Mons. Lush Gjergji: Me fenë e Abrahamit po i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës!

Oct 10 • Këndvështrime

Të dashur vëllezër dhe motra,

Sot, në pajtorin, mbrojtësin, ndërmjetësuesin para Zoti, të kësaj Famullie të re, Shën Abrahamin, do të prekim disa tema për të prekur ndërgjegjen, shpirtin dhe zemrën tonë. Për t’u frymëzuar që mos të jetojmë sido, mos të jetojmë për çkado, por të jemi njerëz të frymëzuar nga feja dhe dashuria, siç ishte Shën Abrahami.

Ky njeri i madh i Zotit, i zgjedhur në mesin e popullit, pati një kërkesë, e cila dukej e pakuptimtë, e paarsyeshme, e pamundshme; kur Zoti i thotë dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate, prej shtëpisë tënde dhe shko në një drejtim që unë do ta tregojë. Një njeri i arsyeshëm siç ishte Shën Abrahami, ka mund të kishte shumë pyetje, shumë dyshime, shumë frikëra. Si mund të dal prej vendit tim, ta lë shtëpinë time, t’i la vëllezërit e mi, të lë vendlindjen time e të shkoj diku as vet s’e di e nuk kam askënd.

Njerëzit mbështeten në njerëz, në dashamirë, në ata që do t’i japin një përkrahje. Zoti kërkon prej Abrahamit krejt diçka tjetër. Zoti e kërkon fenë. Feja nuk është kalkulim, nuk është kuptim, feja është jetë me Zotin dhe me të afërmin, kur e pamundshmja bëhet e mundshme dhe kur Zoti e dëfton fuqinë dhe dashurinë e vet.

Abrahami pati fuqi ta le shtëpinë e vet, vëllazërinë e tij, vendlindjen e tij e të niset. Nuk dinte as pse as si, as ku as kur, por e kishte një siguri, çka Zoti kërkon atë edhe e plotëson. Prandaj siguria e Abrahamit në këtë dalje, në këtë ecje, në këtë aventurë, ta quajmë kështu, ishte mbështetja e sigurt, mbështetja e gjallë, shpresëdhënëse dhe dëshmidhënëse: po nisem, o Zot, me ty dhe për ty. Zoti i dha edhe një premtim: prej teje do të bëjë një popull të madh e ti do të jesh baba i shumë popujve. Baba i atij që do të besojnë në një Zot të vërtetë, të gjallë, veprues,  jetëdhënës dhe shpëtimtar.

Pas kërkesës, vjen premtimi. Dhe Abrahami mbeti besnik edhe në premtim. E pranoj prej dorës së Zotit atë që i ishte premtuar. Besoi.

Hapi i tretë me Abrahamin, me Zotin dhe për Zotin, ishte zbatimi apo shpërblimi. Zoti e shpërblej dhe i tha do t’i bekojë ata që do të bekojnë e do t’i mallkoj ata që do të mallkojnë ty. Në ty do të bekohen të gjitha fiset e botës. Abrahami u bë bekim. Abrahami u bë urim. Abrahami u bë shpërblim, sepse Zoti e pa se ky njeri mbështetet vetëm në të, në askënd dhe asgjë tjetër.

Vëllezër dhe motra, po nisem prej vetvetes: ta pyesim ne vetveten, ta pyesim ne ndërgjegjen, shpirtin tonë, ta pyesim ne sot fenë tonë, e unë ku jam? A jam i gatshëm ta dëgjoj fjalën dhe porosinë e Zotit? Ajo fjalë, porosi a më lëviz sot mua?

Zoti nuk kërkon që sot të dalim prej shtëpie,  prej vendlindjes, por kërkon që të dalim prej robërisë, prej të keqit, prej djallit, prej veseve, ta tejkalojmë vetveten. Si mund ta bëjmë ne këtë gjë? Jo me fuqitë tona, mos u rreni e mos u mashtroni, sepse nuk mjafton vullneti i mirë, nuk mjaftojnë vendimet dhe qëndrimet tona sot. Sa herë ne jemi rrëfyer dhe kemi premtuar, me ndihmën tënde, nuk do të fyej më kurrë. Megjithatë, mbesim aty ku jemi, e ndoshta ndonjëherë, në vend që të përparojmë, zmbrapsemi. Pse?

Vëllezër e motra, të kërkojmë ndërmjetësimin e Shën Abrahamit, që Zoti të na jep një fe të gjallë, siç e kishte ai, një shpresë të ngultë siç e kishte ai, një dashuri të madhe me të cilën rrezikoi çdo gjë dhe fitoj çdo gjë. I madhi Zot, nuk kërkon që ne të jemi skllavët e tij, të nënshtruari e tij, të zbatojmë ligjet dhe urdhërimet e tija, por të ofron dhe mundëson. Zoti  respekton njeriun dhe lirinë e tij, sepse e ka krijuar të tillë.

Të vendosim edhe ne, me ndihmën dhe hirin e tij, po dua, jo vetëm ta dëgjoj Zotin, por dua të jetoj me Zotin, dua që me të ta realizoj jetën time.

Sfida tjetër, shumë e madhe dhe e rëndësishme, Abrahami ishte i kënaqur, i lumtur, e gjeti një botë të re, çdo gjë ishte mirë, por e brente një hall shumë i madhe; nuk kishte fëmijë. Ai mendonte, tashmë pleqëria e tij po shkon kah fundi, gjithë atë pasuri, gjithë ato të mira që Zoti ia kishte dhënë, ndonjëherë ka mund ta pyet vetveten, çka më duhet krejt këto, pasi nuk kam fëmijë, pasardhës, kujt t’ia lë. Dhe ja ndërhyrja e Zoti, rishtas, në jetën e tij. Zoti ia premton një bir – Izakun – i cili do të jetë zanafilla e një populli, i popullit të Zotit. Kjo ndodhi, edhe pse ai dhe gruaja e tij ishin në moshën e shtyrë dhe natyralisht ishte e pamundur të vije deri te lindja e fëmijës.   

Të pamundshmen, Zoti e bën të mundshme. Mos ta harrojmë këtë gjë. Mos të mbështetemi në logjikën, arsyen dhe trurin tonë. Zoti është më i fortë se truri, se arsye, se gjitha kufizimit që i ka njeriu, natyra, njerëzimi. Beso dhe atëherë do të përjetosh praninë dhe dashurinë e Zotit. Pas atij gëzimit aq të madh, që në pleqëri të kenë një bir, ndodhi një tragjedi e vërtetë, në aspektin njerëzor. Zoti kërkon diçka që Abrahamit s’ka mund t’i bie në mend kurrë: ma flijo birin tënd Izakun! Unë besoj se sfidë dhe dramë më të madhe nuk ka pasur, jo vetëm njeriu, por ndoshta edhe njerëzimi. Megjithatë, Abrahami vazhdoi të besojë. Plotëson rend e përfill çka Zoti kërkon.  E merr birin e tij Izakun dhe nisen drejt malit për ta flijuar. Kur Abrahami është i gatshëm ta flijon  Izakun, ndërhyn Zoti përmes engjëllit e i thotë, mos e prek djalin, sepse tash po e shoh se më shumë më do mua se birin tënd të dëshirit, dhe në vend të djalit flijohet qengji.

Kjo është mrekullia e Zotit, ky është kujdesi dhe dashuria e tij. Vëllezër e motra, mos të frikësohemi prej flijimit dhe dhurimit, sepse ajo është gjithmonë frytdhënës. Zoti kërkon pak, por të jep shumë, gjithçka. Ne strukemi, llogarisim, nuk rrezikojmë për asgjë. Ta marrim Shën Nënë Terezën, këtë bijë, këtë nënë, këtë motër, këtë shenjte të mrekullueshme. Zoti ja dha jetën, ajo ridha jetën Zotit tek të varfrit ndër më të varfër, të gërbulurve, të atyre që nuk kishin fuqi më as të qanin. Në një poezi, Nënë Tereza thotë, o Zot, unë po kujdesem për ata që nuk qajnë më se nuk kanë lot, që nuk bërtasin më se nuk kanë zë, që janë përtokë të shkelur prej indiferentizmit dhe egoizmit tonë. O Zot, unë në ta po të njoh e po të dua Ty.

Ti marrim martirët tanë, 38, që i shpalli të lumë Papa Françesku. Mos të harrojmë martirët e lasht, prej Shën Flori e Shën Laurit, e shumë e shumë martirëve të lashtë prej kohërave apostolike e deri në ditët tona.

Populli ynë ka pasur dhe ka shumë sfida, shumë vuajtje, shumë udhëkryqe në të cilat duhet të përcaktohet dhe të orientohet. Ta thërrasim ndihmën e Zotit, që ta ndriçojë mendjen, që ta forcojë zemrën, që ta kemi guximin, siç e patën guximin vëllezërit e motrat këtu në Llapushnik  për të qenë pishtar në këtë kodër dhe në këtë mal të Zotit, dhe për t’i thënë Jezu Krishtit, Shëlbuesit tonë po, ti linde, ti u rrite, ti vuajte, ti vdiqe, ti u varrose, ti u ringjalle për mua, për ne dhe shëlbimin tonë.  Edhe ne dëshirojmë të vdesim për vetvete, për veset tona, për mëkatet tona, për të jetuar, o Zot, për ty dhe me ty, dhe për të arritur një ditë shëlbimin e amshuar.

Mos të harrojmë: Zoti kërkon, Zoti premton, Zoti shpërblen. Çka kërkon Zoti është e mira jonë, edhe pse mendja dhe truri shpeshherë nuk e kuptojnë, edhe pse zemra shpeshherë mbyllet dhe nuk e pranon. Çka premton Zoti, atë edhe e zbaton. Dhe shpërblimi i Zotit në këtë jetë dhe në këtë botë është që të jetojmë të qetë, të lumtur, me ndërgjegje dhe fytyrë të pastër, që të jemi me njëri-tjetrin vëlla dhe motër, që ta krijojmë atë që Shën Terezja e jonë e quan kultura e jetës. Ta duam jetën prej zanafillës, prej shtatzënisë e deri në kalimin në amshim, deri në ofshamën e fundit të pleqve dhe plakave tona. Qytetërimin e dashurisë dhe kulturën e jetës, mund ta krijojmë vetëm me ndihmën e të madhit Zot, vetëm me përkrahjen e shenjtërve dhe shenjtëreshave, martirëve tanë.

Kësaj bashkësie, në krye me Don Meriton, besimtarëve që jetojnë këtu dhe gjithë të tjerëve, ju dëshiroj që ta keni fenë e Abrahamit, shpresën e ngulur në Zotin, krijuesin dhe shëlbuesin tonë. Duke ju uruar nga zemra këtë festë dhe këtë ditë të madhe, që është e dyfishtë; shpallja e famullisë së re e Shën Abahamit këtu në Llapushnik dhe festa e tij, që edhe neve të na japin zemër dhe shprit. Mos të frikësohemi prej askujt dhe prej asgjëje, sepse me ndihmën e Zotit, e pamundshmja bëhet e mundshme dhe e përditshme. Këtë e ka dëshmuar historia jonë. Ku do të ishim ne sot, populli i lashtë ilir-arbëror-shqiptar, pas gjithë baticave dhe zbaticave, pas shumë robërimeve të ndryshme, po mos të kishte qenë Zoti me ne, siç thotë Psalmisit, neve do të na tretej fara. Jemi të gjallë, jemi të falënderueshëm, jemi në fazën në të cilën mund të themi: dal nga dal po i kthehemi vetvetes dhe po i kthehemi të vërtetës, Zotit dhe dashurisë së tij.

(Homelia e Mons. Lush Gjergjit në festën e Shën Abrahamit në Llapushnik, e hënë, 9 tetor 2017. Transkriptimi dhe titulli është i redaksisë.)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »