Të shkosh përtej përshtypjes së parë

Nov 3 • Meditimi i ditës

3 nëntor 2017 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rom 9,1-5; Ps 147,12-13.15-16.19-20; Lk 14,1-6)

 

Prania e Hyjit

“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj ta kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, çfarë jam duke ndierë sot në vete?

A jam ndoshta i/e lodhur, me stres apo jashtë forme?

Nëse diçka nga kjo ekziston në mua,

a mund të provoj t`i largoj këto brenga që po më shqetësojnë?

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjali apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Lk 14, 1-6

 

1 Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas. 2 Kur, ja, para tij një njeri i sëmurë me hidropizi. 3 Atëherë Jezusi mori fjalën e u tha mësuesve të Ligjit e farisenjve:

“A është e lejueshme të shërosh të shtunën apo jo?”

4 Ata heshtën. Atëherë Jezusi e mori për dore të sëmurin, e shëroi dhe e nisi të shkojë. 5 Atyre pastaj u tha:

“Cili prej jush po i ra djali ose kau në pus nuk ka për ta nxjerrë menjëherë ditën e shtunë?”

6 Ata s’mundën t’i përgjigjen në këto fjalë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

  • Shpesh mund t`i gjykojmë të tjerët në bazë të përshtypjes së parë, pa u përpjekur që ta kuptojmë se çfarë ndodh me të vërtetë. Kjo mund të jetë shumë e dhimbshme kur më ndodh mua personalisht.
  • Është hir të jesh në gjendje t`i trajtosh të tjerët ashtu siç dua të më trajtojnë të tjerët mua.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë

që edhe më shumë të kërkoj.

Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »