I krishterë sa për sy e faqe apo i përnjëmend e përmbajtjesor!

Sep 30 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XXVI gjatë vitit (A)

 

Leximi i parë   Ez 18, 25-28

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

Kështu thotë Zoti: “Ju thatë: ‘Nuk është e drejtë udha e Zotit’. Dëgjoni, pra, shtëpia e Izraelit: A thua mënyra e sjelljes sime vërtet s’është e mirë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe? Sepse, kur i drejti e lë drejtësinë e vet e bën padrejtësi-në, ai do të vdesë: për shkak të padrejtësisë që bëri, do të vdesë. E kur i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet që e ka bërë, e bën të drejtën e drejtësinë, ai ia kthen jetën vetvetes. Ai pleqëron imët dhe kthehet nga të gjitha padrejtësitë që i ka bërë, këndej do të jetojë e jo, nuk do të vdesë.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi 25

Ref : Le të bie ndër mend, o Zot, dashuria jote

—————————————————

Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua

e m’i mëso shtigjet e tua.

Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,

sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im.

—————————————————

Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,

dhe dashuria jote që është e amshueshme.

Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë:

të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate,

për hir të mirësisë sate, o Zot.

—————————————————

I ëmbël e i drejtë është Zoti,

mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,

të përvujtëve u prin në drejtësi,

të butëve ua mëson udhën e vet.

—————————————————

 

Leximi i dytë   Fil 2, 1-11

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Vëllezër, nëse vlen gjë ngushëllimi në Krishtin, nëse qortimi me dashuri, nëse pjesëmarrja në Shpirtin Shenjt, nëse vlen gjë zemra e dhimbshme, atëherë ma plotësoni gëzimin: jetoni në marrëveshje, kini të njëjtën dashuri, jini një zemre, një mendimi! Mos bëni asgjë për kryelartësi, as për mendje të madhe, por, me përvujtëri, mbani njëri-tjetrin më të madh se veten. Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.  Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus, i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër, që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë, dhe çdo gjuhë të dëshmojë: “Jezu Krishti është Zot!” Në nder të Hyjit Atë. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje.

Aleluja.

 

Ungjilli    Mt 21, 28-32

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha kryepriftërinjve dhe kryetarëve të popullit: “Më thoni si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Iu drejtua të parit e i tha: ‘Biro, dil sot e puno në vresht!’ Ai i përgjigji: ‘Po shkoj, imzot!’, por nuk shkoi. Atëherë iu drejtua të dytit po ashtu. Ai i përgjigji ‘Nuk dua!’ Pastaj ndërroi mendim dhe shkoi:. Cili prej të dyve e kreu vullnetin e t’et?” I thanë: “I dyti!”  “Përnjëmend po ju them, – vazhdoi Jezusi – tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit. Sepse, erdhi Gjoni ndër ju udhës së drejtësisë, u ju nuk i besuat; tagrambledhësit e laviret i besuan, ndërsa ju, edhe pasi i patë këto, nuk u penduat për t’i besuar.”       Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Në jetë shumë thonë ‘po’ me buzë, por me vepra thonë ‘jo’. Ajo që ka rëndësi nuk është ajo që thuhet apo ajo që shfaqet, por rezultati i veprimeve tona.

“Një njeri kishte dy djem”. Një baba u kërkon bijve të tij të shkojnë të punojnë në vresht: i pari përgjigjet ‘po’ e nuk shkon; i dyti përgjigjet ‘jo’ e pastaj, i penduar, shkon. “Cili prej të dyve e kreu vullnetin e t’et?”, pyet Jezusi. Ata përgjigjen në mënyrë të saktë. Atëherë Jezusi lidh shëmbëlltyrën me historinë, duke pohuar: mëkatarët hyjnë në mbretërinë e Hyjit para krerëve fetarë. Pse? Sepse tagrambledhësit e mëkatarët dëgjojnë lajmin e tij e kthehen. Ndërsa përgjegjësit fetarë të Izraelit refuzojnë Atë e mesazhin e tij, për të zbatuar formalitetin e Ligjit.

Djali i parë përfaqëson mëkatarët dhe paganët, që thonë ‘jo’, domethënë nuk zbatojnë Ligjin, por kanë takuar Jezusin, e kanë lejuar të gjenden prej Tij. Nëse në fillim kanë thënë ‘jo’, tashmë thonë një ‘po’ të plotë ndaj vullnetit të Atit. Ky kalim nga ‘jo’ në ‘po’ është kthimi.

Djali i dytë përfaqëson mësuesit e udhëheqësit fetarë të popullit, që janë të bindur se janë besnikë ndaj vullnetit të Hyjit, por refuzojnë shpëtimin që kryhet në Jezusin. Është e paimagjinueshme se mund t’i thuhet ‘po’ Ligjit dhe ‘jo’ Krishtit.

Edhe ne sot jemi të ftuar të punojmë në vreshtin e Atit për të dëshmuar me vepra konkrete besnikërinë tonë ndaj Hyjit. Nuk ndiqet Jezusi me fjalë, por duke jetuar në mënyrën në të cilën Ai na ka mësuar.

 

LUTJA E BESIMTARËVE

M. Vëllezër dhe motra, sot fjala e Zotit na fton të bëhemi të ndërgjegjshëm për nevojën për të stabilizuar marrëdhënie të sinqerta mes nesh. Duke ia paraqitur Zotit nevojat e botës mbarë, t’i kërkojmë edhe për ne hirin e një kthimi të vërtetë.  Të themi së bashku.

 

Na jep, o Zot, sinqeritetin e zemrës.

 

L. Për Papën, Ipeshkvijtë dhe gjithë njerëzit e Kishës: që nën shembullin e Jezusit, të mos e lënë veten të udhëhiqen nga shpirti i mburrjes dhe i interesit, por të punojnë gjithmonë në vreshtin e Zotit me entuziazëm, përvujtëri e guxim. Të lutemi.

L. Për botën politike dhe shoqërore, që të jetë e udhëhequr nga persona që kërkojnë me të vërtetë të mirën e përbashkët dhe mbrojnë mbi të gjitha drejtësinë, kushtet e domosdoshme për të arritur përparimin e vërtetë dhe paqen në mes popujve. Të lutemi.

L. Për të varfrit, të sëmurët dhe për ata që vuajnë: që në solidaritetin dhe në ndihmën e të krishterëve të ndjejnë praninë dhe ngushëllimin e Krishtit, i cili duke u mishëruar ka dhënë jetën e tij, për shpëtimin e të gjithëve. Të lutemi.

L. Për fëmijët dhe të rinjtë tanë që kanë filluar shkollën, që të dëgjojnë me respekt dhe mirënjohje mësuesit e tyre. Të lutemi.

L. Për bashkësinë tonë të mbledhur në kremtimin eukaristik, që të jetë e aftë të shpallë besimin e saj, jo vetëm me fjalë, por me vepra dhe me dëshminë e jetës. Të lutemi.

M. O Hyj, që me diturinë tënde e udhëheq historinë dhe e përmbush me bekimin tënd, dëgjoje lutjen tonë besimplote dhe përtërije në ne kujtesën e mrekullive që ke bërë në Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur: Ai jeton dhe mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

(ecclesia.al)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »