E e lus Zotin që mos të jetoj me frikë por me besim?

Oct 20 • Meditimi i ditës

20 tetor 2017 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rom 4,1-8; Ps 32,1-2.5.11; Lk 12,1-7)

 

Prania e Hyjit

Zot i dashur, më ndihmo që të çelem krejtësisht ndaj teje
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të çlirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e rëniet në funde si dhe në rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë çfarë më prek, çfarë më flet pikërisht për mua.

 

Lk 12, 1-7

 

Ndërkaq u mblodh një turmë e madhe e popullit ‑ mijëra e mijëra ‑ aq sa shkelnin njëri‑tjetrin. Jezusi më së pari u drejtua nxënësve të vet:

“Ruajuni prej tharmit të farisenjve d. m. th. hipokrizisë! 2 S’ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehur që nuk do të merret vesh. 3 Prandaj, çdo gjë që ju thatë në errësirë, do të dëgjohet në dritë dhe çdo gjë që pëshpëritet në vesh ndër skuta, do të predikohet prej pullazeve.”

4 “Po ju them juve, miq të dashur: mos jua kini drojën atyre që mbysin trupin e pastaj s’mund të bëjnë gjë tjetër! 5 Po ju tregoj kujt duhet t’ia keni frikën: druani nga ai që, pasi t’jua ketë marrë jetën, ka pushtet t’ju hedhë në ferr. Po, unë po ju them: atij kijani frikën! 6 Po, a nuk shiten pesë trumcakë për dy qindarë? E pra, asnjërin prej tyre nuk e qet në harresë Hyji. 7 Kurse juve deri edhe fijet e flokëve të kresë i keni të numëruara! Mos kini frikë! Ju vleni më shumë se një mori trumcakësh!”

 

Çfarë po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jam pjesë e turmës së popullit që vjen për të dëgjuar fjalën e Zotit. Jam pjesë e turmës së bashkësisë së “Momentit të shenjtë”. Disa momente lus për të gjithë anëtarët e kësaj bashkësie, që të mund të vazhdojë rritjen e saj nëpër mbarë botën.
  • Hipokrit është personi jeta e të cilit nuk është në harmoni me mënyrën e jetës dhe sjelljes së Zotit. Një mënyrë e thjeshtë për t`u bërë pjesë e harmonisë së Zotit është të kesh mirëbesim në Zotin dhe mos të kesh frikë. E lus Zotin që mos të jetoj me frikë por me besim që Zoti më respekton pa masë.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »