Themelohet famullia e re e Shën Abrahamit në Llapushnik

Oct 12 • Kisha në Kosovë

Në njëvjetorin e shugurimit të Kishës së Llapushnikut dhe në festën e Shën Abrahamit, pajtorit të kësaj kishe, më 9 tetor 2017, me dekretin nr. prot. 268/2017, Llapushniku shpallet famulli e re.

Me këtë akt Kisha e Llapushnikut ngritët në rangun e famullive tjera të Kosovës, me të drejta dhe detyra të barabarta. Ky dekret shënon një epokë të re historike për Kishën Katolike në Kosovë dhe për rajonin e Drenasit, pasi edhe juridikisht ky rajon i lashtë bëhet me famullinë e vet.

Mons. Lush Gjergji, vikari i përgjithshëm, i cili i priu meshës së festës, në fillim të meshës e lexoj dekretin e lëshuar nga Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi ynë, dhe Don Shan Zefi, kancelar, ky thuhet se “prudentia pastoralis” na shtynë që Llapushniku të ngritet në nivel të famullisë, si një mision i veçantë në rajonin e Drenasit, ku ruhen akoma gjurmët e krishterimit. Duke e pasur parasysh këtë dhe mendimin pozitiv të Kolegjit të Konsultorëve, me këtë dekret themelohet Famullia e Llapushnikut (can. 374 §1). Dekreti do të hyjë në fuqi në fillimin e kohës së Ardhjes (2017). E lusim Shën Abrahamin, pajtorin e kësaj kishe, që të ndërmjetësojë dhe ta bekojë këtë famulli të re – thuhet ndër të tjera në dekret.

Me themelimin e famullisë së Llapushnikut, Kisha Katolike në Kosovë do t’i ketë gjithsejtë 25 famulli. Kurse sa i përket përkatësisë së zonës baritore, Famullia e Llapushnikut do të bëjë pjesë në Dekanatin e Prishtinës.

Mesha e shenjtë në festën e Shën Abrahamit, në njëvjetorin e shugurimit të Kishës.

Në këtë festë të dyfishtë në Llapushnik, mesha solemne, u kremtua në ora 11:00, të cilës i priu monsinjor Lush Gjergji, vikar i përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës, në bashkëmeshim me meshtarët nga Kosova dhe mysafirë nga Zvicra dhe Gjermania, bamirës të kësaj kishe, në praninë e shumë besimtarëve nga famulli tjera të Kishës sonë dhe njerëz vullnetmirë të pjesëve të ndryshme të vendit.

Mons. Lush Gjergji, në homelinë e rastit shtjelloj rëndësinë e madhe Shën Abrahamit, pajtorit të kësaj kishe dhe shembullin e një feje të pathyer të tij, që është shtysë dhe nxitje për çdonjërin prej nesh edhe në ditët e sotme. Ai gjithashtu u ndal edhe në rëndësinë e kësaj kishe, realitet i cili ka bërë hapa të ri në ravijëzimin e fesë dhe të të vërtetës. Homelia e plotë mund të gjendet në linkun e revistës sonë: http://www.drita.info/2017/10/10/mons-lush-gjergji-me-fene-e-abrahamit-po-i-kthehemi-vetvetes-dhe-te-vertetes/.

Në mbarimin e meshës mori fjalën Don Marjan Ukaj, i cili ishte përgjegjës për ndërtimin e kishës në Llapushnik dhe shërbimin e kësaj bashkësie deri vitin e kaluar (mbi 10 vjet), tregoi historikun ndërtimit, arsyen pse kjo kishë ka zgjedh të ketë për pajtor patriarkun tonë në fe, Shën Abrahamin. Ai falënderoj Imzot Dodë Gjergjin, i cili i kishte besuar dhe mbështetur ta krijonte këtë realitet të ri, që për të është një ndër kishat më të bukura dhe më emocionuese që ka ndërtuar deri më tash. Me këtë rast ai i falënderoj bamirësit që e kanë ndihmuar në ndërtimin e saj. Atë ditë, të pranishëm ishin mysafirët nga Zvicra dhe Gjermania, miq dhe bamirës të Llapushnikut, të cilët kishin sjellë edhe dy trupore të bukura – Zojën e Bekuar dhe Jezusin – të cilët përshëndetën të gjithë të pranishmit dhe shprehën kënaqësinë e pranisë së tyre në këtë festë të bukur, duke premtuar se do të vazhdojnë të përkrahin këtë bashkësi.

Në fund të meshës, përgjegjësi aktual për përkujdesjen pastorale në Famullinë e Llapushnikut, Don Meriton Dedaj, i falënderojë të pranishmit, të ardhur nga të gjitha pjesët e Kosovës, mysafirët zviceran dhe gjerman, dhe i ftojë që pas meshe të bashkëndajnë çaste të përbashkëta në një koktej rasti të përgatitur nga Famullia e re e Llapushnikut./drita.info

Kisha e Shën Abrahamit në Llapushnik, komuna e Dreansit.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »