Të hënën kremtohet festa e Shën Abrahamit në Kishën e Llapushnikut

Oct 7 • Kisha në Kosovë

Të hënën, më 9 tetor 2017, kremtohet festa e Shën Abrahamit, pajtori i Kishës së Llapushnikut.

Mesha solemne do të kremtohet në ora 11:00, të cilës do t’i prijë monsinjor Lush Gjergji, vikar i përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës.

Kjo është festa e parë pas ngjarjes së madhe historike të shugurimit të kësaj Kishe, që u bë në tetorin e vitit të kaluar. Pikërisht, në njëvjetorin e shugurimit të saj dhe në festën e pajtorit saj, Shën Abrahamit, do të shpallet zyrtarisht Famulli e re, që nënkupton se do të ngritët në rangun e famullive tjera të Kosovës. Me këtë akt, rajoni i Drenasit do ta ketë juridikisht famullinë e vet.

Me themelimin e famullisë së Llapushnikut, Kisha Katolike në Kosovë do t’i ketë gjithsejtë 25 famulli. Kurse sa i përketë përkatësisë së zonës baritore, Famullia e Llapushnikut do të bëjë pjesë në Dekanatin e Prishtinës.

 

Çka është Famullia?

Famullia është institucion themelor në strukturën baritore të Kishës vendore apo të Ipeshkvisë.

Famullia është një bashkësi e caktuar e besimtarëve, e ndërtuar në mënyrë të qëndrueshme, brenda një kishe lokale, përkujdesja imediate e se cilës ju është besuar famullitarit si bari i tyre, nën autoritetin e ipeshkvit.

Përveç karakterit të qëndrueshmërisë (stabilitetit), që ndër tjera është karakter i përbashkët i të gjitha zyrave kishtare (kan. 145 §1), famullia paraqet edhe një element tjetër të dyfishtë: elementin personal dhe institucional. Me elementin personal nënkuptojmë bashkësinë e besimtarëve, ndërsa me elementin institucional bariun e bashkësisë.

Territori është një element integrues, i nevojshëm në shumicën e rasteve por jo edhe esencial, me qenë se për nevoja të veçanta baritore famullia mund të ketë vetëm karakterin personal (kan. 518). Sikurse edhe Ipeshkvia, pak a shumë, edhe famullia është një bashkësi. Famullia është para së gjithash një pjesë e popullit të Hyjit, një artikulim i tij apo me thjesht, sikurse konsideron edhe vet kan. 515, §1 është një bashkësi e besimtarëve…

Brenda për brenda famullisë bënë pjesë edhe kisha, ose se paku një vend i shenjt, ku bashkësia mundet të mblidhet dhe të kryej kultin publik ndaj Zotit e në veçanti të kremtoj Liturgjinë Eukaristike.  Sipas kan. 374, §1, Famullia është një strukturë e detyrueshme.

Famullia është një strukturë baritore e Ipeshkvisë. Për këtë arsye i takon ipeshkvit të kujdeset për themelimin e famullive, të modifikimit të kufijve të tyre dhe në raste të veçanta të shfuqizimit të tyre. Në rast të themelimit, shfuqizimit apo të modifikimit të dukshëm ipeshkvi duhet me parë të dëgjojë këshillin e meshtarëve.

Shën Abrahami, patriarku i fesë e pajtori i Famullisë së Llapushnikut, na priftë rrugës të së vërtetës e na forcoftë në fe./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »