Zoti i shikon gjërat në mënyrë afatgjatë

Oct 12 • Meditimi i ditës

12 tetor 2017 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Mal 3,13-20a; Ps 1,1-4.6; Lk 11,5-13)

 

Prania e Hyjit

Duke filluar këtë tërheqje të shkurtër shpirtërore pusho një moment duke i lënë anash shpërqendrimet, brengat e tua.

Merr frymë mirë, thellë dhe njihe se je në praninë e dashur të Zotit.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë kollaj e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.

Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

  

Lk 11, 5-13

 

5 Dhe u tha:

“Nëse ndonjëri prej jush ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: ‘Mik, m’i jep hua tri bukë 6 se më erdhi prej udhe miku im e nuk kam çka t’i jap për darkë, ’ 7 e ai prej brenda i përgjigjet: ‘Mos më trazo! Dera është tashmë e mbyllur e fëmijët e mi e unë ramë në shtrat! Nuk mund të çohem t’i jap!’ ‑ 8 Unë po ju them edhe nëse s’çohet t’ia japë pse e ka mik, do të çohet me siguri për t’i dhënë aq sa kërkon për shkak të trazimit. 9 Edhe unë po ju them: lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokitni e do t’ju çelet. 10 Sepse, kushdo lyp, merr; kush kërkon, gjen; atij që troket, i hapet dera.

11 Dhe, cili prej jush që është babë, po i lypi djali peshk, në vend të peshkut do t’i japë gjarpër? 12 Ose, nëse i lyp vezë, do t’i japë akrep? 13 Nëse, pra, ju, edhe pse të këqij, dini fëmijëve tuaj t’u jepni dhurata të mira, sa më tepër Ati qiellor do t’u japë Shpirtin Shenjt atyre që ia kërkojnë!”

  

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ka njerëz ndaj të cilëve dua të jem bujar/e, ka disa të cilëve s`do t`u jepja asgjë. A mund ta imagjinoj që, në sytë e Hyjit, unë jam një nga ata njerëz?
  • Ndoshta më duket se Hyji nuk po më jep gjithçka që unë jam duke kërkuar, por i rregullon gjërat që janë për të mirën time dhe përfitime afatgjata. Lus për besimin dhe pranimin e nevojshëm.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »