Pse dhe si të ballafaqohemi me “Natën e shtrigave”?

Oct 31 • Opinion

Nga Don Shtjefen Dodës

Krishterimit qysh në fillimet e tija i është dashur të ballafaqohet me lloj-lloj besimesh, kultesh e zakonesh që nuk përputheshin me Lajmin e mirë të Krishtit. Prandaj edhe për dukuritë e reja në kohën tonë, duhet parë që në ato rrethana në të cilat jetojmë sot të nxjerrim atë më të mirën për vete dhe fëmijët tanë.

Feja e krishterë mëson se festa e të Gjithë Shenjtërve është një mundësi për t`i dhënë lavd Zotit për suksesin e shenjtërve dhe mundësi për t’u lutur për të dashurit tanë që kanë kaluar nga kjo jetë. Është ky një zakon i ynë i lashtë, shprehje e respektit tonë për të vdekurit dhe e lidhjes me ta në shoqërinë e Kishës udhëtare dhe të lavdishme. Kohëve të fundit, në vigjiljen të festës së të Gjithë Shenjtërve vërehet që dalëngadalë kjo e kremte po bëhet disi dita ose “nata e shtrigave”. Me rroba të të gjitha llojeve me origjinë dhe ndikim të dyshimtë, po importohen edhe zakone duke imituar diçka që as vetë nuk e dimë përse. Në organizimin e Natës së shtrigave tek ne po përfshihen edhe qeveritë e qytetit, lloj-lloj shoqatash, shkolla etj. Disa i pranojnë gjërat e reja ashtu siç vijnë, tërësisht të relaksuar, gjë që për dikë tjetër kjo do të ishte diçka shumë naive. Për disa të tjerë kjo është brengosëse, sepse në gjithë këtë tollovi po përfshihen edhe fëmijët dhe të rinjtë që nuk janë në gjendje të mendojnë në mënyrë të diferencuar. Të vjetrit po i festojnë të Gjithë shenjtërit dhe i vizitojnë varret e të dashurve që kanë kaluar nga kjo jetë, kurse fëmijët dhe të rinjtë po mendojnë për shtrigat, vërejnë disa të tjerë. Këto adete pagane po e gërryejnë besimin e krishterë në jetën e amshuar në Hyjin dhe ringjalljen e të vdekurve. Të vdekurit tanë të dashur nuk janë kurrfarë shtrigash, nuk janë të tillë që na frikësojnë, por janë ata që e kanë merituar respektin tonë, lutjet tona, thonë besimtarët e devotshëm.

Disa prej arsyeve që përmenden përse duhet thënë “jo” Halloween-it do të ishin:

1. Halloween e heq dallimin midis krishterimit dhe paganizmit; 2. ngjall interes për okulten (ezoterizmin, fenomenet paranormale…); 3. teknikën magjike dhe okulte e paraqet si të pafajshme, të parrezikshme; 4. është dita më e shenjtë është e shtrigave dhe okultistëve të tjerë; 5. okultistët dhe shtrigat e përdorin atë për t`i popullarizuar shkathtësitë e tyre; 6. për spiritistët ajo është një ditë e veçantë për magji të ndryshme; 7. në të kaluarën, më së shpeshti në këtë ditë janë kushtuar fli njerëzore; 8. satanistët besojnë se kjo është dita e vetme e vitit në të cilin ata mund ta thërrasin Satanin (djallin); 9. e mohon ekzistencën e mëkatit, nevojën për një Shpëtimtar, dhe e mbështet mësimin e ri-mishërimit (reinkarnacionit), që është i papajtueshëm me krishterimin; 10. nuk ka asnjë aktivitet apo një simbol të Halloween-it, që nuk do të kishte të bënte me paganizmin.

Si të ballafaqohemi me “natën e shtrigave”?

Fakt është që “Halloween”, apo Nata e shtrigave, është bërë një ditë/natë zbavitëse për fëmijët dhe të rinjtë. Nëse fëmijët argëtohen, në kuptimin e lojës, nuk kemi nevojë t`i ngarkojmë me kërcënime, por është mirë të bëhet dallimi i lojës nga lutja apo gjërat serioze.

E gjithë kjo ndoshta ndodh në afërsinë tënde, prandaj është një rast për familjen tënde të bashkoheni, të komunikoni me njëri-tjetrin, të interesoheni për botën e fëmijëve dhe të rinjve tuaj, por edhe për ngjarjet shoqërore, fqinjët tuaj, ndikimet e reja… Nëse të vjen dikush në derë e të lypë diçka, pyete kush është… Prezantohu edhe ti. Interesohu për fëmijën tënd, me kë po shkon, kush i shoqëron…

Kjo natë mund të bëhet një festë që të jep mundësinë për të mësuar diçka. Fëmijët mund të marrin guxim të të bëjnë pyetje shpirtërore lidhur me këtë ngjarje. P.sh.: A ekziston vërtet djalli? A dalin fantazmat nëpër vende? A duhet ata të kenë frikë prej disa tregimeve që dëgjojnë në këtë kohë viti? Ndërsa askush nuk ka përgjigje definitive në lidhje me fantazmat dhe aktiviteteve paranormale, shumë prej nesh ndjekin një traditë të veçantë shpirtërore, dhe kjo është një kohë shumë e mirë për ta lidhur besimin tonë fetar me jetën reale. Për të krishterët, Halloween (Nata e shtrigave) është një mundësi e mirë për të folur në lidhje me traditën tonë të shenjtërve, në lidhje me pikëpamjet tona të vdekjes dhe ringjalljes. Dhe tregimet tona më të njohura mund t`i mbartim në kulturë. Tradita e krishterë (dhe ajo hebraike dhe myslimane) besojnë se e keqja ekziston, dhe ne kemi udhëzime për mënyrën se si i qasemi asaj – dhe si e shmangim atë.

Halloween na ndihmon për t’u përballur me anën e errët të jetës. Ose, mund ta përdorim këtë më shumë nga ana psikologjike, duke e quajtur këtë, me termat e Jungut, ana e hijes tonë. Në luajmë duke e frikësuar njëri-tjetrin për Halloween sepse frika është diçka që ka të bëjë me ne çdo ditë. Është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët e të rinjtë të mësojnë për tu përballuar me ndjenjat e tyre të frikës dhe t`i emërojnë ato më mirë sesa t`i ndrydhin dhe mohojnë ato. Ne vishemi pjesërisht si skelete, fantazma dhe vampirë, sepse kjo na ndihmon për tu ballafaquar me vdekjen. Nganjëherë përdorim një kostum për të shprehur një aspekt të personalitetit tonë që në një ditë normale nuk ndjehemi aq sigurt ose rehatshëm. Halloween mund të na lejojë të bëjmë disa punë që janë psikologjike dhe shpirtërore. Ta bëjmë atë në një kontekst që është i sigurt dhe pa sherr.

Këto zakone mund të hapin derën për ndikimin fetar. Të krishterët gjatë gjithë historisë kanë bërë zgjedhje rreth asaj se si të jenë të përfshirë në kulturën që i rrethonte. Disa mendojnë se ata duhet të qëndrojnë kundër kulturës dhe të japin një pamje jete shumë më ndryshe dhe me identitet të krishterë. Të tjerë përpiqen të përzihen me kulturën dhe të jenë pjesë e saj në mënyrë që të kenë qasje të lehtë te njerëzit për t`i dashur ata ashtu si Krishti na do të gjithëve. Dhe disa të tjerë përpiqen që të angazhohen në kulturë për ta ndryshuar atë duke e bërë atë më shumë jetëdhënëse dhe që i jep nder Zotit. Pa marrë para sysh se në cilin grup bën pjesë, festat kulturore paraqesin mundësi për angazhim. Ndoshta reagimi më pak efektiv ndaj kulturës është heshtja totale, e cila të tjerëve u duket si një mungesë shqetësimi dhe lloji më i keq i indiferencës.

Të gjithëve për shumë mot festa e Të Gjithë Shenjtërve dhe Shpirtrave të Purgatorit! Pa marrë para sysh a do hasni fantazma a vampirë, heronj a dështakë, thuaje ndonjë lutje falënderimi për një numër të madh shenjtërish dhe engjëjsh, të cilët e rrethojnë skenën e kësaj bote në të cilën jetojmë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »