Për të 46-ën herë në Zym: festë kombëtare e artit, dijes, vlerave dhe kujtesës së At Shtjefën Gjeçovit

Oct 15 • Kulturë

Në Ditën e Tretë në Takimet e Gjeçovit, të 46-at me radhë, Zymi u shndërrua i tëri në një festë kombëtare e në festë të artit. Sheshet e saj vlonin nga njerëz të ardhur nga të gjitha anët. 
Aty në shesh vizitorët përjetojnë një performancë arti e Llesh Bibës nga Tirana me skulpturat në drugdhendje e me veshjet me simbole kombëtare, një ekspozim i Pemës Gjenealogjike të familjes Gjeçovi, i punuar nga Tonin Alia, më tutje dëgjohen fyej që i ekzekutojnë muzikantë hasjanë, si gjithmonë në shesh vjen me librarinë e tij shëtitëse Azem, Zogaj nga Prishtina…. 
Ndërkohë, rrugëve të Zymit defilojnë grupe artistike, duke vallëzuar, kurse fotoaparati i Ismet Krasniqit – Lala, nuk pushon së shkrepuri për t’i zënë çastet më festive dhe më përfaqësuese të manifestimit. 
Shfaqet amfiteatri, shtatorja e Gjeçovit, vizitorë që fotografohen te memorialit e punuara në shkëmb guri: të Abetares së Zymit, të Gurit të Mërgimtarëve, zbresin më tutje poshtë, për t’i parë në Muzeun e Fshatit veshjet zymjane, skulptuat në gur të Daut Gashit. Grupe-grupe shkojnë dhe në fshatin e afërm Shëngjergj, për të bërë homazhe te varri i Gjegjovit, Anton Pashkut, Katarina Josipit, At Luigj Palajt etj. Ndalojnë te dy muze të tjerë në këtë fshat… 
Mandej, në Amfiteatrin zymjan zbresin qindra e qindra vizitorë, nuk i zë të gjithë, rrugët vlojnë, bien herë pas here tinguj kambane, si tinguj kujtese, të Kishës së Zymit, aty ku pati punuar edhe Gjeçovi…
Frrok Kristaj hap manifestimin e 46-të. Në amfiteatër shpërthejnë gjëmimet e tupanëve hasjanë me tinguj rapsodish, zbresin nga të dy anët valltarë e solistë me flamurin kombëtar, defilojnë së skenë dhe presin edhe presidentin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, i cili i pari e merr fjalën përshëndetëse, duke evokuar figurën e At Shtjefën Gjeçovit, i vlerëson lart hasjanët për kontributin gjatë luftës çlirimtare dhe vlerëson me konsideratë të gjithë ata intelektualë e veprimtarë që mbajtën të gjallë Manifestimin letrar dhe kulturor “Takimet e Gjeçovit”. Përshëndet edhe ministri i kulturës në qeverinë e Kosovës, Kujtim Gashi. 
Disa tekste e poezi kushtuar Anton Pashkut, i recituan me ndjejnë aktorët Safete Rugova dhe Afrim Kasapolli. 

Në Orën letrare tradicionale “Anton Pashku” lexuan krijuesit Naime Beqiraj, Dije Frangu, Sabit Rrustemi, Zyra Ahmeti (Tropojë), Nikollë Loka (Mirditë), Sadije Aliti (Tetovë), Jasmir Morina, Zade Kuçi, Enver Sulaj, Ilir Çabrati, Prend Buzhala etj.

U dhanë edhe Çmimet tradicionale:

Çmimin “At Shtjefën Gjeçovi” e fitoi Tonin Alia për kontribut në hulumtimet për pemën gjenealogjike të familjes Gjeçovi, Çmimin “Pjetër Bogdani” e fiton studiuesi i letërsisë dhe shkrimtari Anton Nikë Berisha (vepra e fundit e tij janë përkthimet e PSALMEVE shqip dhe studimi i tyre), Çmimin “Pena e Anton Pashkut” e fitoi shkrimtari Kujtim Rrahmani për veprën e tij në prozë “Taksa e gjumit.”

Kurse Çmimi më simpatik që e ndajnë këto takime, quhet “Unaza e Katit” e që i ndahet një femre. Kësaj radhe ai i takoi Ermine Lekaj, deputete në parlamentin e Kroacisë që përfaqëson Bashkësinë shqiptare atje. Ermina është bijë e Zymit dhe ejton në Kroaci. 
Do theksuar se mirënjohje për zymjanët dha edhe Shoqata “Bytyqi” Tiranë-Prizren, në emër të së cilës i ndau Agron Gjidia. Zymjanët, në fund, dhanë drekë për mijëra të ardhur në këtë manifestim. (Prend Buzhala)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »