ndaj Hyjit dhe Shën Nënë Terezës dhe me gëzim të dëlirë dhe të papërmbajtshëm, Bashkësia Katolike Shqiptare e Belgjikës inauguroj Kapelën kushtuar Shën Nënë Terezës.

Gëzimit tonë iu bashkëngjitën edhe anëtar nga Bashkësia Katolike Shqiptare e Londrës si dhe nga Bashkësia Katolike Shqiptare e Luksemburgut, e cila me ndihmën e Don Frrok Zefit është në formim e sipër. Diku afër 500 shtegtarë shqiptarë të shoqëruar nga shumë tjerë jo shqiptarë, që kishin ardhur enkas për këtë ngjarje, iu bashkëngjitën turmës që së bashku me truporen e Shën Nënë Terezës po fillonte procesionin duke iu drejtuar Kapelës. Procesioni udhëhiqej nga 2 flamujt (banierat të Bashkësisë Katolike Shqiptare të Belgjikës dhe asaj të Londrës), trupores së bartur nga 4 djelmosha, Atë Gary Walsh dhe Don Frrok Zefi, ministrantat, motrat dhe laikët Misionarë të Bamirësisë, kori dhe turma e besimtarëve. Heshtja dhe lutja mbretëronin megjithëse pjesëtarët ishin të shumët, në mesin e të cilëve edhe mjaft fëmijë.

Në vitin 1933, Zoja i është paraqitur 8 herë një vajze 12 vjeçare, që quhej Marieta. Dhe sa herë që ajo i është paraqitur, nga oborri i shtëpisë së saj në Banneux, e kishte udhëhequr deri tek një burim i afërt i ujit. Deri tek burimi, Zoja kishte bërë gati çdo herë 3 ndalesa. Sa herë që Zoja ndalonte, Marieta ulej në gjunjë. Zoja e kishte porositur Marietën të lutej shumë, ishte shprehur se dëshironte një kapelë, ishte prezantuar si Nëna e Shëlbuesit dhe Virgjëra e të Varfërve, dhe i kishte treguar se në këtë burim uji (që simbolizon Ujin e jetës, Ujin e gjallë që shlyen mëkatet e botës, Birin e saj), kombet do të vinin të shërohen nga sëmundjet trupore dhe shpirtërore.

Procesioni, së bashku me truporen e Shën Nënë Terezës, ripërtëriti këtë shtegtim të Marietës me Zojën duke u ndalur në tre ndalesat ku Zoja ishte ndalur. Ky procesion u shoqërua me lutje, meditime dhe duke kënduar psalme. Më pas duke kënduar Magnificat, vazhduam deri te Kapela që do t’i kushtohej Shën Nënë Terezës.

Në fakt, në Shenjtëroren në Banneux, disa bashkësi etnike kanë ndërtuar kapelëza të vogla kushtuar qoftë ndonjë shenjti (Italianët kanë ndërtuar një trupore të Padre Pios), qoftë Zojës Pajtores së vendit të tyre (për shtetet mariane: p.sh. Anglezët kanë sjell një trupore të “Our Lady of Walsingham”, apo filipinezët të Zojës) ose ndonjë kapelëz me simbole qoftë martirizimi ose tjera fetare.

Truporja dhe turma po i afroheshin kapelës përderisa dëgjohej poezia “Lamtumirë” të cilën Gonxhe Bojaxhiu e kishte shkruar kur ajo për herë të parë po lundronte drejt Indisë.

Rektori i Shenjtërores, Atë Leo Palm, e mbajti fjalën e mirëseardhjes duke cekur rëndësinë e jetës dhe veprës së Shën Nënë Terezës dhe duke falënderuar Bashkësinë shqiptare për këtë kapelë të bukur.

Pas tij, z. Ndue Kukaj, kryetar i Këshillit baritor të Bashkësisë Katolike Shqiptare falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe ata që ndihmuan në realizimin e Kapelës. Ai gjithashtu kumtoi një datë: Tash e tutje ftoi ai le të jenë kjo kapelë dhe kjo Shenjtërore pikë shtegtimi ku shqiptarët nga Beneluksi apo gjetiu do të mblidheshin çdo të shtunë të parë të muajit shtator, për ta Falënderuar Hyjin, Zojën dhe Shën Nënë Terezën, si dhe për të kërkuar Hire për vitin e ri shkollor. Kjo e shtunë e parë e muajit mund të lidhet përveç me fillimin e vitit të ri shkollor edhe me datëlindjen e Zojës ose festën e Shën Nënë Terezës.

Ai ftoi Misionaret e Bamirësisë të presin shiritin për të inauguruar Kapelën. Pastaj me ndihmën e djelmoshave, z. Kukaj dhe Misionaret e Bamirësisë vendosën truporen në vendin e paraparë, ndërkohë që dëgjohej në altoparlantë një incizim i zërit të Shën Nënë Terezës ku ajo fliste për Shenjtin Sakrament.

Motër Monia MC, iu afrua mikrofonit për të lexuar mesazhin që Eprorja e përgjithshme e Misionareve të Bëmirësisë, pasardhësja e dytë e Shën Nënë Terezës, Motër Mary-Prema, nga India na kishte drejtuar për inaugurimin e kapelës. Pas fjalëve të bukura të motrës që mund t’i lexoni në vijim, Atë Gary Walsh, filloi Ritin e Bekimit të Kapelës. Përgjatë kemimit u kënduan Litanitë e Shën Nënë Terezës.

Edhe pse procesioni, inaugurimi dhe Bekimi i Kapelës kishin zgjatur së bashku 1 orë e gjysmë, secili shprehte dëshirën të zgjaste akoma. Mesha Shenjte kulmoi këtë kremtim, gëzim dhe krenari të madhe që na dhuroi Hyji. Pas Meshës ata që dëshiruan patën mundësinë të venerojnë reliket e Shën Nënë Terezës. Bashkësia Katolike Shqiptare kishte përgatitur edhe një koktel për shtegtarët.

“Zoja ishte teli më i mirë.” – thot Nënë Tereza. “Ajo sapo e pranoi Jezusin nga Shpirti i Shenjt, menjëherë shkoi për t’ia dhuruar kushërirës së saj Shenjtës Elizabetë dhe familjes së saj”.

Edhe ne, këtë gëzim i cili nuk duam të na ik, akoma jemi duke e shpërndarë tek njerëzit që po takojmë; pastaj me praninë tonë në kremtimin e Meshës përkujtimore për 1 vjetorin e shenjtërimit dhe 20 vjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës në Londër, me 10 shtator 2017; pastaj me 1 tetor me gëzim presim kremtimin e Meshës së parë në gjuhën shqipe në Luksemburg; por këtë gëzim po ju përcjellim me këtë artikull të gjatë (por që neve na duket i shkurtër) edhe juve lexues të dashur të Dritës.

Lavdi Hyjit. Në Hyjin është nderi dhe shëlbimi ynë.

 

SI ERDHËM DERI TE KAPELA?

“Çka unë mund të bëj, ti nuk mundesh. Çka ti mund të bësh, unë nuk mundem. Por së bashku mund të bëjmë diçka të bukur për Hyjin” – Shën Nënë Tereza.

Shenjtërorja e Zojës së të Varfërve në Banneux është një vend shtegtimi shumë i rëndësishëm për botën katolike. Shqiptarët sikur shumë popuj tjerë, të organizuar në grupe apo familjarisht vijnë rregullisht në këtë Shenjtërore. Pasi disa komunitete etnike kanë ndërtuar kapelëza të ndryshme në një pjesë të kompleksit të Shenjtërores, edhe një grup besimtarësh shqiptarë tash sa vite kishin pasur dëshirë të ndërtojnë një kapelë. Kjo ide, u rishfaq sivjet përderisa ishim akoma në ndjenjat e bukura të Kërshëndellave që kishim përjetuar si bashkësi dhe duke e falënderuar Hyjin.

Me 19 mars 2017, ditën e Sh’Jozefit, 8 vetë nga Bashkësia jonë takuam rektorin Leo Palm dhe i shprehëm dëshirën për të realizuar një kapelë kushtuar Shën Nënë Terezës, me rastin e 1 vjetorit të Shenjtërimit të saj dhe në 20 vjetorin e vdekjes së saj.

Përgjigja e rektorit ishte shumë pozitive. Duke vizituar kapelat që kishin ndërtuar bashkësitë tjera etnike, rektori na tregoi vendin ku mund të realizohet kapela e Shën Nënë Terezës. Ky vend ishte në fakt, vendi të cilin ne shpresonim se do të na propozonte.

Plot vullnet dhe të kapluar nga një frymë e dëlirë, plot entuziazëm u kthyem në Bruksel, për të filluar përgatitjet, idetë, vizatimet, njoftimet,… Mbledhjet e shumta (javore) që i patëm, me ndërmjetësimin e Zojës së Këshillit të Mirë, Shën Nënë Terezës dhe të Lumëve Martirë Shqiptarë sollën plot frute në Bashkësi, deri edhe krijimin e Këshillit pastoral.

Aktivitete të ndryshme u realizuan me qëllim të njoftimit të publikut dhe grumbullimit të fondeve. Mbështetja e secilit që takuam ishte e mrekullueshme. Edhe pse koha ishte shumë e shkurtër, është e pashqyrtueshme se si punët u realizuan, dhe shkuan në vend, dhe me kohë, si një puzzle me Dorë të Zotit, jashtë aftësive tona, por njëkohësisht duke i shfrytëzuar talentet tona – Mrekulli për sytë tanë.

Gjithçka kishte filluar, atëherë kur akoma nuk kishim projekt të vizatuar. Edhe rinia u mobilizua. Gjeti një restaurant shqiptar i cili ofroi gjithçka falas në mënyrë që të mund të grumbullonim sa më shumë fonde. Gjithçka funksiononte goja gojas. Mbrëmja familjare e organizuar nga rinia pati sukses shumë të madh. Kapela shpirtërore veçse ishte formuar. Gjërat mirrnin formë ndërsa ne (të gjithë) ndiheshim të shtyer të vazhdonim më tutje.

“Lypni e do të gjeni, kërkoni e do t’ju jepet, trokitni dhe t’ju qelet”

Projekti i parë që prezantuam publikisht ndërroi krejtësisht, sepse truporja e bukur që na ishte premtuar nuk mund të realizohej.

Ajo trupore kishte një çmim mjaft të lartë, ne nuk realizonim se ku jemi nisë, por shën Nënë Tereza kishte plane tjera. Pas kërkimeve të shumta në Shqipëri, Kosovë, Itali, Spanjë, SHBA,… votuam truporen e cila na u propozua për një çmim të cilit i mungonte një “0” nga çmimi i trupores së parë. U gëzuam shumë, filluam vizatimet e projektit të ri i cili duhej përshtatur të parit. Kontaktuam skulptoren madrilene dhe i thamë se neve kishim planifikuar inaugurimin në shtator me rastin e përvjetorit të Shën Nënë Terezës. Me keqardhje, ajo na tha se ishte duke e punuar një trupore për Kalkutë dhe ishte e pamundur që të na punonte një për shtator. Por së bashku me këtë lajm na erdh edhe lajmi tjetër – Motrat Misionare të Bamirësisë në Mbretërinë e Bashkuar thanë se ato me gjithë dëshirë do të na dhuronin të veten.

Në festën e Korpit dhe Gjakut të Krishtit, më 15 qershor, ditën kur Papa emëroi tre ipeshkvij të ri për Shqipërinë, truporja erdhi në Bruksel dhe qëndroi në shtëpinë e motrave deri në të nisur për Banneux.

Truporja ishte gati, projekti ishte gati gjithashtu, por punimet nuk kishin filluar. Kishin mbetur pak më shumë se dy muaj, dhe pushimet verore, sidomos për lëminë e ndërtimtarisë ishin në prag.

Secila ofertë që na vinte për realizimin e punimeve (mbi 20 sosh) thoshte që realizimi është i mundshëm të kryhet në gjysmën e tetorit ose më vonë.

Filluam të mendojmë shtyrjen e inaugurimit për 5 nëntor (përvjetori i Lumnimit të martirëve shqiptarë) edhe pse ftesat tashmë ishin dërguar për 3 shtator 2017.

Në Meshën e fundit që patëm para pushimeve verore (24 qershor, Festa e Shën Gjon Pagëzuesit), një ndërmarrës shqiptar erdhi dhe propozoi ndihmën e tij. Ai shtyri nismën e punimeve dhe sponzoroi të gjitha punimet e vrazhta. Shkuam në pushime, duke përgatitur inaugurimin.

Në kthim, një ndërmarrës tjetër shqiptar kreu punimet e suvatimit. Një javë para inaugurimit mbollëm lulet. Mbeten vetëm finesat. Ato u kryen me 2 shtator 2017. Xhamat pleksiglas që shihen në kutinë postale ku njerëzit mund të kërkojnë lutje apo njete tjera, si dhe ato tek kutija e mesazheve të Shën Nënë Terezës për shtegtarin, ishin realizuar jo sipas kërkesës. Por secili që i shihte thonte më mirë është kështu si janë. Ndërkohë na thirri prodhuesi dhe na tha nëse pleksiglaset ju pëlqejnë ashtu si janë mund t’i mbani falas. U gëzuam të gjithë.

Në fund, njëra nga besimtaret na ftoi në drekë në një restorant afër Shenjtërores që punonte për qëllime bamirësie dhe mbarështohej nga misionare laike. Aty ishim plot falënderim ndaj Hyjit, të gëzuar që ishim së bashku edhe pse kapela na kishte sjellë sa e sa herë rreth 1h30 minuta larg Brukselit. I numëruam së bashku gjërat që na erdhën falas në projekt: Truporja, punimet e betonit, shtypi i fletushkave, mbrëmja gala e organizuar nga të rinjtë, pleksiglasi, Kryqi, shiritat dhe pejërat që paguam për të stolisur kapelën dhe mbajtësen e trupores, si dhe pjesë të banierës, kopshtari, etj, etj… dhe sa e sa gjëra na u dhanë me çmim shumë më të lirë se sa kushtonin realisht.

I falënderojmë të gjithë prej personit që dha shumë deri tek personi i cili thjesht erdh me marrë pjesë dhe ndau me ne këtë gëzim të papërshkrueshëm.

 

ASPEKTI ARKITEKTONIK

Kapela e Shën Nënë Terezës në Banneux paraqet një replikë të kapelave që gjinden në secilën shtëpi të motrave Misionare të Bëmirësisë. Dhoma kapelë është kthyer në kënd në mënyrë që truporja e Shën Nënë Terezës dhe Kryqi të jenë në qendër të vëmendjes.

Pra skena paraqet, një pjesë të dhomës, të shndërruar në kapelë, me truporen e Shën Nënë Terezës të kthyer kah Kryqi dhe në lutje.

Përulja e trupores dhe e gjithë skena që ofron Kapela, ftojnë në përulje, në heshtje dhe në lutje. “…fryti i heshtjes është lutja…”.

Orientimi i trupores së Shën Nënë Terezës e bën atë të kthyer gjithashtu edhe kah vendi ku është paraqitur Zoja.

Në disa kapela të motrave, përfshirë në shtëpinë amë në Kalkutë (Indi) kjo trupore (e njëjta sikur kjo në Banneux) është prezente. Truporja është realizuar nga një skulptore spanjolle Maria Jose nga Madridi, tek e cila Misionaret e Bamirësisë shpesh porosisin. Truporja që gjendet në Banneux është dhuratë nga motra Ana MC, që është motra kryesore për Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë. Sikur nëpër kapelat e motrave, edhe në Kapelën e Shën Nënë Terezës në Banneux, Kryqi qëndron në vendin kryesor me thënien “I thirst” (Kam etje). Etje për shpirtra sikur e shpjegonte dhe vazhdon të na shpjegoj Shën Nënë Tereza.

Gjithashtu, në kapelë qëndrojnë shkamat për gjunjëzim, sikur kishte vendosur Shën Nënë Tereza nëpër kapelat e motrave, duke na kujtuar kështu pak edhe ambientin e shtëpive të vjetra të trevave shqiptare.

Dhoma – kapelë është paraqitur pra në kënd. E paraqitur në këtë mënyrë ajo shfaq formën e trekëndëshit, që është edhe figura më solide gjeometrike, dhe që sikur e shpjegoi njëra nga motrat simbolizon edhe Trininë Shenjte. Dy krahët e këndit shkojnë duke u rritur në lartësi dhe duke u shkrirë në natyrë, duke krijuar kështu një ndjenjë ftese për secilin shtegtarë.

Forma e krijuar nga muret (e gjëra) dhe shtyllat (e ngushta) na rikujton gjithashtu vijat e kaltërta të sarit që veshin motrat e Shën Nënë Terezës – Misionaret e Bamirësisë, që përbëhen nga një vijë e gjerë e katërt dhe dy tjera më të ngushta. Sari, sikur e pat përshkruar Shën Nënë Tereza, është i bardhë simbol i pastërtisë (që është njëri ndër 4 kushtet që motrat pranojnë me rastin e betimit) dhe i kaltër për të simbolizuar Zojën e Bekuar. Tre vijat e kaltërta paraqesin 3 kushtet tjera që motrat pranojnë në momentin e betimit: dëgjesa, varfëria dhe shërbimi ofruar më të varfërve ndër të varfër.

Në secilën prej katër shtyllave janë të varrur xhama me thënie të Shën Nënë Terezës, të cilat na rikujtojnë origjinën e saj shqiptare dhe na ftojnë t’i dhurohemi Krishtit nëpërmjet Marisë, në Shenjtëroren e së cilës gjendemi.

Në dy prej këtyre shtyllave janë paraparë vende (mbështetëse) për të vendosur qirinj. Ndërsa dy shtyllat tjera përmbajnë njëra një kuti postale ku shtegtarët do të mund të shkruajnë porosi për Misionaret e Bamirësisë, kërkesa për lutje ose njete tjera. Ndërsa në shtyllën tjetër gjendet kutia ku secili shtegtar mund të merr një porosi nga Shën Nënë Tereza, e cila do të jetë e posaçme për shtegtarin.

Kapela është paraparë që të ketë edhe një strehë të xhamit. Por duke pasur parasysh kohën e shkurtër që kemi pasë për të realizuar kapelën, xhami nuk ka mbërri të realizohet. Instalimi i xhamit parashihet të bëhet së shpejti. Ndoshta edhe Shën Nënë Tereza preferon thjeshtësinë dhe varfërinë dhe ka vendosur që kapela të jetë e tillë sikur është sot.

Për një gjë jemi të sigurtë, kemi ndjerë praninë e Zotit dhe të Shën Terezës gjatë gjithë procesit të realizimit të kësaj kapele dhe në çdo hap që  kemi ndjerë gëzim të pashpjegueshëm por përkëdhelës nga Ati, sikur e vërteton ylberi që u paraqit në mbarim të ditës së parë të punimeve, atëherë kur ishim duke marrë veturat për tu kthyer.

Lavdi Hyjit dhe faleminderit prej Tij për këtë përshëndetje. 

Me mall, të fala dhe bekime,

Frani

Shpërndaje

Comments are closed.

« »