Imzot Dodë Gjergji studentëve: bëhuni punëtorë të vyer të të vërtetës!

Oct 6 • Kisha në Kosovë

Shumë të dashur studentë, profesorë,

meshtarë e motra të angazhuar në pastoralin studentor,

të gjithë ju vëllezër e motra në Krishtin,

 

E falënderoj famullitarin që më ka ftuar të kremtoj sot këtë meshë me ju, në fillimin e vitit akademik 2017/18. Ju përgëzojë për këtë vendim, që vitin akademik ta filloni me bekim në Katedrale, me bekimin e Zotit dhe me frymëzimin e ungjillit të Tij, me uratë e dashuri ndaj Kishës dhe popullit.

Në leximin e parë, Zakaria profet, i gjithë kapitulli i tetë e jo vetëm pjesa që e kemi lexuar sot, dëshiron t’i thotë popullit të vet se si Zoti donë t’i harrojë gabimet e së kaluarës e si atë pjesë të shëndosh të këtij populli dëshiron me e shpërblye, sepse ai do me i thanë këtij populli se nuk ju kam harruar kurrë, gjithmonë kam qenë me ju, edhe atëherë kur zemrat e juaja trishtoheshin nga pikëllimi, edhe atëherë kur e kaluara ishte e dëshpëruar nga rrethanat historike. Edhe atëherë isha me ju.

Edhe në Ungjillin e sotëm, Jezusi udhëton drejt Jerusalemit për të kryer misionin e vet, misionin shpëtimprurës për njerëzimin.

Liturgjia e fjalës na bartë të reflektojmë e të ndalemi në kontekstin tonë aktual, në kohën që po e jetojmë. Në këtë kontekst të misionit që kemi dhe dhuratave që Zoti i ka dhënë popullit tonë sot, ne e kemi ndërtuar këtë Katedrale, në mënyrë që të gjithë njerëzit të shohin shtëpinë e vet të dikurshme dhe të gjithë ata që besojnë e që janë pagëzua të mund ta gjejnë ngushëllimin e shpirtit brenda saj. Në këtë mënyrë kemi dashur të falënderojmë Zotin për dhuratën e madhe që na ka dhanë, Shën Nënë Terezën, që është dëshmia e gjallë e të jetuarit të ungjillit sot, një aromë dashurie pa interes, aroma më e mirë për të gjithë botën.

Sot, dua të ndalem pak për të reflektuar mbi Katedralen, pasi kemi dashur që kur dikush të hyjnë brenda në këtë kishë, ta shkund memorien e vet, ta mësojë të vërtetën e Kishës, të përballet me këtë të vërtetë e të vijë deri te Nënë Tereza.

Prandaj, në fillim të Kishës, në dy anët e vitrazheve, i kemi vendosur dy apostujt e mëdhenj, dy shtyllat apostolike të krishterimit: Shën Pjetrin që e themelon Kishën e Romës dhe Shën Palin që e themelon Kishën ndër ne në Iliricum. Fillimet e farës së ungjillit, të krishterimit ndër ne janë në të njëjtën kohë me fillimet e saj në Romë.

Kemi dashur të dëshmojmë se ne jemi Kisha që kemi marrë pjesë në martirizim, kur Romakët ishin çua peshë për ta zhdukur farën e re të krishterimit. Romakët nuk e pruan me dhunë krishterimin ndër ne, porse ne me dashuri e mundëm fuqinë romake dhe bëmë që ata të bëhen si ne. Këtë e tregon vitrazhi i Shën Astit të Durrësit, i cili shënjon fillimin e martiriologjisë së kishës sonë.  

Ne morëm pjesë në Koncilin e Nicesë, në koncilin e Besojmës; kështu kemi marrë pjesë në formulimin e fesë sonë – në besojmën që e lutë krejt Kisha në botë. Prandaj, në vitrazhin e dytë, pas kryeapostullit Pjetër, kemi vendosur ipeshkvij që morën pjesë në këtë koncil; aty ishin ipeshkvijtë tanë nga Durrësi, Shkupi e Ulpiana.

Ne kemi marrë pjesë në ndërtimin e qytetërimit të dashurisë. Atë e kemi ndërtuar dhe e kemi mbrojtur: e kemi ndërtua me Florin dhe Laurin në Ulpianë dhe e kemi mbrojtur me Gjergj Kastriotin dhe Pal Engjëllin.

Ne, jo vetëm e kemi mbrojtur, por edhe e kemi udhëhequr Kishën Universale, me Papa Klementin XI, Albanin.

Ne i kemi dhanë lavdi Hyjit me Niketën e Remisianës, me himin “Te Deum”, e cila është këngë lavdi dhe falënderimi e të gjithë të krishterëve ndër shekuj. “Nder e lavd t’qoftë ty, o Zot…” – këndonte ky bir e prelat i shenjtë.

Kemi Shën Jeronimin, i cili e ka përkthye Biblën në gjuhën latine e quajtur “Vulgata”.  Ne iu kemi ofrua shkrimin e shenjtë latinëve ta kuptojnë në gjuhën e tyre.

Kemi në anën tjetër Shën Nënë Terezën, ungjillin e jetës, sepse populli ynë jo vetëm e ka përkthye ungjillin në letër e shkronja, por atë e kemi përkthye edhe në vepër dhe në jetë.

Kështu ne jemi pjesë dhe kontribut i vyer për Kishën universale, ashtu si Kisha universale është kontribut i pakontestuar i ekzistencës sonë, një mbështetje në të gjitha periudhat historike.

Pastaj, në vitrazh i gjejmë martirët, që janë të vendosura në një krah të Shqiponjës – janë martirët shqiptarë të komunizmit, sepse krahu tjetër është tjetërsua.

Kemi dy papët sot, njëri që e udhëheq kishën Papa Françesku dhe tjetri emeritus që lutet për kishën.

Kemi ardhur te mozaiku ku Imzot Bogdani, në rrethana tejet të vështira historike, kur s’dinte ç’të bënte më për Kishën dhe popullin e vet, në gjunjë para Krishtit lutet “Salva nos Domine, primus” – na shpëto, o Zot, se marum! Kjo është një lutje e dhimbshme e popullit tonë, sepse shpeshherë është dashur me e lutë Zotin në këtë mënyrë. E në anën tjetër e kemi mozaikun, që e tregon dhe e paraqet frytin e kësaj lutje, që tregon se nuk kemi maru, ne jemi gjallë, ne e kemi Kishën dhe jetën e lirë.

Kushdo të hyjë në këtë kishë – pas udhëtimit dhe njohëses me historinë shpirtërore, do të afrohet te Nënë Tereza e do të përballet para pikës së gjakut të saj (relikti i gjakut) që është gjaku ynë, me pyetjen: a donë të pagëzohesh në këtë Kishë? Nëse thotë po, do të hyjë në misteret e Kishës, duke u “zhytur” në gurrën e pagëzimit, e cila e ofron me Lajmin e Gëzueshëm të Pashkës, me altarin ku do të ushqehet me bukën e jetës së pasosur e do të shkoj para Shenjtërueshmit Sakrament për ta adhuruar dhe falënderuar Zotin për pranimin në familjen e tij. Pas këtij udhëtimi dhe pranimi, besimi të mund të dal për të dëshmuar në jetën e shoqërisë ku jeton.

Ne, jemi këta që e kemi pranuar dhe besuar këtë dhuratë të madhe të Zotit. Prandaj, jemi të ftuar ta dëshmojmë. Ne jemi gjenerata e lumtur, pasi asnjë gjeneratë nuk ka qenë më mirë se ne sot, as një kohë historike nuk ka qenë më e mirë se kjo kohë që po e jetojmë, asnjëherë nuk i është dhënë Kishës dhe popullit tonë një mundësi më e madhe se sa sot.

Neve, siç e kam përmendur edhe këtë të diele, disi na ka kapluar dëshpërimi tu mendu se jemi pak. Jo, nuk jemi pak, sepse krishterimi nuk matet me shumë apo pak, por me të ndershëm e me të mirë, me të devotshëm e me të përshpirtshëm, me bujarë e njerëz të guximshëm.

Sot, ju ftoj juve të rinjve e të rejave, ju studentë, ju që ligjëroni në katedra të ndryshme, të kryeni misionin që e kemi sot, pasi ne kemi përgjegjësi për të sotmen dhe mision për të nesërmen.

Cilat janë përgjegjësitë tona për të sotmen e cili është misioni ynë për të nesërmen?

Do të përpiqem t’i përmbledh në disa pika:

  1. Të jemi dëshmi: vet prania jonë, vetë ekzistenca jonë është dëshmi për shumëçka. Jemi dëshmi për popullin tonë, se ja ka vleftë qëndresa historike, sakrifica e martirëve, vuajtja e të parëve dhe mundi i Kishës, të bijve të saj që kanë sakrifikuar në të kaluarën në jetën e popullit dhe veprën e kishës. Sepse Zoti, edhe kur ka folur edhe kur ka heshtur, ishte besnik. Tani kur Zoti ka vendosur të flas përmes veprave të tija në popullin tonë, ne duhet të jemi dëshmi e gjallë e me jetë të dëshmojmë se jemi bijtë e tij, që e duan njeriun, të afërmin dhe Zotin.
  2. Besnik dhe dëshmitar: jo vetëm të jemi, por edhe dëshmitar që e kemi një porosi. Ku ka dëshmi më të madhe se vlefshmëria e qëndresës sonë historike! A ka dhuratë më të madhe se Shenjtëresha jonë si dëshmi e gjallë para krejt botës! A ka dëshmi më të madhe se të rinjtë e të rejat tona që vijnë nga katunde e studiojnë në Prishtinë! A ka dëshmi më të madhe që njeriu ynë është i lirë! Ju bijë e bija të Kishës, ju sot jeni të ftuar t’i ruani të paprishura dhe me besnikëri dhuratat e dhuntitë e Shpirtit Shenjt që na janë dhuruar, e të mos lejoni që asgjë të prishë bukurinë e shpirtit e frytet e mira të fesë që i mbani në veten tuaj.
  3.  Punëtorë të vyer të së vërtetës: ne kemi nevojë për punë të ndryshme, por më së tepërmi kemi nevojë për punëtorë të së vërtetës. Mos u lodhni kurrë duke iu ndihmuar shokëve dhe shoqeve tuaja, miqve tuaj, që në mënyrë progresive t’i afrohen të vërtetës e t’i ndihmoni ata që të përballen me të, duke e pranuar atë. Sepse e vërteta e çliron çdo mendje, ajo e çliron çdo zemër, e vërteta e bënë të lirë secilin, pa të nuk ka liri, as gëzim e as të ardhme. Të kemi guxim, të mos heshtim kur duhet të flasim, të kemi urtinë që të dëshmojmë kur nuk na dëgjojnë. Të mos heshtim duke iu nënshtruar peshës së shumicës, por të dialogojmë me të gjithë me një jetë të ndershme, me fjalën e dhënë e të mbajtur, me punën e palodhshme e në paqe.
  4. Rikujtues të palodhshëm në popullin tonë: Ne e kemi vërejtur se populli ynë është i gatshëm ta harrojë të vërtetën mbi vetveten se sa të përballet me të. Ne nuk guxojmë të pushojmë t’ju kujtojmë popullit tonë të kaluarën e përbashkët shpirtërore, vuajtjet e përbashkëta historike, punën e palodhur të Kishës dhe të bijve të saj, se Zoti gjithnjë ka qenë në mesin tonë dhe i kemi mbet gjithmonë besnik Atij. Prandaj kemi qenë dhe mbetemi thesar i kulturës dhe të shpirtit shqiptar.
  5. Ta mbushim zbrazëtirën që e lanë mohuesit e të sotmes, mohuesit e vlerave të së kaluarës,  mohuesit e figurave historike. Qëllimi dashakeq i shumë njerëzve sot është që ta zbrazin shpirtin e shqiptarit nga vlerat, në mënyrë që atë ta mbushin me diçka tjetër. Këtë zbrazëtirë duhet të ngutemi ta mbushim me vlerat që i përmenda më lartë.

Paçi një vit të mbarë akademik e Shpirti i urtisë dhe i dijes ju përcjelltë në studimet e Juaja. Amen.

(Homelia e plotë e Imzot Dodë Gjergjit, për fillimin e vitit akademik 2017/18, Shenjtërorja Shën Nënë Tereza, më 3 tetor 2017, Prishtinë. Transkriptimi i homelisë dhe titulli janë të redaksisë.)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »