A më hutojnë lehtë gjërat më pak të rëndësishme?

Oct 25 • Meditimi i ditës

25 tetor 2017 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rom 6,12-18; Ps 124,1-8; Lk 12,39-48)

 

Prania e Hyjit

Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i/e tillë si jam.

Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.

Hyji gjithmonë më afrohet i pari, dëshiron të më njohë më mirë se miku im më i mirë.

Ndalem një moment dhe e përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga ankthet dhe brengosjet vetjake,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që edhe më shumë ta dua dhe t`i shërbej.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka momentalisht në jetën time po e gjej shpresën, guximin dhe rritjen?

Duke u kthyer në mendime disa muaj prapa,

a jam i/e aftë ta vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryte të mira?

Nëse kam vërejtur lëmi të tilla,

do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.

Duhet të përgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin pastaj do të dëgjoj…

Lk 12, 39-48

39 E mos e harroni këtë gjë: po ta dinte i zoti i shtëpisë në cilën orë i vjen vjedhësi, nuk do të linte t’i thyehej shtëpia. 40 Edhe ju, pra, jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja.”

41 Atëherë Pjetri tha:

“Zotëri, a po e thua këtë shëmbëlltyrë vetëm për ne, apo për të gjithë?”

42 Zotëria iu përgjigj:

“Cili, vallë, është ai mbarështues besnik e i mençur që do ta vërë zotëria përmbi shërbëtorët e tjerë për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit? 43 I lumi ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria i tij, e gjen duke vepruar kështu. 44 Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet.

45 Porse, po bëri e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’ dhe fillon të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, të hajë e të pijë e të dehet, 46 zotëria i tij do të vijë atë ditë kur nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja dhe do ta ndëshkojë rëndë e do t’ia japë fatin e të pafeve.

47 Shërbëtori që e diti vullnetin e zotërisë e nuk u bë gati dhe nuk e kreu vullnetin e tij, do të marrë shumë të rëna. 48 Ndërsa ai që nuk e diti, por bëri punë që duhet të ndëshkohen, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, prej tij do të kërkohet shumë; kujt iu besua shumë, prej tij do të kërkohet më shumë.”

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Të qëndrosh zgjuar s`do të thotë që jetosh në një gjendje ankthi nervor. Të qëndrosh zgjuar më shumë i ngjan një stacioni të akorduar me valë të radios apo parametrave të vendosura në mënyrë të rregullt në kompjuterin tënd që është i gatshëm në çdo moment për të marrë e-mail.
  • A ka ndonjë konfigurim/cilësim në jetën time që kam nevojë ta vendos siç duhet apo gjatësinë e valës ta harmonizoj më hollë? A posedoj filtra të nevojshëm që do të më ndihmojnë që mos të më pengojnë a hutojnë sinjale më pak të rëndësishme?

 

Bashkëbisedimi

“Rrini zgjuar – lutuni.“
Kështu u ke thënë nxënësve edhe para mundimit dhe vdekjes.
E di, o Zot, se do të qëndrosh pranë meje
dhe do të vigjilosh të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »