Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet atij populli që i prodhon frytet e saja

Oct 7 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XXVII gjatë vitit A

 

Leximi i parë   Is 5, 1-7

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Do t’ia këndoj të dashurit tim këngën e mikut tim mbi vreshtin e tij. Miku im kishte vreshtin në një kodër të plleshme. E rrëmihi, ia qëroi gurët, e mbëltoi me hardhi të zgjedhura, në midis të tij e ndërtoi kullën, në të punoi edhe shtrydhësin. Priste se do t’i bënte rrush, por ai i bëri vetëm larushk.  Tash, banorë të Jerusalemit e ju burrat e Judesë, ndajeni këtë pleqëri mes meje e vreshtit tim. Ç’u desh tjetër të bëja për vreshtin tim e që s’e paskam bërë? Shpresoja se do të më jepte rrush, përse më dha vetëm larushk? Juve tash po ju dëftoj ç’do t’i bëj unë vreshtit tim: do ta shthur gardhin e tij, që ta shkretojnë e ta bëjnë djerrinë do t’i rrëzoj ledhet e tij që ta shkelin mirë e mirë. Le të bëhet krejt i shkretë mos të kihet as mos të mihet, le ta mbulojnë halluga e ferra; reve do t’u urdhëroj një pikë shi mbi të të mos lëshojnë.  Vreshti i Zotit të Ushtrive është shtëpia e Izraelit, fidanët e zgjedhur të tij janë banorët e Judesë. Prita të ushtrojnë virtytet, kur qe, vetëm paudhësi; drejtësinë prita, ja ofshamet! Fjala e Zotit.

 

Psalmi   80

Ref: Vreshti i Zotit është populli i tij

——————————————–
Vreshtin nga Egjipti e nxore
e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove;
pinjollët e tij arritën deri në det,
shermendet i qiti deri në lumë.
——————————————–
Gardhin pse ia theve
që ta vjelë çdo kalimtar?
E dëmtoi derri i egër,
e kulloti çdo egërsirë.
——————————————–
Kthehu, Hyji i ushtrive,
shikoje nga qielli e shihe,
eja, shihe këtë vresht,
dili zot se ti vetë e mbolle:
djalit që për vete e rrite.
——————————————–
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:
na përtërij e do ta thërrasim emrin tënd.
O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij,
kthjelle fytyrën tënde e na shpëto!
——————————————–

 

Leximi i dytë   Fil 4, 6-9

Lexim prej Letrës së Palit drejtuar Filipianëve

Vëllezër, për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka – me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim – paraqitni Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus.  Së fundi, o vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt. Çka keni mësuar, çka keni marrë, çka keni dëgjuar dhe parë në mua, atë bëni; dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju. Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Unë jam hardhia, ju jeni shermendet.
Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt.

Aleluja

 

Ungjilli   Mt 21, 33-43

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha kryepriftërinjve, kryetarëve dhe pleqve të popullit: “Dëgjoni shëmbëlltyrën tjetër: Ishte një zotshtëpie që kishte mbjellë një vresht. E thuri me gardh, punoi shtrydhësin e rrushit, ndërtoi kullën, ua dha vreshtarëve ta punojnë për gjysmë dhe shkoi në vend të huaj.  Kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin që i takonte. Vreshtarët i kapën shërbëtorët: njërin e rrahën, një tjetër e mbytën e një tjetër e vranë me gurë. Prapë dërgoi shërbëtorë tjerë, më shumë se të parët, porse edhe atyre ua bënë ashtu.  Në fund dërgoi të birin duke menduar: ‘Do të kenë nderim ndaj djalit tim!’ Porse vreshtarët, kur e panë djalin i thanë njëri-tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe neve do të na mbesë pasuria e tij.’ E kapën, e qitën jashtë vreshtit dhe e vranë. Tashti, kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?” I përgjigjën: “Të këqijtë do t’i zhbijë keqas e vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve tjerë, të cilët do t’i japin frytin posa të vijë koha e të vjelave.” Jezusi u tha: “A nuk e lexuat asnjë herë në Shkrimin shenjt: ‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit; kjo është vepër e Zotit, se ç’mrekulli në sytë tanë!’ Prandaj po ju them: juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saja. Fjala e Zotit

 

POROSIA

Në historinë e njerëzimit njeriu mendon se është zot i jetës së tjetrit dhe i shpëtimit, por pikërisht për këtë do të privohet nga dhuratat e marra, sepse askush nuk zotëron fuqinë për të qenë zot i tjetrit.

“Ishte një zot shtëpie që kishte mbjellë një vresht”. Jezusi fton përgjegjësit e Izraelit, të cilët duan ta vrasin, që ata të kthehen. Nën imazhin e vreshtit, kujton disa nga fazat e historisë së dashurisë besnike të Hyjit për popullin e vet.

“Kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin”. Hyji me një dashuri të palodhshme ka mbushur me të mira Izraelin. Zoti kishte të drejtë për përgjigjen e dashurisë nga ana e popullit të vet. Më kot Hyji ka dërguar në mënyrë të përsëritur profetët e tij, për t’i kujtuar popullit të vet detyrat e Besëlidhjes. Profetët janë refuzuar, keqtrajtuar, vrarë.

“Në fund dërgoi të birin”. Në historinë e pabesnikërisë së njeriut ndaj Hyjit shfaqet një dashuri e pakushtëzuar nga ana e Hyjit. Ndodh që Biri i Hyjit refuzohet, vritet. Tani do të ndodhë fitorja e dyfishtë e Hyjit. E para i takon Jezusit, ai që është gjykuar si një gur që duhet hedhur, Hyji e ka ringjallur dhe e ka bërë Zot e burim jete. Fitorja e dytë i përket bashkësisë së besimtarëve, që do të jetë populli i krishterë që do të prodhojë fryte. Është e nevojshme të zbulojmë Krishtin si guri i këndit të Kishës, në të cilën jemi thirrur të prodhojmë fryte jete ungjillore.

 

Lutja e besimtarëve

M. Vëllezër dhe motra, jemi të bashkuar në Krishtin si shermendi në hardhi. T’ia paraqesim Atit lutjet tona, të sigurt se Ai na dëgjon. Të  lutemi së bashku.

 

Ardhtë mbretëria jote, o Zot.

 

L. Për Kishën: që ta ndjejë se është vreshti i dashur i Zotit, që prodhon fryte bamirësie, drejtësie dhe paqeje. Të lutemi

L. Për barinjtë e Kishës: që të jenë profetë dhe udhëheqës të përgjegjshëm për t’i udhëhequr njerëzit drejt Hyjit Atë. Të lutemi.

L.  Për vëllezërit tanë të sëmurë: që besimi në Hyjin t’i ngushëllojë dhe të na japë të gjithë neve një bashkëndarje të sinqertë të vuajtjes së tyre dhe të shpresës së tyre për një rikthim në jetën normale. Të lutemi.

L. Për të gjithë besimtarët në Krishtin: që të ndihen personalisht të thirrur për të bërë pjesë në vreshtin e Zotit dhe të marrim mbi vete detyrat. Të lutemi.

L. Për bashkësinë tonë: që të jetojë me intensitet nën shikimin e Hyjit dhe të kultivojë në çdo situatë virtytet njerëzore. Të lutemi.

M. Pranoji, o Atë i mirë, lutjet që Kisha, vreshti yt, po t’i drejton. Vendos në zemrat tona shpirtin Tënd, në mënyrë që fjala që na ke dhuruar të ngulë rrënjë të thella në jetën tonë dhe të japë gjithmonë fryte mirësie, dashurie dhe paqeje. Nëpër Krishtin Zotin tonë.   Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »