PËRKUJTIM: Njëvjetori i lumnimit të martirëve shqiptarë
Për të shënuar njëvjetorin e lumnimit të Imzot Vinçenc Prenushit me 37 shokëve martirë, të njohur tashmë në opinion si Martirët Shqiptar të kohës së komunizmit, të cilët dhanë jetën për Krishtin dhe popullin tonë, Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, do të zhvillojë disa kremtime liturgjike në nivel kombëtar, të cilës do t’i bashkëngjitet edhe Kisha jonë në Kosovë.
Të shtunën, më 4 nëntor, në ora 11:00, në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, do të kremtohet mesha solemne për nder të martirëve, në të cilën marrin pjesë të gjithë ipeshkvijtë e Shqipërisë, e do të bashkëngjitet në kremtim ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergj, Imzot Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivari dhe Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv emeritus i Tivarit.
Kurse të dielën, kremtimi do të vazhdojë të zhvillohet në nivel dioqezash shqiptare – Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi – duke kremtuar meshë për martirët shqiptarë në të gjitha famullitë.
Martirët shqiptarë u shpallën të lumë, më 5 nëntor 2016, nga i dërguari i posaçëm i Papa Françeskut, kardinali Angelo Amato në Katedralen e Shkodrës. Në mesin e 38 martirëve ishin dy meshtarë nga Kosova, Don Shtjefën Kurti dhe Don Anton Muzaj.
Këta dëshmitarë të fesë e të kombit, që e mbajtën të pashuar fenë në Shqipëri, janë nxitje dhe inspirim për gjeneratat tona që të shkojmë gjurmëve të tyre për të dëshmuar Krishtin në shoqërinë tonë, me fe e guxim./drita.info
Martirët e lumë Shqiptarë – lutuni për ne!
« Të shkosh përtej përshtypjes së parë Don Shtjefën Kurti – dëshmor i fesë dhe lirisë (1897-1971) »