I/e thirrur në një marrëdhënie të afërt me Zotin

Nov 5 • Meditimi i ditës

 nëntor 2017 – E diela  31-të gjatë vitit (A), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Mal 1,14b – 2,2b.8-10; Ps 131,1-3; 1Sol 2,7b-9.13; Mt 23,1-12)

 

Prania e Hyjit

Ndërgjegjësohem se jam në praninë tënde, o Zot.
Po mbështetem në zemrën tënde të butë.
Në momentet e dobësisë ti je fuqia ime.
Në momentet e trishtimit ti je ngushëlluesi im.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës
si dhe gjithmonë ta nderoj të drejtën e jetës të njerëzve të tjerë.

 

Ndërgjegjësimi

Kur t`u kthehem detyrave të mia të përditshme,
ma përkujto, o Zot,
se je gjithmonë afër meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 23, 1-12

 

1 Atëherë Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet:
2 “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. 3 Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. 4 Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë.
5 Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët. 6 Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, 7 përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.
8 Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. 9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë ‑ atë që është në qiell! 10 Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës ‑ sepse keni vetëm një Udhëheqës ‑ Krishtin! 11 Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. 12 Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Të jesh nxënës do të thotë t`i braktisësh njohjet ose shpërblimet. Nganjëherë e ndiej veten se kam merituar më shumë mirënjohje dhe vëmendje për atë çfarë bëj. Tani e shoh se sa lehtë është të shmangesh nga rruga së cilës ka shkuar Jezusi. Sërish e lus ndihmën e tij.
  • Teksa falënderoj për të gjithë ata që i kam pasur mësues dhe udhëheqës, vij para Zotit duke kuptuar që askush nuk mund të qëndrojë në mes meje dhe atij. Jam i/e thirrur në një marrëdhënie të afërt me Zotin, jo në bazë të ndonjë jehone, por në bazë të zërit të qartë që kërkon t`i flasë zemrës sime.

 

Bashkëbisedimi

Çfarë ndodh kur lus?
A jam i ngushëlluar, i shqetësuar, apo indiferent?
E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo ulur pranë meje
dhe ia them të gjitha çfarë ndjej.
Ndoshta me fjalë të ngjashme si këto:
Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time. 
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime. 
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua. 
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time. 
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje. 
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »