Dita e Purgatorëve  – të krijuar për të jetuar në amshim

Nov 1 • Këndvështrime

Nga Don Lush Gjergji

 

Festa e të Gjithë Shenjtërve (1 nëntori) i paraprinë Ditës së Purgatorëve (2 nëntori) dhe na përkujton të vërtetën e fesë që jemi në Kishë me tri fytyra: Kisha  e  lumturuar – ajo që tashmë  e ka arritur cakun e shëlbimitKisha e purgatorëve – në pritje dhe pastrim të përkohshëm, para se të arrijnë në praninë dhe lumturinë e Zotit; Kisha udhëtare – ne që jemi ende në këtë jetë dhe botë, por me synime dhe orientime kah amshimi.

 

Çfarë kuptimi dhe domethënie ka kjo ditë dhe festë?

Së para na përkujton dhe vetëdijeson që jemi njerëz shtegtarë dhe kalimtarë, që i përkujtojmë dhe i lutemi Zotit, Shenjtërve dhe Shenjtëreshave, vëllezërve dhe motrave tona, që të na ndihmojnë për të jetuar denjësisht misionin dhe dërgimin tonë të krishterë.

Nga kjo vetëdije arrijmë deri te vlerësimi i kësaj bote dhe jete në prizmin e Zotit dhe të amshimit, që domethënë: ne e kundërvihemi vdekjes  me jetë, të keqes me të mirën, gënjeshtrës me  të vërtetën, urrejtjes me dashuri, pra, kemi mendime, qëndrime dhe veprime pozitive dhe konstruktive, sepse Jeta – Zoti na është dhuruar dhe na dhurohet gjithnjë, tash dhe në amshim.

Jeta, e begatuar nga feja, shpresa dhe dashuria, për ne është një dhuratë e cila ka fillim, me lindje dhe me pagëzimi, me jetën e krishterë në tokë, me kalimin tonë në amshim dhe shijimin e lumturisë së pasosur.

Kjo ditë na përkujton të vërtetën bazë të prejardhjes dhe jetës sonë: prej Zotit jemi, me Atë jetojmë dhe te Ai kthehemi, që është edhe thelbi i fesë dhe jetës sonë të krishterë.

Në kujtimin e të parëve tanë, si dhe në uratë dhe vepra të mira, bamirësie, në meshë dhe lëmoshë për ata, ne meditojmë mbi misterin e jetës dhe të vdekjes, që në prizmin e mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së Krishtit, na jep shpresë, siguri, se edhe ne do të jemi të ngjashëm dhe së bashku me të, në amshim

Lutja për të vdekur është e lashtë dhe gjendet edhe në Besëlidhjen e Vjetër, te Makabejt, sidomos te martirizimi i shtatë vëllezërve (khs.  2 Mak 7, 1- 42), dhe lutja për të vrarët (khs. 2 Mak 12, 36 – 46).

Në Kishën Katolike tradita e uratës dhe meshës për të vdekur është shumë e lashtë, pothuaj nga kohët apostolike. Formë të prerë liturgjike dhe festive  e kishte marrë më 2 nëntor  998, atëherë kur Shën Odiloni, murg benediktin nga abacia e Cluny-s, në jug të Francës, kishte caktuar dhe praktikuar këtë, duke i ftuar murgët, por edhe të tjerët, që të luteshin për shpirtra të  parëve – për  burgatorëve, që ende gjenden në pritje dhe pastrim të përkohshëm, para se ta fitojnë amshimin e lumtur.

Kjo traditë ka forma të ndryshme: pjesëmarrja në meshë, rrëfime dhe kungime, bamirësi, vizitë  kishave  dhe varrezave…

Papa Françesku thotë kështu: “Për ne që besojmë vdekja është një derë tërësisht e hapur; për ata që dyshojnë, ajo është një rreze drite… Për të gjithë ne është një hiri. Vetëm Jezusi e ka ndriçuar misterin e vdekjes… Edhe Jezusi ishte shqetësuar para varrit të mikut të tij, Lazrit, kishte shpërthye në vajë. Pastaj e kishte ngjallur… Të gjithë ne jemi të vegjël dhe të pambrojtur para vdekjes… Jezusi secilin prej nesh, pas ta merr për dore, do t’i thotë: Talita kum – çohu…”.

Shën Augustuni shkruan kështu: “Një lot për një të vdekur, zhduket. Një lule mbi një varrë, thahet. Një uratë për shpirtrat e tyre, Zoti e pranon”.

Kur lind ndonjë fëmijë, të gjithë gëzohen, vetëm fëmija qanë. Kur vdes dikush, të gjithë qajnë, ndërsa i vdekuri gëzohet sepse e ka arritur qëllimin e jetës – amshimin. 

Jezusi thotë: “Për njerëz është një punë që s’bëhet, porse Hyji mund të bëjë gjithçka” (Mt 19, 26).

 

Besoj në ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e pasosur. Amen”.

Besoj-ma ka disa domethënie dhe kuptime. Unë do t’i ceki tri më të rëndësishmet dhe jetësoret:

Besoj, së pari domethënë jo vetëm pranoj se ka Zot, por jetoj me Zotin dhe hirin e tij, me jetën e re mbinatyrore, të cilën e kemi fituar qysh me Pagëzim, kur jemi liruar nga mëkati i rrjedhshëm, jemi bërë bij apo bija të Zotit dhe anëtarë të Kishës.

Ky jetësim  dhe bashkëpunim me Zotin nëpërmjet të afërmit, njeriut, rritet, shtohet dhe zhvillohet gjithnjë me anë të jetës sakramentale, sidomos të rrëfimi dhe kungimit, ku takohemi, afrohemi dhe bashkohemi me mëshirën dhe faljen e Zotit, si dhe ushqehemi me Praninë dhe Dashurinë e tij në Gostinë hyjnore.

Domethënia e tretë është dëshmia e jetës së krishterë, apo bashkëndarja e asaj çka Zoti na ka dhuruar dhe bënë me ne, për t’i ndihmuar dhe afruar edhe të tjerët te Jezu Krishti, feja e krishterë, Kisha Katolike.

Shumë të krishterë e “ushqejnë” vetëm trurin, kokën, arsyen me të vërteta të fesë, por kurrë nuk kanë provuar dhe shijuar bukurinë dhe risinë e jetës së krishterë, amësinë shpirtërore të Kishës Katolike, misionin, dërgimin, dëshminë e krishterë, si ungjillëzim të ri dhe të vazhdueshëm.

Besoj në ngjalljen e të vdekurve dhe në  jetën e pasosur, çka domethënë konkretisht kjo për ne?

Që Zoti ynë Jezu Krishti realisht mori natyrën tonë njerëzore, u bë Njeri, ka jetuar dhe vepruar ndër ne dhe për ne, ka vdekur në kryq, është varrosur, dhe pas gjithë kësaj është ngjallur prej së vdekuri, si i tillë për 40 ditë është dëftuar apostujve dhe dëshmitarëve të zgjedhur,  tani qëndron në të djathtën e Atit.

Që i njëjti Jezu Krisht do të vijë për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit, për të dëshmuar dhe treguar se Ai është Sunduesi i të gjallëve dhe të vdekurve. Gjykimi, ose edhe më mirë, shpërblimi, do të jetë vetëm me një kriter: atë të dashurisë, sepse Jezusi thotë: Isha i uritur, etshëm, i sëmurë, në burg… dhe ju më keni shërbyer, ana pozitive, ose: Isha… e ju nuk më keni ndihmuar… (Khs. Mt 25, 31-43).

Dhe mbretëria e tij nuk do të ketë  mbarim, që dmth. krijimi i qiellit të ri dhe tokës së re, pas Gjyqit të përgjithshëm, kur edhe ne do të jemi me trup dhe me shpirt në Mbretërinë qiellore, ku s’do të ketë më vuajtje, pësime, lot, vdekje,  kufizime dhe pengesa kohore dhe hapësinore, por vetëm lumturi dhe amshim në shijimin e Zotit dhe të dashurisë së tij.

Pasojat për ne janë shumë të rëndësishme, sepse edhe trupi ynë i vdekshëm do të shndërrohet në përngjasim të trupit të Jezu Krishtit të ngjallur dhe të lumturuar ose lavdëruar, do të jetë i pavdekshëm dhe i lumturuar. Kjo e vërtetë e fesë së krishterë ka shumë pasoja konkrete, pikësëpari që njeriu trup dhe shpirt është i shëlbuar prej vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit, pra, është i pavdekshëm, i krijuar prej dashurisë dhe për dashuri, dhe për jetën e pasosur dhe lumturinë e amshuar.

Pasojat e fesë mbi ngjalljen e trupit dhe jetën e pasosur janë këtë:

Trupi ynë njerëzor nuk është vetëm banesa e shpirtit tonë të pavdekshëm, por edhe banesa apo “Tempulli i Shpirtit Shenjt”, gjymtyrë e trupit mistik – Kishës, i krijuar për t’u lartësuar dhe lavdëruar në amshim. “A nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit Shenjt që banon në ju e që e keni prej Hyjit dhe së ju nuk i përkisni më vetvetes? Sepse jeni të blerë me çmim të lartë. Prandaj, jepni lavdi Hyjit në trupin tuaj!” (1 Kor 6, 19-20). Mu për këtë ne besojmë dhe dëshmojmë se nuk jemi bijtë e vdekjes, siç thotë populli, por bijtë e Zotit dhe të jetës, të dritës, të dashurisë, të krijuar në mënyrë të mrekullueshme, edhe më mrekullisht të shëlbuar.

Zoti e shpërblen njeriun, trup dhe shpirt, apo e dënon njeriun, prapë trup dhe shpirt, me ballafaqimin personal me Zotin  fill pas kalimit në amshim, dhe me ngjalljen e trupit, pas mbarimit të kësaj bote dhe Gjyqit të përgjithshëm, sepse edhe trupi ynë është pjesëmarrës i shumë veprimeve, vuajtjeve, shtrëngimeve, mohimeve në luftën kundër mëkatit, veseve, dhe në krijimin e vlerave dhe virtyteve.

Ngjallja e Jezu Krishtit është hap dhe ngjarje konkrete unike dhe madhore për mbarë njerëzimin, fillimi i zbatimit të Mbretërisë qiellore, qiellit dhe tokës së re, ku të gjithë do të jemi në përngjasim me Jezusin e ngjallur dhe të lavdëruar.

Shi për këtë vdekja për ne të krishterët është vetë një fazë, thënë figurativisht, në “tunel” për të kaluar prej kësaj jete dhe bote në amshim.

Vetëm Jezu Krishti i ngjallur me Trup dhe me Shpirt rri në të djathtën e Atit dhe na pret edhe neve në amshimin e lumtur. Virgjëra Mari, nga kjo jetë dhe botë, po ashtu me trup dhe me shpirt, është së bashku me Birin, me Trinën e Shenjtë, si mbretëresha e engjëjve dhe shenjtërve, si ndërmjetësja e hireve.

Përse dhe si? Ajo ka kaluar qetë dhe pa dhembje nga kjo botë në amshim, apo siç shprehen teologët, etërit, besimi i Kishës, “dormivit in Domino”, fjeti në Zotin. Arsyet e këtij “privilegji” janë të shumta, si p. sh. lindi pa mëkatin e rrjedhshëm, ngjizi dhe lindi Jezu Krishtin në mënyrë virgjërore, nuk bëri kurrë asnjë mëkat, e pranoi dhe zbatoi plotësisht vullnetin e Zotit, ishte bashkëvuajtëse ne mundimin, vdekjen dhe varrosjen e Krishtit.

Këtë të vërtetë të fesë gjatë shekujve e ka definuar Papa Piu XII me Motu Proprio “Munificientissimus Deus” më 1 nëntor 1950. Teologjia me tri fjalë e përfshirë dhe përshkruan këtë privilegj dhe dhuratë: POTUIT – Pat mundësi; DOCUIT – ishtre e denjë dhe FECIT – e bëri.

Besimi në ngjalljen e të vdekurve dhe në jetën e pasosur ia kthen dinjitetin njeriut, mashkull apo femër, ia mundëson përngjasimin me Zotin, është përgjigjja më e fortë dhe më e bukur tendencave spiritualiste, që zhvlerësojnë trupin dhe jetën tokësore, si dhe atyre materialiste, hedoniste, konzumiste, ku njeriu, sidomos femra, shndërrohet në “mall” për argëtim, dëfrim, tregti, dhe ku jeta e pamoralshme, edhe ajo jo natyrore, “legalizohet” kinse në emër të lirisë dhe të demokracisë së rrejshme dhe mashtruese.

Askush prej nesh mos të ndahet prej varreza tona, prej kësaj Dite të shenjtë kushtuar të parëve tanë që kanë kaluar në amshim – Purgatorëve, pa ndonjë vendim të madh, të rëndësishëm, jetësor, që edhe ne gjithnjë dhe gjithkund ta njohim dhe plotësojmë vullnetin e Zotit.

Po, besoj në ngjalljen e të vdekurve dhe në jetën e pasosur, dhe për këtë jetoj, dua të jetoj si i krishterë, i frymëzuar nga feja dhe i udhëhequr nga dashuria. Bashkë me psalmistin të themi: “Scio videre bona Domini in terra viventium” – e di se do t’i shohë të mirat e Zotit në tokën e të gjallëve./drita.info

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »