“Dita e dyerve të hapura” në Shkollën Fillore Loyola – Prizren

Oct 17 • Kisha në Kosovë, Kulturë

Në ambientet e rinovuara hijshëm të Shkollës Fillore Loyola, u kremtua për të parën herë (3 tetor)  dita e shkollës e quajtur “Dita e dyerve të hapura”, në të cilën morën pjesë të gjithë fëmijët, prindërit, stafi edukativo-arsimor, Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, z. Heldt, komandanti i kontingjentit gjerman të tanishëm i KFOR-it z. Elsen së bashku me ekipin e tij, përfaqësues të Komunës së Prizrenit, të shkolla në rajon, përfaqësues të Kishës katolike etj.

Shkolla fillore Loyola është themeluar para pesë vitesh, si pjesë e Gjimnazit Loyola në rrugën e Transitit në Prizren dhe para një viti është transferuar në objektet e rinovuara pranë Kishës katolike në qendër të qytetit të Prizrenit. Vetëm shkollën fillore, pa llogaritur gjimnazin, këtë vit e ndjekin 290 nxënës, që vijnë nga qyteti dhe fshatrat përreth Prizrenit, Suharekës dhe Malishemës. Në shkollë japin mësim më shumë se 20 mësimdhënës dhe punojnë mbi 30 persona.

Duke qenë se shkolla ka pasur shumë ndryshime; si ndryshimi i objektit, ndryshimi i sistemit të menaxhimit dhe sistemit organizativ i punës pedagogjike, po ashtu deri në këtë shtator kanë qenë duke u bërë rinovime të objekteve dhe oborrit të shkollës. Këtë vit për të parën herë shkolla fillore festoi ditën e dyerve të hapura në një ditë të veçantë dhe veçmas nga gjimnazi.

Me rastin e kësaj dite, në shkollë organizuam shumë aktivitete kulturore dhe edukative duke i bërë pjesë të festës të gjithë nxënësit e shkollës. Fillimisht në oborrin e shkollës ishte një manifestim kulturor me mesazhe, këngë dhe valle, pas këtij programi qendror në shkollë u zhvilluan 10 aktivitete të ndryshme, ku në secilin aktivitet ishin të përfshirë nxënësit të ndarë sipas dëshirës dhe prirjeve të tyre të udhëhequr nga dy mësimdhënës për aktivitet.  Shkolla ishte e hapur për të gjithë, ku secili mysafir ka pasur mundësi të njihet me shkollën, me ambientet dhe sistemin e punës që zhvillohet.

Në fillim drejtoresha e shkollës fillore M. Lindita Spaqi përshëndeti dhe uroj mirëseardhje të gjithë të pranishmëve, ku të pranishëm ishin të gjithë nxënësit e shkollës të cilët i uroj me këto fjalë: “…E nis nga ju nxënës të dashur, sepse ju jeni edhe arsyeja e këtij realiteti të mrekullueshëm të cilës të gjithë së bashku po i gëzohemi. Është shkolla juaj, është shtëpia juaj e dytë, ku ju po e kaloni shumicën e kohës, aty ku ju po rriteni çdo ditë në dije, aty ku keni gjetur njëri-tjetrin dhe së bashku po i zbuloni talentet tuaj, aty ku edhe një gjë më e vogla ju lumturon…”. Po ashtu ishin të pranishëm të gjithë prindërit dhe familjarët e nxënësve, miq, bashkëpunëtorë si dhe personalitete të ndryshme. Veçmas cekim të pranishmit si: Ambasadori gjerman z. Heldt, përfaqësuesi i ambasadës gjermane z. Menger; komandanti i kontingjentit gjerman të tanishëm i KFOR-it z. Elsen së bashku me ekipin e tij; përfaqësuesi i kishës katolike si pronari i ambientit dhe presidenti i shkollës fillore Loyola Don Shan Zefi dhe meshtarë të tjerë nga dioqeza, po ashtu ishte z. Lulzim Kabashi, drejtorë të shkollave fillore në Prizren; Eproret e bashkësive rregulltare etj.

Përveç drejtoreshës së shkollës, fjalën e mori drejtori ekzekutiv Dr. Axel Bödefeld, Presidenti  shkollës fillore Dr. Don Shan Zefi dhe ambasadori gjerman z. Heldt.

Dr. Axel shprehi kënaqësinë se tani Loyola është bërë një realitet i stabilizuar dhe shumë efikas në Prizren, me tri realitete, Shkolla Fillore Loyola, Gjimnazi Loyola dhe Qendra Loyola.

Ambasadori Gjerman, z. Heldt, i cili para një muaji ka filluar punën e tij diplomatike në Prishtinë, u habitur për krijimin e një kompleksi kaq modern dhe të përshtatshëm për mësimdhënie, shprehi kënaqësinë që fëmijët e Kosovës do të kenë një edukim të shëndosh dhe me kritere bashkëkohore.

Dr. Don Shan Zefi, President i Shkollës, i cili që nga fillimi ishte udhëheqësi i krijimit të kësaj Shkolle, u shpreh se Prizrenit po i kthehet fama e dikurshme kur, pikërisht në këtë vend, para një shekulli e gjysmë funksiononte shkolla në zë e drejtuar nga Kisha Katolike. Pas shumë vuajtjeve dhe vështirësive që kemi pasur që të mbërrijmë deri këtu, kur shumë ishin skeptik se një gjë e këtillë do të ndodhte, ja sot, i gëzohemi këtij realiteti të rinovuar që do të jetë në shërbim të fëmijëve të vendit tonë, pa dallim. Kisha Katolike kurrë nuk heq dorë nga edukimi dhe formësimi i njeriut shqiptarë dhe kulturës shqiptare, prandaj jo vetëm kjo shkollë e bukur që po e shihni, por ne shpresojmë që në perspektivë do të vazhdojmë të rrisim veprimtarinë tonë në të mirë të edukimit, pse jo, në të ardhmen edhe një universitet Loyola.

Përmbyllja e kësaj mbrëmjeje kulturore u përmbyll me shfaqjen e një materiali nga jeta dhe puna e përditshme që zhvillohet në shkollë.

Gjithçka ishte bukur, shumë e përjetuar nga të gjithë ku secili pati mundësi të njihet sadopak me nivelin dhe cilësinë e punës edukative që ofron shkolla fillore Loyola./drita.info

Për Dritën: M. Lindita Spaqi, drejtoreshë e Shkollës

Shpërndaje

Comments are closed.

« »