A i fal të tjerët kur më zhgënjejnë?

Oct 11 • Meditimi i ditës

11 tetor 2017 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jon 4,1-11; Ps 86,3-6.9-10; Lk 11,1-4)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që krejt qenien time t`ia çeli pranisë sate.

Më rretho me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Vdekja jote në kryq më ka liruar.

Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë nga vdekja.

Mëshira jote nuk njeh kufi.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 11, 1-4

 

1 Një ditë Jezusi po lutej diku në një vend. Kur e kreu lutjen, i tha njëri prej nxënësve: “Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi, siç i mësoi edhe Gjoni nxënësit e vet.”

2 “Kur të luteni ‑ u tha Jezusi ‑ thoni:

O Atë!

U shenjtëroftë Emri yt!

Ardhtë Mbretëria jote!

3 Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme!

4 Na i fal mëkatet tona,

sepse edhe ne i falim fajtorët tanë.

E mos lejo të biem në tundim!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nxënësit janë të impresionuar nga fakti se Jezusi lutet, thotë uratë. Pastaj ata donin që të përfshiheshin në marrëdhënien misterioze që ai kishte me Atin. Kështu, Jezusi imëson se si duhet të bashkëbisedojnë me Hyjin. Mund të na duket se Hyji hesht, por ai na flet nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë, sidomos në fjalët dhe veprat e Jezusit. “Momenti i Shenjtë – Lutja e përditshme” këtu na ndihmon.
  • O Atë qiellor, çdo ditë varem prej teje. Me besim kërkoj bukën e përditshme për familjen e veten time. E ti e jep atë me zemërgjerësi. Gjithashtu të falënderoj që më fal mëshirshëm kur të zhgënjej. Më jep një zemër që fal kur të tjerët më zhgënjejnë.

 

Bashkëbisedimi

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »