Kur lutesh…

Oct 17 • Këndvështrime

Nga Finbarr Lynch SJ

 

Ti lutesh në mënyrë që ta gjesh Jezusin dhe të jesh me të. Ke rezervuar kohë duke i lënë gjërat e tjera që do të mund t`i bëje dhe, në vend të kësaj, atë kohë je duke ia kushtuar qëndrimit me Jezusin.

Ti e bën këtë për shkak se e çmon marrëdhënien e besimit në të cilën e takon Jezusin dhe rritesh në miqësi me të. Dëshiron ta gjesh atë, por kur të kujtohet se Zoti është duke të kërkuar ty më shumë se ti e kërkon atë, do të ishte më mirë që ta kesh para sysh se ke ardhur për t’u lutur në mënyrë që Jezusi të gjejë ty. Ai ka uri dhe etje për marrëdhënie dhe miqësi me ty, dhe është aktiv gjatë kohës kur je duke u lutur. Ashtu sikurse te Mishërimi: Zoti vjen në botën tonë për të na sjellë afër vetes; ai ende vazhdon të na kërkojë, në jetë dhe në lutje.

Është e mundur që në lutje ta dëshirosh Jezusin, por në një mënyrë të cekët dhe egocentrike. Unë, për shembull, do të mund ta kërkoja Jezusin në mënyrë që të gjej ndjenja të këndshme, të ndihem rehat; në lutjen time, mund t`i dëshiroj përdëllimet e këndshme të Zotit në vend që ta dëshiroj Zotin e përdëllimeve; unë mund të lus, pa e vërejtur se jam duke lutur ashtu siç më pëlqen mua, jo siç i pëlqen Zotit.

Është e mundur të qëndroj sipërfaqësor në lutje dhe ta refuzoj ofertën e Zotit për të hyrë më thellë në veten time. Këtë do të mund ta bëja duke mbajtur kontroll mbi mënyrën time të lutjes: duke qenë i ngurtë në lidhje me të, duke dëshiruar që përmes saj të ndihem plotësisht i sigurt, në vend që ta lë Zotin të më mësojë se si më dëshiron ai të jem tani në praninë e tij. Unë gjatë lutjes mund të qëndroj në kokën time duke menduar për gjëra interesante, por pa e takuar Zotin. Gjithashtu mund të mbetem sipërfaqësor duke pas shumë frikë të lëshohem në nivelin e zemrës, ku jam i ftuar të kem besim dhe të lejoj për të qenë i dashur, pa e pas merituar, dhe për të dëgjuar se çfarë dëshirash ka Zoti për mua. Madje është e mundur të mbes sipërfaqësor duke u kapur për shqetësimet, zemërimin dhe plagët vetjake. Me pak fjalë, mund të qëndroj sipërfaqësor duke u përqendruar kryesisht në veten time.

(Përktheu: Don Shtjefën Dodes)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »