Takimet biblike mujore në Prishtinë

Nov 5 • Kisha në Kosovë

Të grishur nga thënia e famshme e Shën Jeronimit, përkthyesit të Biblës, se kush nuk e njeh Shkrimin e shenjtë, nuk e njeh Krishtin, Famullia e Prishtinës në bashkëpunim me Pastoralin Studentor në Ipeshkvinë e Kosovës, ka filluar TAKIMET BIBLIKE mujore, të cilat do të zhvillohen në ambientet e Rezidencës së Ipeshkvisë në Prishtinë.

Takimi i parë u mbajt të martën e fundit të tetorit, me temën “Si duhet ta lexoj/kuptoj Biblën?” për të cilën ishte i ftuar të flas Don Alfred Sokoli, vikar i famullisë Zoja Ndihmëtare në Prizren.

Në fillim të takimit Don Fatmir Koliqi, famullitari i Prishtinës dhe përgjegjësi për pastoralin studentor, shpjegoi arsyen e fillimit të këtyre takimeve, duke i cilësuar një ecje për ta njohur Zemrën e Zotit, për ta njohur dashurinë e madhe që Hyji ka treguar për njeriun. Gregori i Madh e quan Biblën letër dashurie për shëlbimin tonë. Bibla – tha Don Fatmir – është kodi i qytetërimit tonë perëndimor, kodi i letrave tona shqipe. Letërsia e mirëfilltë botërore dhe shqiptare, në të cilat është derdhur estetikisht shpirti i njeriut, është e vështirë të kuptohet pa e kuptuar Biblën. Prandaj, e shoh të domosdoshme – vazhdoj ai– që ta bërë një ecje të përbashkët në njohjen e saj, të futemi në botën e Biblës për ta ndërtuar një bashkësi sipas zemër së Zotit dhe një qytetërim dashurie.

Por, çfarë duhet të di para se ta marr në dorë e të filloj të lexoj Biblën, të hy e të kuptoj këtë Zemër që i flet zemrës së çdo njeriu, ishte pyetja që nisi shtjellimin e një hyrje të gjerë e gjithëpërfshirëse për Biblën, një histori e marrëdhënieve të Zotit me njeriun- njerëzimin.

Ligjëruesi paraqiti një historik përmbajtjesor të librave të biblës, çështjen e inspirimit, mentalitetin e popullit, gjuhën, stilet dhe gjinitë letrare në të cilat janë shkruar tekstet e saja, për të pasur parasysh se Bibla është në fakt një bibliotekë librash me zhanre të ndryshe, që duhet të kihen parasysh për të kuptuar mesazhin që gjendet në rreshtat e saj.

Ky takim i parë ishte një hyrje, e cila do të shërben si themel për  takimet tjera që do të pasojnë muaj pas muaji. Takimi i radhës do të ketë për temë Lectio divina – një metode leximi dhe meditimi tradicional i Biblës, e përdorur ndër shekuj në Kishën Katolike.

Takimet biblike mujore tentojnë të bëhen një shkollë leximi, dëgjimi e meditimi e Biblës./drita.info

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »