E tashmja, e vetmja kohë që kemi

Oct 12 • Opinion

Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Të ndalurit dhe të reflektuarit mbi jetën tonë, do të na bёjё të shohim, se si pjesën më të madhe të kohës, vazhdojmë ta kalojmë duke menduar rreth së kaluarës, ose duke projektuar të ardhmen, ndёrkohё që lëmë pas dore të tashmen. Ia lejojmë vetes, që momentet e së kaluarës dhe të panjohurat e së ardhmes të dominojnë momentin e së tashmes, e cila mund të thuhet se është një moment i shenjtë, që kërkohet të vlerësohet e të shfrytëzohet çdo minutë e çdo sekondë.

Shpesh ndodh të arsyetojmë e të mashtrojmë veten tonë dhe tjetrin, duke thënë: nesër apo vitin tjetër do të jem më mirë, do të tregohem më i arsyeshëm, do të mësoj më shumë, do të jem më i rregullt, më i sinqertë, më i sjellshëm, më i dashur, më mirënjohës, më i respektueshëm, do të shpresoj, do të bëj mirë, do ta shfrytëzoj kohën… e shumë gjëra të tjera, që mund të na kalojnë nëpër mend, e kështu kalon koha, duke i lënë gjërat në duart e së nesërmes, të cilën as nuk e njohim, dhe as nuk e kemi të sigurt. Harrojmë se sot kemi mundësi t’i bëjmë të gjitha këto, tani është koha për t’i treguar vetes dhe të tjerëve, sa i arsyeshëm jam, sa i respektueshëm e sa mirënjohës jam, e sa shumë e dua familjen, të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët etj., dhe se çfarë mund të bëj për ta,  e jo duke menduar se çfarë mund të bëj nesër, apo në të ardhmen.

Nëse hapim Shkrimin e Shenjtё (Biblën), tek pjesa e ungjilli të Lukës, ku flet për takimin e Jezusit me Zakeun, aty mund të lexojmë se si Jezusi dy herë përsërit ndajfoljen SOT. “Sot do të vij të rrijë në shtëpinë tënde!”, “Sot i erdhi kësaj shtëpie Shëlbimi…”( Lk 19, 5. 9), pra, Jezusi, nuk e lё për të nesërmen, qё tё bëjë diçka për tjetrin konkretisht, Zakeun ( një Zake mund të jetë çdo person që ne takojmë, ose që ka nevojë për ne), por vepron menjëherë. E kjo kërkohet edhe nga unë, ti, ne, që të veprojmë sot, e jo të lëmë tjetrin ta takoj nesër, apo tё bëjë diçka për të nesër, por sot, tani,këtu.

Albert Camus thotë: “Bujaria e vërtet ndaj së ardhmes është dhurimi i gjithçkaje në të tashmen.”

Pra, të jetosh të tashmen, momentin, do të thotë që të përfshihesh aq shumë në atë që po ndjen, në atë që po bën, në atë që po përjeton tani, saqë asgjë tjetër nuk lejon që ta turbullojë mendjen. Kështu, duke jetuar të tashmen, pranon ndjenjat e tua pozitive e negative, pranon veten tënde në tërësi, dhe çdo gjë që ndodh, e sheh si  pjesë e përvojës  njerëzore.

Sipas shkrimeve, thuhet se Romakët e vjetër e kanë përdorur shumë shprehjen: “Shfrytëzoje ditën e sotme”. Kjo, mund të jetë një shprehje frymëzuese edhe për ne sot. E sidomos, kur kemi mundësi të bëjmë gjëra të mira. Gjithashtu edhe Tomas Karejl, na kujton se: “Detyra jonë kryesore është  që të mos shikojmë në largësinë e mjegullt të së ardhmes, por të veprojmë tash në drejtimin që e shohim.”

Po ashtu, Mateu ungjilltar na kujton dhe na këshillon që mos të shqetësohemi për të nesërmen, dhe shprehet me këto fjalë: “Mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i del mjaft pikëllimi i vet!”( Mt 6, 34) Pra, nuk ia vlen të shqetësohemi për të ardhmen, është kohë e humbur, sepse nuk e dimë se si do të jetë. Nuk e dimë, se si do zgjohemi nesër, nuk e dimë, a do na jepet mundësia dhe a do jemi mirё me shëndet etj., por ajo që mund të kemi nën kontroll (natyrisht e thёnё me shumё rezerva) apo falё sё cilёs mund të bëjmë diçka, është e tashmja, sot, tani e këtu!

Na kërkohet, të përqendrohemi në atë që ndodh tani, që të kënaqemi e ta vlerësojmë, sepse nuk ka momente më të bukura për ta jetuar jetën, se  ato në të tashmen. Mos t’ia lejojmë vetes, qё të na ndodhë e kundërta, në vend që të gëzojmë çdo moment, shqetësohemi çfarë do të ndodh nesër, gjё që nuk është në duart tona. Gjithashtu edhe në lutjen Aty ynë.., Jezusi i mëson nxënësit se si t’i drejtohen Atit: “Bukën tonë të përditshme na jep sot”. (khs. Mt 6, 11). Nuk i mëson që të luten, na jep nesër, ose na jep përgjithmonë, por na jep sot. Pra, i mëson nxënësit si të jetojnë të tashmen, të sotmen, të përditshmen, e kjo vlen edhe për ne. Mirëpo, ajo që na ndihmon të jetojmë të tashmen, është që të kemi një qëllim të qartë  në jetë. Sot, kjo ditë, kjo orë, tani është një mundësi për të jetuar mirë me gëzim, e për të bërë shumë gjëra të mira, për veten dhe tjetrin.

 

Rëndësia e të jetuarit të tashmen

Të jetohet e tashmja është shumë e rëndësishme për njeriun, edhe pse kuptohet se nuk është aq e thjeshtë, siç shprehet me fjalë apo me shkrime, por mund të themi se nuk është e pamundur. Mendimet ose arsyetimet e para,  që na vijnë në mendje për të jetuarit, janë mjaft pesimiste: Nuk është e lehtë, është  e pamundur! Vërtet, nuk është aq e thjeshtë, siç e themi por prapë, ndalem tek ajo që nuk është e pamundur, e kjo varet nga unë, ti, ne.

Mirëpo, për fat të keq unë, ti, ne, jemi  ata\ ato, që më shumë rëndësi i kushtojmë së kaluarës e të ardhmes, sesa së tashmes. Një gjë e tillë, vërehet e kuptohet qartë, në bisedat tona, nё tё cilat flasim aq shumë për të kaluarën, projektojmë të ardhmen, e pak ose as pak flasim për të sotmen.  Kjo ndodh për arsye se unë, ti, ne, nuk dimë ta vlerësojmë veten dhe momentin. Nëse na kërkohet të bëjmë një vlerësim të ditës e kemi të vështirë të flasim, të tregojmë për gjërat e bukura që kemi përjetuar, porse tentojmë të flasim si ka qenë dje dhe si do të kemi dëshirë që të  jetë nesër. E sotmja, që është e vetmja kohë që kemi, duket se mbetet bosh dhe e pa vlerësuar. Arsye kjo, që na bën të arrijmë deri tek pakënaqësia, mungesa e vullnetit, dëshpërimi, mosbesimi, etj.

Gjë që bie shumë në sy, kur dalim në qytet ose kur udhëtojmë, sepse nëse vëzhgojmë fytyrat e njerëzve, shohim se sa pak njerëz takojmë me fytyra të qeta, të lumtura, të gëzuara, të qeshura e aq më pak fytyra që reflektojnë një paqe të brendshme. Mund të lind pyetja: Pse po ndodh kjo? Po ndodh, sepse njerëzit janë të shqetësuar, janë duke menduar se çfarë do të bëjnë nesër? Çfarë do të ndodhë në të ardhmen? Si do të jenë? E shumë pyetje të tjera, që u kalojnë nëpër kokë. Harrojnë kështu të shijojnë e të vlerësojnë të sotmen, të tashmen.  Bindja ime ёshtё se, edhe për të sotmen kemi shumë gjëra të bukura për të vlerësuar e  për të thënë. Por kjo varet se sa te edukuar jemi për të jetuar e vlerësuar të tashmen, të sotmen. Ndaj, për të arritur këtë gjë, kërkohet të kemi vetëdije, vullnet, angazhim dhe qëndrueshmëri.

Gautama Buddha thotë: Mos u lidhni pas së kaluarës, mos ëndërroni të ardhmen, por përqendrohuni në të tashmen.

Të  jetuarit e së tashmes ndihmon për të përballuar çdo moment të vështirë, për të mos u prekur nga depresioni, nga pakënaqësia, nga vetëvlerësimi i ulët etj. Pra, të jetuarit të tashmen nuk është një teori, por një realitet i individëve që dinë t’i vlerësojnë lumturinë, gëzimin, kënaqësinë e mbi të gjitha, dinë ta vlerësojnë veten, për atë që janë. Kështu, nëse përqendrohemi në të tashmen, do t’i japim mundësi vetes, të jetojmë më të lumtur, më të qetë, më të gëzuar më në paqe, kështu, depresioni nuk do të gjejë vend.

Njerëzit, të cilët vuajnë nga depresioni, janë ata që jetojnë në të kaluarën, në një kohë që nuk ekziston më, shohin vetëm gjërat negative, mos arritjet, çfarë u ka ndodhur, çfarë i ka lënduar, e kjo i bën të ndjehen keq. E gjitha kjo do të thotë se janë ata që nuk kanë arritur akoma ta pranojnë dhe të bëjnë paqe me të kaluarën. Duke u sjellë  kështu, për ta, bëhet e vështirë, aq sa nuk arrijnë t’ia lejojnë vetes, të përqendrohen në të tashmen.

Por nëse njeriu mësohet të përqendrohet në atë që bën, në atë që ndjen, pra në të tashmen,e ka shumë më të lehtë, të tejkalojë çfarëdo lloj situate, sado e vështirë që mund të jetë.

Pra, të jetuarit të tashmen është e lidhur ngushtë me vetëmotivimin e përditshëm, dhe të vlerësuarit e çdo ditë si një dhuratë dhe mundësi. John Wooden, shkruan: “Bëje çdo ditë të jetës tënde një kryevepër.” Kështu, kërkohet që ta kemi gadishmërinё, për të bërë gjëra të vogla çdo ditë, sot dhe tani.  Kurse Shën. Nënë Tereza, na këshillon qё të bëjmë çdo ditë gjëra të vogla, porse t’i bëjmë ato, me dashuri të madhe: “E djeshmja është një histori,e nesërmja është një mister, por e sotmja, është një dhuratë për këtë ajo quhet e tashme.”

 

Si mund të jetohet e tashmja?

Të jetuarit të tashmen, nuk do të thotë që të harrojmë të kaluarën e ta nënvlerësojmë të ardhmen, por duke qenë realistë përballë së kaluarës, e duke bërë paqe me të, duke pranuar kështu, po me realitet, të tashmen, e duke mos e idealizuar të ardhmen, të cilën nuk e dimë se si do të jetë, mund të arrijmë ta jetojmë, të tashmen. Pra, mund të jetohet duke vlerësuar e çmuar çdo gjë që përjetojmë, që nga gjërat e vogla e çdo gjë që bëjmë, e çdo gjë që ndjejmë. P.sh, nëse lutemi, ushqehemi, pimë kafe, shëtisim, luajmë, komunikojmë, dëgjojmë muzikë, pastrojmë… pra çdo gjëje që bëjmë, t’i japim vlerën dhe vendin e duhur, pasi vetëm duke u sjellë kështu, mund të përgatitemi edhe për një të ardhme mё të mirë e më të qetë. E jo, sikur ndodh rëndom, të bëhen disa veprime njëkohësisht e atëherë asnjëra prej tyre nuk shijohet e vlerësohet siç duhet.

William Osler thotë: Mënyra më e mirë për t’u përgatitur për të nesërmen është që të përqendrohemi me gjithë entuziazmin në punën e sotme, duke e bërë shkëlqyeshëm atë. Kjo është rruga më e mirë për t’u përgatitur për të ardhmen.

Kushedi sa herë harxhojmë energji fizike, shpirtërore e psikike, duke u marrë me të kaluarën, që jo vetëm nuk mund ta ndryshojmë, por as edhe gjënë më të vogël të saj. Ekart Toll në librin, Fuqia e së Tashmes, thotë: Ti nuk mund të jesh në trupin tënd pa qenë i pranishëm në momentin e tanishëm. I vetmi moment ku mund të përjetosh rrjedhën e jetës, është e tashmja. Humbja e së tashmes është thelbi i zhgënjimit. Humbja e së tashmes është humbja e të qenit.

Pra, e tashmja është momenti i vetëm ku mund t’i realizojmë dëshirat tona, t’i plotësojmë nevojat tona dhe të shfrytëzojmë talentet dhe mundësit tona.

Njerëzit, të cilët praktikojnë të jetojnë të tashmen e shfaqin atë përball vetes së tyre dhe përballë atyre që jetojnë dhe punojnë me ta. E kjo dallohet nga qetësia, paqja e brendshme, duresa, mirësjellja, mirënjohja që reflektojnë përball secilit dhe çdo gjëje. Janë ata që nuk gjykojnë apo paragjykojnë me shpejtësi, mendojnë para se tё flasin. Para se të reagojnë, i shijojnë momentet, gjërat, ushqimet, dinë të përqendrohen në atë që bëjnë e në atë që thonë. Nuk bëjnë disa veprime në të njëjtën kohë. Nuk janë të mërzitshëm. Shfaqin një lloj qetësie dhe sigurie, si në të folur, si në të ecur, si në qëndrim, si në punë, si edhe përballë çfarëdo lloj situate që ua ofron jeta.

Nё mbyllje, tingëllon me vend thënia e Shën Nënë Tereza, e cila thotë: E djeshmja ka shkuar, e nesërmja nuk ka ardhur. Në kemi vetëm të sotmen, prandaj të ja fillojmë.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »