A interesohemi për mikroklimën e jetës sonë?

Oct 27 • Meditimi i ditës

27 tetor 2017 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rom 7, 18-25a; Ps 119, 66. 68. 76-77. 93-94; Lk 12, 54-59)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Me afsh e dëshiroj fuqinë tënde që shëron.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të çlirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë çfarë më prek, çfarë më flet pikërisht për mua.

 

Lk 12, 54-59

 

Pastaj iu drejtua turmës:

“Kur shihni renë se çohet në perëndim, përnjëherë thoni: ‘Do të bjerë shi!’, dhe ashtu ndodh. 55 Kur shihni se fryn shiroku, thoni: ‘Do të jetë vapë’, dhe bën vapë. 56 Shtiracakë! Dukën e tokës e të qiellit dini ta çmoni, por këtë kohë nuk dini!?”

57 “Përse ju vetë nuk gjykoni vetvetiu ç’është e drejtë? 58 Kështu, kur shkon bashkë me kundërshtarin tënd tek ushtruesi i drejtësisë, përpiqu udhës të biesh në ujdi me të ‑ që të mos nxjerrë para gjykatësit, gjykatësi të të dorëzojë shërbëtorit e shërbëtori të të hedhë në burg. 59 Unë po të them se s’do të dalësh prej andej pa e paguar edhe më të fundit qindarkë.”

 

Çfarë po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Parashikimet e motit i kemi ngritur përtej çdo bisede. Moti është bërë industri, shkencë, art mbi të cilin na mbajnë vazhdimisht të informuar.
    •  Jezusi na thërret të shikojmë në mikroklimën e jetës sonë, që ta pranojmë dritën që na thërret për të jetuar, që të jemi të kujdesshëm për stuhitë e dëmshme, që t`i shmangemi kushteve/rrethanave që mund të na çojnë në mbinxehje – djegie.
    •  Më udhëhiq, o Zot, që të dalloj se si lëviz Shpirti yt dhe t’i përgjigjem stimujve të tu.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të ketë besim në ty.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »