Njohja e Zotit na largon frikën nga vdekja

Nov 2 • Meditimi i ditës

2 nëntor 2017 – E enjte, Shpirtrat e Purgatorit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Nga Rendi i salikimeve (sipas dëshirës): Job 19,1.23-27a; Ps 27,1.4-5.7.8b-9a,13-14; Rom 5,5-11; Gjn 6,37-40)

 

Prania e Hyjit

Shpirti im shumë e dëshiron praninë tënde, o Zot.

Kur i drejtoj mendimet e mia kah ti,

e gjej paqen dhe pushimin.

 

Liria

O Zot, ma dhuro hirin e lirisë së shpirtit.

Ma pastro shpirtin dhe zemrën në mënyrë që të mund të jetoj gëzueshëm në dashurinë tënde.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – raporte, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Gjn 6, 37-40

 

Jezusi tha:

37 Të gjithë ata që m’i jep Ati

do të vijnë tek unë

dhe atë që vjen tek unë,

s’do ta qes jashtë,

38 sepse zbrita prej qiellit,

jo për të bërë vullnetin tim,

por vullnetin e atij që më dërgoi.

39 E vullneti i Atij që më dërgoi është

të mos humbë asnjë

prej atyre që më dha,

por t’i ringjall në ditën e fundit.

40 Po, ky është vullneti i Atit tim,

që, kushdo sheh Birin

dhe beson në Të,

ta ketë jetën e pasosur

e unë do ta ringjall në ditën e fundit.”

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në këtë ditë– të Shpirtrave të Purgatorit, përkujtimit të të gjithë besimtarëve të vdekur – jemi në bashkim me miliona njerëz që kanë shkuar te Zoti. Çka syri nuk pa, as veshi nuk dëgjoi, as nëzemrën e njeriut nuk hyri, këtë ua përgatit Hyji atyre që e duan.
    • Sa më shumë di për ty, o Zot, aq më pak frikësohem nga vdekja.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët tua, o Zot, më mësojnë  se si duhet të lus.

Urata e mrekullueshme Ati ynë

përmban  gjithçka dua të them.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »