Imzot Dodë Gjergji, pret gazetarë të mediave gjermane

Oct 5 • Kisha në Kosovë

Të organizuar nga Instituti për zhvillim të publicistikës me seli në Munih të Gjermanisë, 27 gazetarë të medieve të ndryshme gjermane janë pritur sot nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, për të bashkëbiseduar për Kosovën dhe Kishën Katolike në Kosovë.

 

Prishtinë, 4 tetor 2017: Në orët e paradites së djeshme, 27 gazetarët gjerman u pritën nga Imzot Dodë Gjergji, në Rezidencën e tij pranë Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë, për të diskutuar për gjendjen në Kosovë, praninë e Kishës Katolike në Kosovës, sfidat dhe shpresat që ka vendi ynë.

Për një ore e gjysmë sa zgjati takimi, gazetarët ishin të interesuar për të kuptuar rolin e Kishës në Kosovë, në raport me çështjen sociale, varfërinë, edukimin, arsimin, tolerancën ndërfetare dhe rolin që do të ketë Shenjtërorja e posa shuguruar e Shën Nënë Terezës në Prishtinë.

Imzot Gjergji, duke e shpjeguar për Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë theksoj se, kjo Shenjtërore kushtuar bijës dhe shenjtëreshës shqiptare – Shën Nënë Terezës, është vepër që e ka dashur populli i Kosovës dhe atë e ka ndërtuar me kontributin e vet dhe të miqve. Ajo është e madhe – theksoj ipeshkvi – sepse vetë Nënë Tereza është e madhe. Kjo vepër e popullit është shprehje e respektit, pranimit dhe dashurisë për Nënë Terezën. Kjo Shenjtërore e Shën Nënë Terezës do të jetë vendshtegtim për gjithë rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Ky fakt, tregon se këtu kisha jeton në shpresë të fesë e jo konservuese pasive e të kaluarës. Tradita dhe e tashmja për Kishën tonë janë të pandara për të krijuar të ardhmen, e cila duami të ketë vlerat që i ka promovuar dhe i ka jetësuar Shën Nënë Tereza, përfundoj Imzot Dodë Gjergji, duke e zhvilluar bashkëbisedimin me gazetarët në gjuhën gjermane.

Në pyetjen se çfarë Kisha bënë për të varfërit dhe edukimin e gjeneratave të reja, ipeshkvi dha një panoramë të aktiviteteve karitative që Kisha tash sa vite i zhvillon në Kosovë, duke u nisur nga Menza e të varfërve që është te kisha e Shën Ndout në Ulpianë, që funksion që nga fillimi i ndërtimit të Shenjtores – tash 10 vjet, ku ushqehen për çdo ditë rreth 100 të varfër me drekën e nxehtë, e deri të Caritas Kosova, i cili është i shtrirë në të gjitha vendet e Kosovës. Kontributi i Caritas Kosova është i madh në zbutjen e varfërisë dhe zvogëlimin e fenomeneve negative që shoqëria kosovare i ka përjetuar gjatë këtyre viteve; nga trafikimi me qenie njerëzore, delikuenca, risocializimi etj. etj.

Kisha katolike ka katër shkolla të mesme – gjimnaze, që janë shembull në arsimin tonë në Kosovë, një dy shkolla fillore, disa çerdhe fëmijësh – vazhdoi ipeshkvi, duke theksuar se ne jemi të pranishëm me fuqitë tona për të kontribuar në arsimimin dhe edukimin e fëmijëve dhe të rinjve të Kosovës. Arsimim dhe edukimi i cilësor e rrit kualitetin e jetës dhe ushqen dëshirën për ta dashur vendin tonë e duke punuar për të.

Njëra ndër çështjet që u interesuan gazetarët gjermanë ishte dialogu ndërfetarë, ekumenizmi dhe toleranca fetare. Toleranca fetare ndër ne ka rrënjët që në kohën kur filloi procesi i islamizimit të familjeve shqiptare, – theksoj Imzot Gjergji – kur disa anëtarë të familjes kaluan në islam, ata asnjëherë nuk u përjashtuan nga lidhjet familjare, përkundrazi, ato mbetën vëllezër dhe e kultivuan të pakëputur vëllazërinë e gjakut. Edhe sot, shqiptarët e mbajnë vetën vëllezër, por me përkatësi të ndryshme fetare, që është zgjedhje e tyre subjektive.

Pas bashkëbisedimit për çështje tjera rreth të kaluarës së hershme e të afërt të vendit tonë, Kishës katolike, e posaçërisht të viteve të ’90-ta, e vizituan Shenjtëroren e Nënë Terezës, e cila u shugurua me 5 shtator të këtij viti, ku u njohën me stilin arkitektonik, artin dhe planprogramin e jetës baritore që zhvillohet në këtë vend./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »