Papa Françesku: Aleanca burrë-grua ka përgjegjësinë për botën!

Oct 5 • Familja

Të nisemi nga Fjala e Zotit “që shndrit zanafillën e jetës dhe fatin e saj” për të përballuar sfidën epokale “që ka të bëjë me humanizmin planetar, përsa u përket zhvillimeve të fundit teknologjike në shkencat e jetës”.

Kështu u tha Papa Françesku pjesëmarrësve të Asamblesë së Përgjithshme të Akademisë Papnore për Jetën, të cilët i priti sot në Sallën e Sinodit. Tema e këtij viti: “Ta shoqërojmë jetën. Përgjegjësi të reja në epokën teknologjike”, argument aktual, që shtron çështje të pamenduara më parë, por urgjente për t’u zgjidhur sot. Të qarta, këshillat e Papës Françesku për t’i vënë fre një kulture, së cilës i është mbushur mendja se njeriu është sovran dhe gjithëpushtetshëm:

“Një teologji e Krijimit dhe e Shëlbimit , që të dijë të kthehet në fjalë e gjeste dashurie për çdo jetë e për gjithë jetën, është sot më se e nevojshme për ta shoqëruar udhën e Kishës në botën, ku jetojmë. Enciklika ‘Laudato si’’ është manifest i këtij këndvështrimi të Zotit e të njeriut mbi botën, duke u nisur nga tregimi i madh i zbulesës, që na jepet në kapitujt e parë të Librit të Zanafillës”.

Hyji, nënvizoi Papa, ia beson aleancës ndërmjet burrit e gruas gjithësinë dhe historinë. Është besëlidhje e vulosur nga bashkimi i dashurisë, personale dhe e frytshme, që përvijon rrugën e transmetimit të jetës përmes martesës e familjes, por shkon edhe më përtej:
“Aleanca e burrit dhe e gruas duhet të marrë në duart e saj regjinë e krejt shoqërisë. Burri e gruaja nuk janë të thirrur vetëm të flasin për dashurinë, por të flasin, me dashuri, për gjithçka duhet të bëjnë që bashkëjetesa njerëzore të gjejë plotësinë në dritën e dashurisë së Zotit për çdo krijesë”. 

Është fjala për një “revolucion kulturor”, nënvizoi Papa Françesku, i cili pranoi se Kisha ka mungesa e vonesa në këtë drejtim. “Format e nënshtrimit e të vartësisë, që trishtueshëm e kanë karakterizuar historinë e grave, duhen braktisur përfundimisht”, theksoi Ati i Shenjtë. Duhet krijuar një kulturë e re, duke u nisur nga identiteti dhe ndryshimi ndërmjet sekseve:

“Utopia e ‘asnjanësisë’ hedh poshtë, njëkohësisht, si dinjitetin njerëzor të krijimit seksualisht të ndryshëm, ashtu edhe cilësinë personale të transmetimit të jetës. Manipulimi biologjik dhe psikik i ndryshimit seksual, që teknologjia biomjekësore na e përvijon si krejtësisht të lirë për t’u zgjedhur si të duam – ndërsa nuk është kështu! – ka rrezik ta shkatërrojë burimin e energjisë, që e ushqen aleancën e burrit me gruan dhe e bën atë krijuese e të frytshme”. 

Respekti e kujdesi për jetën në të gjitha fazat e saj, ashtu si edhe dëshmia e fesë në mëshirën e Zotit, janë për Papën prita kundër “anestezisë dhe degradimit të humanizmit”. Në këtë kuadër e sheh Ati i Shenjtë misionin e Akademisë Papnore për Jetën. Kuadër i vështirë, por parësor për të mirën e përbashkët./radiovaticana.va /

Shpërndaje

Comments are closed.

« »