Zoti, burimi i vërtetë i çdo të mire

Nov 4 • Meditimi i ditës

 4 nëntor 2017 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rom 11,1-2a.11-12.25-29; Ps 94,12-13a.14-15.17-18; Lk 14,1.7-11)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment dhe mundohem të ndërgjegjësohem se Hyji është i pranishëm:

Në afërsinë time, në atë çka bëj, në njerëzit që i takoj,

në rrethanat e përditshme në të cilat ndodhem.

Si mund ta bëj këtë realitet edhe më të gjallë?

 

Liria

Vdekja jote në kryq më ka liruar.

Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë nga vdekja.

Mëshira jote nuk njeh kufij.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Të falënderoj për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të përqendrohem dhe të jem i/e qetë si dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Që ta sodis bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë nevojitet të jem i/e vetëdijshëm se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.

Duhet të përgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj …

 

Lk 14,1.7-11

 

1 Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas.

7 Duke vënë re se si të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë:

8 “Kur ndokush të të ftojë në dasëm, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë që duhet nderuar më tepër se ti, 9 që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’ Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit. 10 Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka grishur, të të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’ Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve. 11 Vërtet, kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Me imazhin e gostisë dasmore, Jezusi na tërheq vëmendjen që ta shohim se si sillemi me të tjerët. Imazhi/ideja që e kemi për vetveten si dikush që kërkon njohje të veçantë mund të jetëshkatërrues/e.
  • Kur i përdorim me kënaqësi talentet/dhuntitë që Hyji na ka dhënë për t`iu shërbyer të tjerëve, e pranojmë se Hyji është burimi i vërtetë i çdo gjëje të mirë. Atëherë e kuptojmë se ne jemi të gjithë të barabartë në sytë e Hyjit.

 

Bashkëbisedimi

Shpirti Shenjt më udhëheqtë

në marrëdhëniet e mia me njerëzit e tjerë.

Bëj që me vëmendje ta përdori dhuratën e të folurit.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »