Don Anton Muzaj, biri i martirëve të Karadakut – martir i kishës shqiptare (1921-1948)

Nov 3 • Kisha në Kosovë

Nga Don Lush Gjergji

 

Don Anton Muzaj lindi në Vërnakollë, famullia e Letnicës, në vitin 1921. Prindërit e tij, Dejk Muzaj dhe Dile lind. Gjergji-Muzaj, përpos Antonit patën e dhe dy djem: Mikën dhe Fitorin.

Familja e tij ishte mjaft e varfër materialisht, por shumë e pasur shpirtërisht, me fe të gjallë, përshpirtëri të thellë, edukim të shëndoshë dhe të kujdesssëm me plot dashuri, si u ka hije bijëve të martirëve, kur dihet se ku vendbanim ishte pjesëmarrës në martirizimin e Stubllës, Binçës, Vërnakollës dhe Terzijajve gjatë viteve 1846-1848.

Shpirti dhe zemra e familjes ishte nëna Dile, e cila dallohej në mirësi, përshpirtëri dhe në urti. Kam pasur fat ta njoh personalisht dhe të takohesha shpesh me të, sepse ishte nga familja jonë e Gjerë Gjergji.

Ishte vërtet grua tejet e dashur, bujare, shumë e duruehme, e përshpirtshme, e shenjtë. Gjithnjë mi tregonte fotografitë e shugurimit dhe të Meshës së Parë të Don Antonit tonë, si thoshte ajo, dhe nuk ishte e sigurtë se kishte vdekur, por disi shpresonte se ndoshta mund të ishte ende gjallë. Jetonte për ndonjë takim të mundshëm në të ardhme.

Dhe me siguri se u takuan me Birin dhe Meshtarin martir në amshim!

Pas shugurimit dhe Meshës së Parë të Don Ndue Gjergjit, Don Alkesandër Kolës dhe Don Lush Gjergjit, 11 dhe 12 gusht 1973, “dada Dile” ishte aq e lumtur, sa që na tha kështu: “Sot po më duket se erdhi Don Antoni ynë… Tash jam aq e gëzueshme sa që mund t’i mbylli sytë e të kaloj në amshim, se mu ka plotësuar dëshira e shpirtit dhe të zemrës, tre vëllazër të mi janë meshtarë dhe i shërbejnë elterit të  lumit Jezu Krisht…”.

Në pleqëri përjetoi  vdekjen e papritshme të djalit Mikës, gjatë natës në gjumë. Nga malli, mërzia, lotët, si dhe nga pleqëria gati terësisht e humbi pamjen, sytë, por kurrë nuk e humbi duresën, fenë, kuptimin e flijimit, dritën e shpresës në jetën e pasosur.

Si fëmijë “Toni i vogël”, kështu e quanin me dashuri në familje, kishte prirje për uratë dhe për jetën shpirtërore, si dhe për mësim. Baba i tij, Dejku, ishte shërbëtor, një lloj “sakristani” në Letnicë, dhe Tonin e vogël shpesh e merrte me vete. Ai i dint shumë uratë përmendësh, ishte shumë inteligjent. Gjatë një vizite në shenjtëroren e “Zojës Cërnagore” në Letnicë “ipeshkvi i thatë”, si e quante populli, Ivan Gnidoveci, ishte habitur dhe mahnitur me dijen e djalit të vogël dhe të mrekullueshëm. I kishte pasë thën babës Dejk kështu: “ A po ma falë këtë djalë për meshtar!”.

Baba i mirë dhe i përshpirtshëm i kishte përgjegjur kështu: “Nuk është i imi, por i Zotit, sepse Ai ma ka falur… Nëse e thirrë Zoti, falë të qoftë!”.

Dhe Zoti ndoshta edhe nëpërmjet “ipeshkvit të shenjtë” – Gnidovecit, e thirri në rrugën e meshtarisë, më vonë edhe të martirizimit dhe të shenjtërisë.

Ishte nxënës dhe seminarist në Prizren, por pas një mosmarrëveshjeje me eprorët e atëhershme të seminarit, ai së bashku me një seminarist tjetër shkoi në Shkodër. Pas seminarit qe dërguar në studime filozofiko-teologjike në Romë, në Universitetin e “Propaganda Fide”, Urbanianum, ku ishte shembullor, si me sjellje, po ashtu edhe me mësim dhe jetë shpirtërore.

Shugurimin meshtarak e pati në Romë më 19 mars 1945. Së bashku me kolegët tjerë meshtarë u kthye në Shqipëri me urdhër të Prefektit të Kongregatës “Propaganda Fide”, kardinal Pietro Fumasoni Biondi. Fill  pas kthimit që emëruar Kancelar i arqipeshkvisë së Shkodrës, në vend të Don Tomë Lacës, i cili ishte dënuar nga komunistët me 101 vjet burgim.

Edhe arqipeshkvi Imzot Gaspër Thaçi (1889-1946) qe dënuar me burgim shtëpiak dhe vdiq në rrethana tejet të vështira, misterioze dhe të pandriçuara më 25 maj 1946.

Argjipeshkvia e Shkodrës, si edhe mbarë Kisha katolike në Shqipëri, ishte në gjendje tejet të vështirë, në sprova shumë të rënda.

Don Anton Muzaj, si dhe shokët e tij meshtarë të ardhur në Shqipëri, pas studimeve në Romë, qysh në fillim trajtoheshin nga qeveria komunisto-ateiste e Enver Hoxhës si “spiunë dhe armiq të popullit”.

Në vitin 1948 qe burgosur dhe dënuar me mundime të llojllojshme deri në vdekje (14. 01. 1948). Për shkak të rrahjeve, mundimeve, urisë, punës së dhunshme, si duket mori sëmundjen e rëndë dhe të pashërueshme të tuberkulozit,  vdiq në pranverë të vitit 1948 në moshën 27 vjeçare vdiq.

Para se të vdiste e lëshuan në shtëpi, për të “dëshmuar” se nuk ka vdekur nga torturat dhe mundimet e papërshkrueshme në burg.

Një femër nga Shkodra, e cila kishte qenë së bashku me të burg, më ka dëshmuar këtë: “Çdo ditë disa herë e rrahnin dhe mundonin. Ai heshtte dhe lutej. Aty-këtu shëmonte dhe gjimonte, sidomos disa ditë para se të vdiste, sepse tashmë nuk kishte fuqi fizike, por ishte shumë i fortë dhe i vendosur shpirtërisht… Ishte koha dimërore. Në qelinë e tij, ishin disa kofa me ujë të ftohtë dhe kushdo të kalonte prej të burgosurve, duhej t’ia hidhte ujin në trup, për ta mërdhi dhe munduar edhe më shumë… Gjithnjë kollitej nga sëmundja dhe të ftohti dhe në rrethana të tilla tashmë ishte para vdekjes së paevitueshme… Për mua Don Anton Muzaj ishte martirë dhe meshtar i  shenjtë…”.

Don Anton Muzaj i shkruante rregullisht hallës time Mrika Gjergji, tezës së tij, si sa ishte në studime në Romë, ashtu edhe si meshtar nga Shkodra. Ajo ishte murgeshë shtëpiake dhe atëherë shërbente salezianët në Ferizaj. Dy javë para se të vdiste, pra, kur ende ishte në burg, ndër të tjera i shkruante hallës Mrikë kështu: “Unë jam mirë. Lute Zotin që të qëndroj deri në fund të jetës time…”.

Nga dorëshkrimi i tij e hetova se nuk ishte mirë”, më thoshte halla Mrikë “por askush nuk e dinte se ishte në burg. Pas dy jave më erdhi telegrami në Ferizaj me lajmin e zi: “ Pas sëmundjes së shkurtër vdiq në Shkodër Don Anton Muzaj”.

Ajo këtë telegrami e ka ruajtur gjatë tërë jetës në libra të ndryshme të uratës, si një kujtim personal dhe një dëshmi për Don Antonin tonë, si shprehej ajo gjithnjë.

Don Anton Muzaj ishte dhe mbeti meshtar besnik i Jezu Krishtit dhe i Kishës katolike. Me vdekjen martire ai e vulosi dashurinë e madhe për Fe dhe për Atdhe, fenë e gjallë, shpresën e ngultë dhe dashurinë e madhe për  jetën  e amshuar.

Papa Françesku e shpalli Të lum  në Shkodër më 5 nëntor 2016, së bashku me Martirët tjerë Shqiptarë, 38 në krye me Imzot Vinçenc Prenushin./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »