Pastorali Studentor: Meshë e shenjtë me rastin e fillim të vitit të ri akademik 2017/18

Oct 6 • Kisha në Kosovë

Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2017/2018 në universitetet tona në Kosovë, i cili filloi të hënën me 2 tetor, Pastorali Studentor i Ipeshkvisë së Kosovës, i cili udhëhiqet nga famullitari i Prishtinës, Don Fatmir Koliqi, organizoi meshën e të martës, me 3 tetor, në Shenjtëroren Shën Nënë Tereza në Prishtinë me qëllim të bashkimit, lutjes dhe bekimit që ky fillim të jetë sa më i mbarë dhe frytdhënës.

Ky vit i ri akademik 2017/18 është i veçantë edhe për faktin se mbartë me vete jehonën e shugurimit të katedrales në Prishtinë që u bë para një muaji, gjegjësisht me 5 shtator. Këtë e vuri në dukje edhe kremtuesi i meshës Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëvi i Kosovës, i rrethuar edhe me bashkëvëllezër të tjerë meshtarë që kanë në përkujdesjen e tyre baritore edhe nxënës e studentë. Në fillim të meshës u tha lutja e bekimit për studentë e profesorë dhe pastaj stërpika me ujë të bekuar që u shoqërua me këngën e Shpirtit Shenjt, që këndohej nga kori i studentëve të udhëhequr nga Don Shtjefën Dodes.

 

Lutja e bekimit

O Atë  i dritës,

bëjë këta studentë dhe pedagogë,

dishepuj të asaj urtie që për libër, katedër dhe mësues e kanë 

Krishtin,  Birin Tënd:

Ndihmoj dhe ruaj gjithë anëtarët e bashkësisë edukative

që gjeneratat e reja të mund të përparojnë në shkollë e në jetë;

Ndihmoju që të sjellin kontribut të vlefshëm

në promovimin e drejtësisë në shoqëri,

dhe për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë, 

e cila do t’i jep lavd emrit tënd.

Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen. 

 

Imzot Dodë Gjergji gjatë homelisë.

 

Në predikimin e tij, ipeshkvi Doda, shprehi gëzimin e këtij kremtimi të përbashkët dhe i përgëzojë të gjithë studentët dhe pedagogët që këtë fillim të ri shkollor kanë vendosur ta nisin me lutje në këtë Shenjtërore të Shën Nënë Terezës. Gjatë homelisë së tij ipeshkvi i shqyrtoi edhe rrjedhat shoqërore të kohëve të fundit duke i parë ato nga këndvështrimi teologjik dhe kishtar. I ftoi studentët që të bëhen qytetarë aktiv në shoqërinë tonë në mënyrë që ta dëshmojnë fenë e krishterë me bindje dhe sinqeritet aty ku ndodhen. Shoqëria jonë kosovare ka nevojë për të mbushur boshllëkun me kuptimin e Lajmit të mirë të Jezu Krishtit, duke i qitur në dritë të vërtetat sa të hidhura aq edhe të lavdishme të popullit tonë shqiptar. Predikimin e plotë mund ta lexoni në këtë link:  http://www.drita.info/2017/10/06/imzot-dode-gjergji-studenteve-behuni-punetore-te-vyer-te-te-vertetes/.

Në fund të meshës u lexua bashkërisht lutja e studentit drejtuar Shën Tomë Akuinit, pajtorit të studentëve, e cila ishte shpërndarë për të gjithë të pranishmit.

 

Lutja e studentit  (nga Tomë Akuini, pajtori i studentëve)

Eja, o Shpirt Shenjt, Krijues Hyjnor,

Burim i vërtetë drite dhe burim urtësie.

Ndikoje shkëlqimin tënd mbi intelektin tim të dendur,

Largoje errësirën që e mbulon mëkati dhe injoranca.

Ma jep një mendje të mprehtë për të kuptuar,

një kujtesë të mirë, një mënyrë dhe lehtësi në nxënie,

qartësinë për të kuptuar dhe hire të bollshme të të shprehurit të vetvetes.

Udhëhiqe fillimin e punës sime, drejtoje përparimin e saj

dhe çoje në përfundim të suksesshëm.

Këtë po ta kërkoj nëpër Jezu Krishtin, Zot dhe njeri i vërtetë,

i cili jeton e mbretëron me Ty dhe me Atin, në shekujt të shekujve. Amen.

 

Pas meshe u shtrua edhe një koktej rasti për të përshëndetur ngrohtësisht edhe studentët e rinj. Vijoi edhe takimi me një grup studentësh në sallën e rezidencës ipeshkvore për të shpalosur dhe shikuar së bashku disa pika kryesore se çka na pret në këtë vit të ri akademik lidhur me aktivitetet e pastoralit studentor.

Takim në sallë i një grupi të studentëve për të diskutuar për agjendën vjetore të Pastoralit Studentor

 

Pastorali studentor i Kishës sonë në Kosovë dëshiron t`u ofrojë mundësi të gjithë studentëve katolikë, që përveç studimit dhe përgatitjes intelektuale e kulturore, të rrisin edhe përmasën e kulturës shpirtërore, që të përjetojnë diçka më ndryshe – diçka të re, interesante dhe ndoshta edhe diçka të njohur, ku ata do të mund ta ndienin veten si në shtëpi. Këtu bëjnë pjesë meshët e shenjta, takimet ku bashkëbisedohet për tema të ndryshme, festimet e ndonjë evenimenti të veçantë, ekskursionet dhe shumë gjëra të tjera. Famullitari i Prishtinës Don Fatmiri, i cili është përgjegjës për pastoralin studentor në Ipeshkvi, ua bëri me dije të pranishmëve mundësinë që kjo veprimtari e Kishës ua ofron që ta ushqejnë veten shpirtërisht, diçka që nuk mund t`ua japin lëndët shkencore apo fakultetet. Këtu në kishë dhe rezidencën ipeshkvore në Prishtinë bashkohen studentë me degë të ndryshme studimore, profesionale, të cilët nëpërmjet besimit të përbashkët dhe bashkëpunimit ndërmjet veti bëjnë aktivitete të ndryshme.

Ai shpalosi edhe disa risi për këtë vit për sa u përket ofertave ma karakter të përkujdesjes baritore. Përveç takimi të përmuajshëm mbi kulturën e mirësjelljes dhe protokollit, do të organizohet grupi biblik i përmuajshëm, i cili do të bashkon edhe të rijnë e besimtarë të Prishtinës, ku do të jepet mundësia e njohjes më të mirë të Biblës, Fjalës së Zotit. Ajo është një ndihmë e madhe edhe në formimin dhe pjekurinë shpirtërore, fetare. Në takimet që do të caktohen do të angazhohen meshtarë të ndryshëm që janë të gatshëm të bashkëndajnë përvojat e tyre biblike me studentë.

Përveç asaj të zakonshmes, do të thotë, që çdo të martë në mbrëmje do të ketë meshë të shenjtë, që i dedikohet në mënyrë të veçantë studentëve, këtë viti është e paraparë që në kohët e forta të shenjta, d.m.th. gjatë kohës së Ardhjes dhe Kreshmës studentët do të kenë mundësinë për tërheqje apo përtëritje shpirtërore. Është kjo një rrugë dy ditore ku i ofrohet studentëve një hapësirë për të reflektuar, medituar, për t`u rritur në jetën shpirtërore – për të ardhur më afër Zotit dhe vetvetes. Kjo do të të ndihmojë që studentëve më vonë ta gjejnë paqen e shpirtit dhe të nxjerrin freski shpirtërore midis ditëve të zakonshme, të përditshme studentore.

Edhe gjatë këtij viti, studentë vullnetarë do të jenë në gjendje të udhëheqin kurse të gjuhëve të huaja për të interesuarit, në bashkëpunim me meshtarët dhe motrat të angazhuara në pastoralin studentor.

Në agjendë janë paraparë gjithashtu edhe ekskursionet kulturore dhe shpirtërore në vende të ndryshme dhe aktivitete sportive në Sallën e Qendrës Don Bosko.

Gjatë bisedimit për agjendën e Patoralit Studentor

 

Don Fatmiri e prezantoi para të pranishmëve edhe meshtarin e ardhur në dioqezën e Kosovës, Don Shtjefën Dodes, që është emëruar përgjegjës për famullinë e Peshterit, por që do të angazhohet edhe në baritoren e famullisë së Prishtinës dhe në pastoralin studentor. Ai do të kujdeset për shkollën katekistike dioqezane, për katekizimin e nxënësve dhe në mirëmbajtjen e portalit dhe revistës “Drita”.  Dëshira e famullitarit është që të forcohet edhe më shumë kori i famullisë, respektivisht ai i studentëve, dhe këtu Don Shtjefni do të mund të japë një ndihmesë të madhe në këtë drejtim.

Studentëve të pranishëm u dha rasti të japin mendimet dhe propozimet e tyre. Disa prej tyre shprehën gatishmërinë të inkuadrohen më shumë në çështjet e masmediave, aktivitetet vullnetare dhe punën në lami të ndryshme kërkimore. Propozuan edhe që të ftohen personalitete të njohura për të trajtuar çështje aktuale shoqërore, por edhe fetare në takimet me studentë. Propozimet dhe premtimet u dukën mjaft reale, të nevojshme dhe të realizueshme!

Nga përgjegjësi për pastoralin studentor u bë e ditur që për kohën e Ardhjes na presin befasi të ndryshme. Qëllimi është për të krijuar një atmosferë sa më të mirë për kremtimin e festave të Krishtlindjes, por kësaj radhe nuk po i zbulojmë të gjitha – vetëm që po e ngacmojmë imagjinatën e lexuesve tanë të dashur.

Teksti dhe fotot: Pastorali Studentor i Ipeshkvisë së Kosovës

Shpërndaje

Comments are closed.

« »