Pse të krishterët besojnë në jetë pas vdekjes?

Nov 1 • Këndvështrime

Këtu po i sjellim edhe disa pyetje-përgjigje, nga Katekizmi i Kishës Katolike për të rinj, “Youcat”, lidhur me çështjet besimit në jetën e pasosur, që mund t`ju shërbejnë për bashkëbisedim me fëmijët tuaj apo me të tjerët, ose për të thelluar besimin e vërtetë të krishterë në jetën tënde personale.

 

Përse besojmë në ngjalljen e të vdekurve?

Ne besojmë në ngjalljen e të vdekurve, sepse Krishti është ngjallur nga të vdekurit, jeton përgjithmonë dhe na lejon të marrim pjesë në këtë jetë të amshuar.

Kur një njeri vdes, trupi i tij varroset ose digjet. Megjithatë ne besojmë që ka një jetë pas vdekjes për këtë njeri. Jezusi në ngjalljen e tij është treguar si Zot mbi vdekjen; fjala e tij është e besueshme: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta. Kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë.” (Gjn 11,25b). (nr. 152)

Përse besojmë ngjalljen e “mishit”?

Në Jezu Krishtin, Hyji vetë e mori vetë “trupin” (mishërimi) për ta shpëtuar njeriun. Fjala biblike `trup` shënjon njeriun në dobësinë dhe vdekshmërinë e tij. Hyji nuk e shikon trupin e njeriut si diçka inferiore, më pak të vlefshme. Hyji nuk e shpëton vetëm shpirtin e njeriut, por e shpëton atë si tërësi, me trup e shpirt. Zoti na ka krijuar me trup (mish) dhe shpirt.

Zoti na ka krijuar me trup (mish) dhe shpirt. Ai nuk lejon “mishin”, d.m.th. tërë krijimin, në fund të botës thjesht të bie si një lodër e vjetër. Në `ditën e fundit` do të na ngjall në mish – kjo do të thotë: Ne do të shndërrohemi, mirëpo do të ndihemi megjithatë në elementin tonë. Edhe për Jezusin të qenit-në-mish nuk ka qenë epizodë. Kur është shfaqur i Ngjalluri, nxënësit ia kanë parë varrët e tija të trupit. (nr. 153)

 

Ç`ndodhë me ne kur vdesim?

Në vdekje trupi dhe shpirti ndahen nga njëri-tjetri. Trupi kalbet ndërsa shpirti i del përpara Zotit dhe pret që në Ditën e Gjyqit të ribashkohet me trupin e tij të ngjallur.

Ringjallja e trupave tanë është një mister. Një imazh mund të na ndihmojë që pak a shumë ta kuptojmë: duke e shikuar kokrrën e tulipanit, nuk mund të shohim se çfarë lule e bukur do të zhvillohet në tokë të errët. Pra, ne nuk dimë asgjë për pamjen e ardhshme të trupit tonë të ri. Pali, megjithatë, është i sigurt: “Mbillet në çnderim e ngjallet në lavdi; mbillet në dobësi e ngjallet në fuqi!” (1 Kor 15,43a). (nr. 154)

 

Si na ndihmon Krishti në vdekje, nëse kemi besim në të?

Krishti na del përpara dhe na çon në jetën e amshuar. “Nuk do të vijë për të më marrë vdekja, por Zoti” (Shën Terezja Lizjë).

Duke shikuar mundimin dhe vdekjen e Jezusit vetë vdekja mund të bëhet më e lehtë. Në aktin e tij të mirëbesimit dhe dashurisë ndaj Atit ne mundemi të themi “po”, siç ka bërë Jezusi në kopshtin e Gjetsemanit. Një qëndrim të tillë e quajmë `fli shpirtërore`: ai që ndodhet në prag të vdekjes bashkohet me flinë e Krishtit në kryq. Kush vdes kështu me mirëbesim në Zotin dhe në paqe me njerëzit, pra pa mëkate të rënda, është në rrugën e bashkimit me Krishtin e ngjallur. Vdekja jonë nuk na lë të biem më poshtë se në duart e tija. Ai që vdes, nuk udhëton askah, por kthehet në shtëpi në dashurinë e Zotit, e cila e ka krijuar atë njeri. (nr. 155)

 

Ç`është jeta e amshuar?

Jeta e amshuar (e pasosur) fillon me pagëzim. Ajo kalon nëpër vdekje dhe nuk do të ketë mbarim.

Por edhe atëherë, kur jemi të dashuruar, duam që kjo gjendje të mos pushojë më. “Hyji është dashuri”, thotë letra e parë e Gjonit (1 Gjn 4,16). “Dashuria,” thotë Letra e Parë drejtuar Korintasve, “nuk mbaron kurrë” (1 Kor 13,8). Hyji është i përjetshëm, sepse ai është dashuri; dhe dashuria është e përjetshme sepse është hyjnore. Kur jemi në dashuri, hyjmë në praninë e pafund të Hyjit. (nr. 156)

 

A do të vendosemi pas vdekjes para gjyqit?

I ashtuquajturi gjyqi i veçantë apo edhe personal ndodh në momentin e vdekjes së individit. Gjyqi i Përgjithshëm, që quhet edhe Gjyqi i fundit ndodh në Ditën e Fundit, pra, në fund të botës, në Ardhjen e Dytë të Zotit.

Çdo njeri që në çastin e vdekjes del para momentit të së vërtetës. Tani asgjë nuk mund të ndrydhet dhe të fshehet, asgjë më të ndryshohet. Zoti na sheh ashtu siç jemi. Ne dalim para gjyqit, bërjes-drejtë të tij, për shkak se në praninë e shenjtë të Zotit mund të jemi vetëm “të drejtë” ose fare të mos jemi – ashtu të drejtë, siç na dëshironte Zoti kur na ka krijuar. Ndoshta na duhet të kalojmë nëpër një proces pastrimi, ndoshta mund të zhytemi menjëherë në krahët e Zotit. Mirëpo ndoshta jemi me aq shumë shpirtligësi, urrejtje, plot xhelozi ndaj gjithçkaje, sa që përgjithmonë e largojmë fytyrën nga dashuria, nga Zoti. Por një jetë pa dashuri nuk është tjetër pos ferr. (nr. 157)

Ç`e përbën qiellin?

Qielli është moment i pafund dashurie. Asgjë nuk na ndan më nga Hyji, të cilin shpirti ynë e dashuron dhe që e ka kërkuar gjatë gjithës jetës. Së bashku me të gjithë engjëjt dhe shenjtërit guxojmë t`i gëzohemi përgjithmonë Hyjit dhe me Hyjin.

 

Kush e vështron një çift që me dashuri shikon njëri-tjetrin; kush e sheh një foshnje sesi gjatë marrjes së gjirit i kërkon sytë e nënës, sikur dëshiron të ruajë përgjithmonë çdo buzëqeshje – ai mund ta paramendojë pak a shumë qiellin. Të guxosh ta shikosh Hyjin, ballë për ballë – kjo është si një moment i vetëm i pafund dashurie. (nr. 158)

 

Ç`është purgatori?

Purgatori, shpesh herë i paraqitur/përfytyruar si vend, më parë duhet thënë se është një gjendje. Kush vdes në hirin e Zotit (pra në paqe me Hyjin dhe njerëzit), por që ka nevojë për pastrim, para se të mund ta shohë Hyjin fytyrë më fytyrë – ai është në purgator.

Kur Pjetri e tradhtoi Jezusin, Zotëria u kthye kah ai dhe e shikoi Pjetrin: “Dhe Pjetri doli jashtë dhe qau me lot për faqe” – një ndjesi kjo si në purgator. Një purgator i tillë me siguri na pret shumicën prej nesh në momentin e vdekjes sonë: Zoti e  lëshon mbi ne shikimin e tij plot dashuri dhe ne e përjetojmë turpin djegës dhe pendimin e dhimbshëm për të këqijat tona ose sjelljen tonë të keqe, ose që ka qenë “vetëm” pa dashuri. Vetëm pas kësaj dhimbje pastruese do të bëhemi të aftë për ta takuar shikimin e tij dashurues në gëzimin e kthjellët, të përsosur qiellor. (nr. 159)

 

A mund t`iu ndihmojmë të vdekurve që ndodhen në gjendjen e purgatorit?

Po, meqenëse të gjithë të pagëzuarit në Krishtin përbëjnë një bashkësi dhe janë të lidhur me njëri-tjetrin, të gjallët mund edhe t`u ndihmojnë shpirtrave të të vdekurve në purgator.

Kur njeriu ka vdekur, ai nuk mund të bëjë më asgjë për veten e tij. Koha e lëvizjes aktive ka kaluar. Mirëpo ne mund të bëjmë diçka për të vdekurit e purgatorit. Dashuria jonë depërton në jetën e përtejme. Nëpërmjet agjërimeve, lutjeve, bamirësive, por para së gjithash me anë të kremtimit të eukaristisë (meshës) së shenjtë mund të nxjerrim mëshirën, hirin e Zotit për të vdekurit. (nr. 160)

 

A mund të përputhet ezoteria me besimin e krishterë?

“Jo. Ezoteria e anashkalon realitetin e Hyjit. Hyji është qenie personale; ai është dashuri dhe burimi i jetës, jo një energji e ftohtë kozmike. Njeriu është i dashur dhe i krijuar prej Hyjit, mirëpo njeriu vetvetiu nuk është hyjnor, por krijesë e plagosur nga mëkati, e rrezikuar nga vdekja dhe që ka nevojë për shpëtim. Gjatë kohës që ezoterikët në përgjithësi mendojnë se njeriu mund ta shpëtojë vetveten, të krishterët besojnë se Jezu Krishti dhe hiri hyjnor është shpëtimi i vetëm. Gjithashtu, as natyra dhe as gjithësia nuk janë Hyj (= Panteizmi). Krijuesi, me gjithë dashurinë për ne, është pafundësisht shumë më i madh dhe më ndryshe se çdo gjë që ka krijuar.

Shumë vetë sot për shkak të shëndetit merren me jogë (yoga), marrin pjesë në kurse meditimi, për t`u qetësuar dhe t`u përqendruar, ose marrin pjesë në kurse kërcimi për të arritur një përvojë të re të trupit të vet. Këto teknika nuk janë gjithmonë pa rrezik. Nganjëherë janë mjete të mbartjes së një mësimi që është i huaj për mësimin e krishterë: ezoterisë. Asnjë njeri racional s`do të pranojë një botëkuptim të tillë irracional ku gëlojnë shpirtra, dreqër dhe engjëj (ezoterikë), ku njerëzit besojnë në magji dhe që “të shuguruar” posedojnë njohuri të fshehta që për “njerëzit e trashë (jo të zgjuar)” mbesin të pazbuluara. Që në Besëlidhjen e Vjetër janë vënë në dukje besime në hyjni dhe shpirtra të kombeve përreth. Vetëm Hyji është Zot dhe nuk ka asnjë Hyj tjetër veç atij. Dhe nuk ekziston kurrfarë teknike (magjike) me të cilën njeriu mund ta largojë/dominojë “hyjnoren”, të mund t`ia imponojë universit dëshirat vetjake dhe ta shpëtojë vetveten. Nga pikëpamja e krishterë shumë gjëra në ezoteri janë besëtytni ose okultizëm.” (nr. 256).

Përgatiti: Don Shtjefen Dodes

Shpërndaje

Comments are closed.

« »