Nderimi i relikteve si “fragmente amshimi“ 

Sep 25 • Këndvështrime

Me rastin e vendosjes së reliktit në Shenjtëroren Shën Nënë Tereza në Prishtinë

 

Me 5 shtator 2017 në Prishtinë u shugurua solemnisht Shenjtërorja kushtuar Shën Nënë Terezës dhe po në të njëjtën kishë u vendosë për t`u nderuar edhe relikti i shenjtëreshës, respektivisht pika e gjakut të saj. Me këtë shkas po i bëjë disa reflektime të përgjithshme – më shumë me karakter orientues, nisur nga kuptimi historik dhe teologjik i nderimit të relikteve në Kishën Katolike.

 

Përgatiti: Don Shtjefën Dodes

 

Nderimi i relikteve, shikuar nga ana edhe historike dhe teologjike, është i pandashëm me nderimin e shenjtërve. Mund të thuhet se përhapja e parë e idesë së “relikteve” lidhet me vendet e shenjta të jetës tokësore të Jezu Krishtit. Vizita e këtyre vendeve të shenjta kuptohej si takim me Krishtin dhe shpëtimin e tij. Pas vdekjes dhe ngjalljes së Krishtit, në kohën e hershme të krishterimit, besimtarët e krishterë mblidheshin kryesisht rreth varreve të martirëve për të shprehur në këtë mënyrë nderimin e tyre dhe për të mbajtur kështu të gjallë kujtimin e dëshmitarëve dhe martirëve të fesë në Jezu Krishtin. Mund të themi që vendi i varrimit ishte “relikti” fillestar që shprehte devocionin ndaj shenjtërve, në fillim kryesisht, martirë. Kjo do të thotë që vëmendja e të krishterëve të parë ishte e përqendruar tek shenjtërit dhe të shoqëruarit me ta krijoi një ndjeshmëri për të ruajtur mbetjet e trupit të tyre. Në këtë mënyrë u krijua një hapësirë për të kultivuar devotshmërinë ndaj relikteve. Pra, nderimi i relikteve lindi nga feja që martirët e shenjtë janë në lavdi me Zotin. Mbetjet e tyre trupore ndërmjetësonin bashkimin e fesë.

Shikuar historikisht dëshmia më e lashtë e nderimit të martirëve dhe relikteve ndërlidhet me Shën Polikarpin, ipeshkëv në Smirnë, i cili u martirizua rreth vitit 155. Disa muaj pas martirizimit të tij të krishterët e Smirnës dëshmojnë: “Arritëm t`i mbledhim eshtrat e tij dhe t`i vendosim atje. Në atë vend, duke u mbledhur në gëzim dhe galdim sa herë që kemi mundësinë, Zoti do të na japë që ta kremtojmë përvjetorin e martirizimit të tij, në përkujtim të të gjithë atyre që pësuan vuajtje, si dhe për ushtrimin e përgatitjes së të gjithë atyre që në të ardhmen do të pësojnë të njëjtat sprova.” (Acta martyrum, SCh 10,223). Edhe nga kjo mund të kuptojmë që mbi varrin e martirëve kremtohej eukaristia, mesha e shenjtë, duke shprehur kështu nderimin që i bëhej shenjtit, respektivisht martirizimit të tij, që është kujtimi i kushtimit të Krishtit në kryq.

Duke e ditur që për të krishterët dita e vdekjes së besimtarit është dita e lindjes për qiell, përkujtimi i kësaj dite është quajtur “dies natalis”, kështu që vendi i varrimit të tyre bëhet vend bashkimi me ata që tashmë jetojnë në Krishtin, në lavdi. Trupi i të vdekurve varrosej me nderim në varr, jo që ai të ishte një “mbetje”, reliquia e jetës në tokë, por, përkundrazi, me besim që reliktet paraqesin formën e veçantë të bashkimit me ta që tashmë kundrojnë lavdinë e Krishtit në qiell. Pra, nga besimi në shoqërinë e shenjtërve (comunio sanctorum) lind edhe nderimi i relikteve.

Gjatë kohës së paganizmit dhe ndalimit të kultit të krishterë shumë varre nuk diheshin se ku ndodheshin. Që nga kthesa e kohës së perandorit Konstantin (shek. IV) u rrit shumë interesimi për të gjetur varret e martirëve, dëshmitarëve të fesë dhe barinjve të shenjtë, sidomos të themeluesve të Kishave lokale, vendore.

Zhvillimi i shtegtimeve në vende të shenjta dhe lulëzimi i devocioneve të formave popullore, që nganjëherë i shmangeshin kuptimit të mirëfilltë që ruhej në liturgjinë e Kishës, ngjallin dëshirën e besimtarit për të gjetur çdo gjë që do të mund të ofronte takimin me ngjarjet e shpëtimit. Kështu që të shtyrë nga devocioni i madh ndaj Krishtit Shpëtimtar, përgjatë disa shekujve, vargut të “relikteve” të lidhura me jetën e Krishtit, i bashkëngjiten edhe shumë gjësende, gjë që duhet parë më shumë si shprehje e devocionit të besimtarëve sesa dëshminë e besueshmërisë së atyre gjësendeve (siç ishin djepi i Jezusit, kurora me thera e Jezusit, barela ku ishte shëruar njeriu nga Kafarnaumi etj.).  

Shën Ambrozi, në një prej letrave të tij, flet për martirët e shenjtë duke shpjeguar se në ta zbulohet dhe dëftohet lavdia e Hyjit dhe ata – me trupat e tyre të lavdëruar – ruajnë në botë gjurmët e lavdisë së Hyjit. Në vazhdën e këtyre mendimeve, mund të themi që reliktet e shenjtërve apo shenjtëreshave në kuptimin e krishterë, të ndriçuar me fenë në Krishtin dhe në bashkësinë e shenjtërve, nuk janë thjeshtë mbetje që prishen të jetës së përkohshme dhe tokësore, por “fragmente amshimi” (L. Canetti) në të cilin shenjtërit kanë hyrë. Nderimi i relikteve nuk na kthen në “kohën” e shenjtit, por na fut në amshimin e tyre, në lavdinë në të cilën ata janë pjesëmarrës. Reliktet kështu ruajnë gjurmët e shenjtërisë në Kishë, mallin për lavdinë e Hyjit, sigurinë që me anë të fesë jemi në bashkim me shenjtërit. Nëse shenjtërit janë “monumente amshimi” në kohë, atëherë edhe reliktet e tyre nuk mund të shikohen jashtë këtij kuadri të fesë.

Me relikt lidhet edhe fuqia që te shenjti është manifestuar gjatë kohës së jetës së tij. Shenjti vazhdon të jetojë në bashkësinë e shenjtërve; trupi i tij i përlëvduar me lavdinë ku është bërë pjesëtarë, pranë trupit (reliktit) lidhet edhe veprimi i tij mrekullibërës. Relikti pra nuk e ka fuqinë në vetvete por në lidhje me shenjtin apo shenjtëreshën që me lavdërimin e tij/saj në qiell vazhdon në një mënyrë të re të bëjë vepra të mëdha.

Shën Çirili i Jerusalemit flet për fuqinë e mrekullueshme që ndodhet në mbetjet e trupave të njerëzve të Zotit, duke përmendur traditën nga libri i dytë i Mbretërve sipas të cilës “disa njerëz që po varrosnin një të vdekur, i panë cubat, e hodhën kufomën në varr të Elizeut dhe ikën. Kur i preku kufoma eshtrat e Elizeut, u ngjall i vdekuri dhe qëndroi në këmbët e veta.“ (2 Mbr 13,21)

Shën Augustini dëshmon që shërimet mrekullibërëse që janë bërë me anë të lutjes drejtuar martirëve të shenjtë te varri i tyre apo para relikteve të tyre, është shenjë e sigurt e ngjalljes dhe jetës pas vdekjes. Pikërisht reliktet dhe fuqia që ndërmjetësohet përmes tyre tregon që krishterimi është “fe e të gjallëve“, fe që beson në jetën. Nderimi i relikteve në krishterimin e hershëm shfaqet si dëshmi e kësaj feje, të themeluar në ngjalljen e Krishtit dhe në dhuratën e tij të amshimit për të gjithë ata që i janë bashkuar atij, gjegjësisht që e kanë mishëruar atë në jetën e tyre. Nuk është çudi që të folurit e Kishës mbi të vërtetën e ngjalljes do të jetë shpesh herë i mbështetur pikërisht me “dëshmitë e relikteve“, këtyre “shenjave të jetës“. Në këtë kuptim etërit kishtarë theksojnë që reliktet e apostujve të shenjtë dhe martirëve të tjerë nuk janë “mbetje e të vdekurve“, por “fragmente të të gjallëve“.

Që nga shekulli i katërt, në bashkësitë e krishtera, vërehet një dëshirë e gjallë për të pasur relikte të ndonjë shenjti apo shenjtëreshe. Këtë fenomen është veçanërisht interesant ta përcjellim në ato bashkësi, sidomos ato të reja, që nuk kishin martirë të vet apo dëshmitarë të vet të fesë. Kështu do të hapen dyert e “ndarjes së relikteve“ të shenjtërve veç e veç, por këtu në mënyrë të veçantë do të realizohet lidhja e re e bashkimit midis Kishave lokale. Nderimi i shenjtërve jashtë Kishës lokale apo krahinore ku ka jetuar shenjti, si dhe përhapja e nderimit të apostujve dhe martirëve të shenjtë në të gjitha Kishat, e ka rritur dëshirën e posedimit të relikteve të tyre. Kjo bashkëndarje, në mënyrë të mrekullueshme, do ta ndërtojë lidhjen dhe bashkimin mbarëkishtarë, të ndërthurur me ruajtjen e kujtimit të jetëve të dëshmitarëve të shenjtë të fesë dhe thirrjen për t`i ndjekur shembujt e tyre.

Duhet thënë edhe këtë që nderimi i relikteve nuk ishte diçka e veçantë e krishterimit. Edhe para kohës së Krishtit kishte forma të ndryshme të nderimit të të vdekurve dhe mbetjeve të tyre tokësore. Por, krishterimi solli një dritë të re. Për dallim prej nderimeve “pagane“ të relikteve ku shprehej kryesisht frika nga vdekja, të cilën e nderonin edhe si hyjni, krishterimi e shndërron këtë në shpresën në jetën e re, kurse nderimi i relikteve i ofron kësaj shprese gjallërinë.

Përveç shembujve të shumtë që kemi në letërsinë greke dhe në antikitet ku gjejmë konotacione religjioze të nderimit të personazheve të vdekur, edhe në shoqëritë moderne vërehet ruajtja, nganjëherë me fanatizëm, e mbetjeve të “të mëdhenjve“, duke imponuar forma të reja kulti. Madje rreth njerëzve “të mëdhenj“ janë sajuar edhe mite, trupat e tyre janë balsamuar, varret e tyre janë bërë vende “shtegtimi“ të detyruar, dhe kujtimi i tyre ruhet nëpërmjet emrave të tyre që ua vënin shesheve, rrugëve, institucioneve… Lehtë mund të vërehet që edhe te njerëzit bashkëkohor ekzistojnë mënyra të ndryshme nderimi apo, siç thuhet, “adhurimi“ të “yjeve“ (këngëtarë, artistë, sportistë, pasanikë…). Shpesh ndodh që ky nderim apo “adhurim“ të shfaqet nëpërmjet lakmisë bashkëkohore për posedim, gjë që tregon edhe gatishmëria e tyre për të blerë shtrenjtë, nganjëherë me shuma marramendëse, një gjësend që i ka takuar një “ylli“ përkatës. Edhe nevoja për të vizituar vendet ku këta njerëz “të mëdhenj“ kishin qenë, për t`u veshur me stilin e tyre, për të përkujtuar ditëlindjen e tyre, për të sajuar gojëdhëna të reja enigmatike, tregon që njerëzit edhe me pavetëdije kanë hyrë thellë në fushën e religjiozes, kultit.

Jeta shpirtërore e krishterë vazhdimisht përpiqet që fenë në Zotin e vetëm ta ruajë “të pastër“. Mund të themi që krishterimi edhe me anë të nderimit të relikteve e ka pastruar admirimin njerëzor të jetëve të njerëzve “të mëdhenj“. Reliktet e kanë orientuar vëmendjen drejt kryesores, jetës së shenjtëve. Prandaj, Kisha nuk ka hezituar të tregojë edhe ashpërsinë duke i ndaluar disa forma nderimi që nuk i kanë kontribuar drejtimit kristologjik (të përqendruar në Krishtin) të jetimit të fesë dhe atyre që kanë lindur nga fantazia apo besëtytnia njerëzore.

Të themi edhe këtë që zhvillimi i devocionit ndaj shenjtëve krijoi edhe një kornizë për lindjen e kategorive të reja të relikteve. Në fillim me konceptin “reliquia“ mendohej trupi i shenjtit ose pjesët e trupit, veçanërisht duart dhe koka, ose gjaku i tij i ruajtur në tesha apo pjesë të rrobave, më vonë si relikte hasim edhe gjëra të tjera të cilat shenjtërit i kishin përdorur gjatë jetës: si për shembull rrobat ose gjësendet që kishin qenë në kontakt me trupin e tij/saj. Edhe pse ky zhvillim i mëvonshëm krijon përshtypjen se kështu është përhapur nderimi i shenjtëve, në fakt vetë ideja e relikteve reduktohet sepse tani ato shikohen si fuqi (si p.sh. ajo shëruese) që i etiketohet gjësendeve, ndërsa harrohet ai kuptimi burimor me të cilin ishte i lidhur kuptimi i “memoria-s“. Kremtimi i kujtimit të një martiri apo të një shenjti/shenjtëreshe së pari e lidh vendin e varrimit me përvjetorin e martirizimit, respektivisht vdekjes; me të njëjtin koncept “memoria“ shënjohet edhe varri i shenjtit/shenjtëreshës, kështu edhe vetë kisha në të cilën ndodhet varri, në mënyrë që në fund me këtë term të shënjohen edhe reliktet e martirit apo shenjtit/shenjtëreshës. Nderimi i relikteve kështu hyn në formën e gjerë të ruajtjes së kujtimit të gjallë, në rend të parë duke ndjekur jetën e shenjtit apo shenjtëreshës, me anë të vazhdimit të misionit që Kisha ia kishte besuar ose me anë të zgjimit të përshpirtërisë me të cilën ai/ajo është karakterizuar.

Mënyrat e nderimit të relikteve sot janë të ndryshme: lutja para tyre, prekja e tyre dhe shprehja e nderimit, si për shembull me puthje, zbukurimi i tyre me drita dhe lule, mbartja e tyre solemne gjatë procesioneve, bekimi i dhënë me relikte, gjegjësisht me relikuiar. Të gjitha këtyre formave të shprehjes së nderimit Kisha u lë hapësirë lirie, njëkohësisht duke ua bërë të ditur besimtarëve që ta kenë para sysh kuptimin e vërtetë të relikteve, gjegjësisht që t`i shmangen çdo lloj besëtytnie apo deformimi të të vërtetave dhe devocioneve fetare.

Nderimi i relikteve, si “fragmente amshimi“, i fut vetë besimtarët në dinamikën e kujtimit që qëndron i gjallë dhe veprues në ecjen e Kishës në botë. Pra, reliktet flasin për praninë e shenjtit/shenjtëreshës në jetën e Kishës. Nuk janë mbetje të tij/saj, por Prani që vazhdon të frymëzojë, mësojë, drejtojë dhe shërojë jetët e besimtarëve.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »