Ndre Durrsaku, profesor i Universitetit të Durrësit (“Studium generale“), i pari i këtij lloji në Ballkan!

Oct 25 • Histori

Burime që dalin nga arkivat dhe bibliotekat e Kuvendit Françeskan dhe Kuvendit Dominkan në Dubrovnik, përveç njoftimeve të rëndësishme për historinë tonë të moçme, ofrojnë edhe njoftime për të parin universitet në Ballkan, Universitetin e Durrësit (“Studium generale“, në vitet ’80, të shek. XIV), universitet ky i themeluar nga dominikanët durrsakë, që vepronin që prej vitit 1224 në Kuvendin e Shën Maurit në Durrës. Nga burimet që fshihen në arkiva dhe biblioteka të përmendura më sipër bëhet e njohur se, sukseset osmane në Betejën e Savrës (1385), kishin shkaktuar frikë edhe te profesorët e Universitetit të Durrësit, një pjesë e të cilëve do të detyrohen ta braktisnin vendlindjen për t’u ngulitur sidomos në qendra të Dalmacisë dhe Italisë. Me vete kishin bartur edhe fonde me dorëshkrime të pasura me miniatura, të cilat gjatë shek. XV janë vendosur në Bibliotekën e Kuvendit Dominikan në Split, si dhe në Bibliotekën e Kuvendit Dominikan në Braç (Kroaci).

Tashmë është e njohur se profesori, Gjon Durrsaku kishte vajtur në Zarë, dhe atje ishte caktuar për rektorin e parë të Universitetit të Zarës (1396). Ndërsa, Ndre Durrsaku (mesi shek. XIV-13 qershor 1393), një profesor tjetër i Universitetit të Durrësit, që po zbulohet rishtazi, i njohur edhe si doktor i shkencave teologjike (Universiteti i Bolonjës, 1380), në vitin 1387, qe emëruar për argjipeshkëv të Argjipeshkvisë së Raguzës!

Foto në ballinë fotoja në tekst: Mbishkrimi epigrafik dhe busti i Ndre Durrsakut në Kuvendin Dominikan të Dubrovnikut (foto e realizuar më 20/10/2017).

Shpërndaje

Comments are closed.

« »