Jezusi dëshiron ta ripërtërijë karakterin tim të vërtetë

Oct 30 • Meditimi i ditës

30 tetor 2017 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rom 8,12-17; Ps 68,2.4.6-7ab.20-21; Lk 13,10-17)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në çdo kohë të ditës apo të natës.

Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.

Çfarë bekimi i mrekullueshëm!

S`kam nevojë për telefon a e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

E lus Hyjin që të më ndihmojë

që të çlirohem nga ankthet dhe brengat vetjake,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që edhe më shumë ta dua dhe t`i shërbej.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, të jem edhe më i/e vetëdijshëm/e për afërsinë tënde.

Më mëso se si të të njoh në të tjerët.

Ma mbush zemrën time me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmes njerëzve të tjerë ma ke treguar kujdesin tënd ndaj meje.

 

Fjala

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.

Duhet të përgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 13, 10-17

 

10 Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë. 11 Dhe, ja, një grua që kishte tash tetëmbëdhjetë vjet në trup djallin ‑ shkaktarin e sëmundjes: ishte e kërrusur dhe s’mund të drejtohej drejt assesi. 12 Kur Jezusi e pa, e thirri afër vetes dhe i tha:

“Fisnike, ja, u shërove prej sëmundjes sate!”

13 I vuri duart mbi të, ajo përnjëherë u drejtua dhe zuri të lavdërojë Hyjin.

14 Kryetari i sinagogës, i zemëruar pse Jezusi e shëroi ditën e shtunë, i tha popullit:

“Janë gjashtë ditë, në të cilat duhet të punohet. Pra, në ato ditë ejani të shëroheni e jo të shtunave!”

15 “Shtiracakë! ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ A nuk e zgjidh secili nga ju prej grazhdit kaun e gomarin e vet të shtunave e nuk e çon në ujë? 16 E kjo bijë e Abrahamit, të cilën Satani e mbajti lidhur që tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej nga këto pranga ditën e shtunë?!”

17 Si tha kështu, të gjithë kundërshtarëve të tij u ra hije e zezë, ndërsa mbarë populli gufonte prej gëzimit, për të gjitha mrekullitë që bëri.

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri? 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Merre me mend pozitën, perspektivën e jetës së kësaj gruaje: kurrë s`kishte qenë në gjendje t`i shikonte të tjerët në sy, në pamundësipër të marrë vendin e vet në mesin e njerëzve të thjeshtë. Ajo shikohej me nënçmim ose neglizhohej nga të tjerët, ia mohonin dinjitetin e personit.
  • Jezusi dëshiron që të më shpëtojë nga lidhjet e çrregullta, veset ose kufizimet. Ai nuk më pyet se çka mund të durojë, në çka jam mësuar apo çka pranoj si kompromis. Ai dëshiron ta ripërtërijë karakterin tim të vërtetë dhe të më lejojë ta shoh vetveten ashtu si më sheh ai mua.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, emrin tim e ke shkruar në pëllëmbët e duarve të tua.

Madje edhe nëse më harrojnë të tjerët, ti këtë nuk do ta bësh kurrë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kohës së lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »