Duaje Zotin dhe të afërmin!

Oct 28 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji


E diela XXX gjatë vitit (A)

 

Leximi i parë   Dal 22, 21-27

Lexim prej Librit të Daljes

Kështu thotë Zoti: “Mos e keqtrajtoni vejushën as bonjakun. Nëse do t’i nëpërkëmbni, ata do të kërkojnë ndihmë prej meje e unë do ta dëgjoj ankimin e tyre. Atëherë hidhërimi im do të ndizet flakë e do t’ju prej me shpatë. Gratë do t’ju mbesin të veja e fëmijët bonjakë. Nëse do t’i huajon para ndokujt prej skamnorëve të popullit tim që është me ty, mos u sill me të si të ishe kamatari: mos i merrni kamatë. Nëse për peng ia ke marrë të afërmit tënd gunën, ktheja para perëndimit të diellit. Sepse ajo është i vetmi petk me të cilin e mbështill trupin dhe s’ka tjetër në të cilin të bjerë të flejë. Nëse ankohet para meje, do ta dëgjoj, sepse kam dhembshuri. Fjala e Zotit.

 

Psalmi 18

Ref: Të dua, o Zot, fuqia ime

————————————–

O Zot, Qeta ime, fuqia ime, Shpëtimtari im!

Ti je Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!

————————————–

Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të

lavdishëm, dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi. 

————————————–

Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim! 

Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!

————————————–

 

Lexim i dytë 1 Sel 1, 5-10

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, Ungjilli ynë nuk erdhi ndër ju vetëm me anë të fjalës, por edhe i përcjellë me fuqi dhe me Shpirt Shenjt dhe me mbushmendje të plotë. Të tillë, pra, siç e dini, kemi qenë ndër ju për ju. Edhe ju u bëtë ndjekësit tanë dhe të Zotit duke e pranuar Fjalën me gëzim që jep Shpirti Shenjt edhe pse në vështirësi të madhe, kështu që u bëtë shembull për të gjithë besimtarët e Maqedonisë dhe të Akajës. Sepse, prej jush, jo vetëm jehoi Fjala e Zotit nëpër Maqedoni e Akajë, por edhe feja juaj në Hyjin aq fort u përhap gjithkah, sa që ne s’kemi nevojë të flasim për këtë gjë. Sepse njerëzit vetë tregojnë për ne: ç’pritje na bëtë, si u kthyet kah Hyj prej idhujsh që t’i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë dhe që ta prisni nga qielli Birin e tij, të cilin e ngjalli nga të vdekurit, Jezusin, që na shpëton nga hidhërimi i ardhshëm. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.

Aleluja

 

Ungjilli   Mt 22, 34-40

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, farisenjtë, kur morën vesh se ua mbylli gojën saducenjve, u bashkuan dhe njëri sish, mësues ligji, për ta vënë në provë, e pyeti: “Mësues, cili është më i madhi urdhërim i ligjit?”. Jezusi përgjigji: “Duaje Zotin, Hyun tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. I dyti është i barabartë me të: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten! Në këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Në jetë hasen pyetje që janë shtylla të ekzistencës sonë: Kush jemi? Për çfarë jemi thirrur në jetë? Çfarë i jep kuptim jetës dhe e bën të bukur?

“Mësues, cili është më i madhi urdhërim i ligjit?”. Akoma edhe njëherë përgjegjësit fetarë mundohen ta tundojnë Jezusin. Doktori i ligjit do të njohë se çfarë mendon Jezusi për Ligjin, që të mund ta denoncojë nëse gabon. Jezusi kishte vënë në diskutim ligjin e së shtunës e norma të tjera, sepse mungonte në to shpirti i dashurisë.

“Jezusi u përgjigj: Duaje Zotin, Hyin tënd, me gjithë zemrën tënde …”. Jezusi rimerr “Besojmën” e hebrenjve, recituar tre herë në ditë, e shton: “ky është më i madhi dhe i pari urdhërim”. Por “të duash Hyjin” nuk është kaq e vështirë, përderisa nuk mund të matet e askush nuk mund ta dijë. Pastaj Jezusi vazhdon “I dyti është i barabartë me të: Duaje të afërmin tënd”. Edhe ky urdhërim është shkruar në Bibël. Jezusi lidh dashurinë e Hyjit me dashurinë e të afërmit, duke pohuar se të duash Hyjin pa dashur me të vërtetë personat nuk është dashuri për Hyjin. Por Jezusi nuk do të thotë të duash të tjerët si vetveten, por ashtu si Ai na ka dashur. Për Jezusin të duash njeriun domethënë të duash Hyjin, e të duash Hyjin është të duash njeriun. Nuk shihet dashuria ndaj Hyjit se sa i devotshëm je, por se sa dashuri ke për njeriun. Për Jezusin besimtari i vërtetë nuk është ai që u bindet rregullave fetare, por që jeton realisht dashurinë.

 

Lutja e Besimtarëve

L. Vëllezër e motra, çdo ditë jemi të thirrur të ushtrohemi krejtësisht në ligjin e dashurisë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit. T’i kërkojmë ndihmë Shpirtit Shenjt, që është Shpirt i dashurisë, që të na edukojë e të na udhëheqë në rrugën e përshkuar nga Krishti. Të lutemi së bashku e të themi:

             O Zot, na dëgjo.

L. Për Papa Françeskun, ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët dhe të gjithë të krishterët që të dinë t’u përhapin në plotësi të gjithë njerëzve dashurinë që e marrin prej Zotit. Të lutemi.

L. Për të gjithë ata të cilët punojnë në institucionet shoqërore, që të kenë parasysh që çdo krijesë është objekt i dashurisë së pambaruar të Zotit e për këtë të mundohen për ta ruajtur dhe mbrojtur jetën qysh prej mishërimit. Të lutemi

L. Për ata që jetojnë në varfëri dhe vuajtje, që të marrin prej ne të krishterëve jo vetëm ndihma materiale, por edhe shpirtërore dhe morale dhe të ndihen të pranuar e të dashur, sepse jemi bij të të njëjtit Atë. Të lutemi.

L. Për ne këtu të pranishëm, që nga dëgjimi i Ungjillit të sotëm, të mësojmë të zbulojmë fytyrën e Zotit në vëllezërit dhe motrat tona, por sidomos në ata që janë në vështirësi.Të lutemi.

M. O Zot, Ati i ynë, Ti që i ushqen besimtarët e tu me Korpin e Gjakun e Birit tënd, buka e jetës dhe burim shëlbimi, na jep bukën tënde dhe fjalën tënde që të mund të kryejmë në jetën e përditshme vullnetin tënd dhe të lëvdojmë emrin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »