Gëzimi i dhurimit falas

Nov 7 • Meditimi i ditës

7 nëntor 2017 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rom 12,5-16a; Ps 131,1-3; Lk 14,15-24)

 

Prania e Hyjit

E pranishme për mua është ajo që ndikon në të jetuarit tim.
E marr me mend praninë e Hyjit, i cili është gjithmonë afër meje me dashuri, 
në mesin e shumë gjërave që po ashtu ndikojnë në mua.
Ndalem dhe lus që t`i lejoj
që të ndikojë në ekzistencën time, në jetën time, në këtë moment.

 

Liria

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetë dëshirave të mia më të thella,

Duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.

Lus për hirin shenjtërues që t`i lejoj Shpirtit që të më mbushë me plotësi.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem sa më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën time me mirënjohje për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin tënd ndaj meje.

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.

Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Lk 14,15-24

 

15 Një njeri prej të grishurve në tryezë, kur i dëgjoi këto fjalë, tha:

“Lum ai që do të marrë pjesë në gostinë e Mbretërisë së Hyjit!”

16 Jezusi i tha:

“Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe grishi shumë vetë. 17 Në kohën e darkës çoi shërbëtorin e vet t’u thotë të grishurve: ‘Ejani se gjithçka është gati!’ 18Por të gjithë ‑ si të ishin marrë vesh ‑ zunë të përligjen: i pari tha: ‘Bleva një arë, më duhet të shkoj ta shoh, të lutem: më arsyeto!’ 19 I dyti tha: ‘Bleva pesë pendë qe e po shkoj t’i sprovoj. Të lutem, më arsyeto!’ 20 I treti tha: ‘U martova e prandaj s’mund të vij!’

21 Shërbëtori u kthye dhe ia tregoi të gjitha zotërisë së vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, i zemëruar, i tha rrogëtarit të vet: ‘Shko vrap në tregje e rrugëve të qytetit e bjer këtu lypës, të gjymtë, të verbër e të shqeptë!’ 22 Shërbëtori i tha: ‘Zotëri, si urdhërove ti u bë, por vend ka më.’ 23 E zotëria i tha shërbëtorit: ‘Dil në rrugë e afër gardheve e shtrëngoji njerëzit të vijnë e të ma mbushin shtëpinë.’

24 Unë po ju siguroj se asnjë prej atyre njerëzve që qenë të grishur, s’do ta shijojë darkën time!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezus, sa shpesh ndodh që kur jap, lejoj të korruptohem me interesin vetjak, egoizmin tim dhe me shpresën se tjetri do të ma kthej shërbimin.
  • Më ke dhënë shumëçka pa pritur se do ta rikthej shërbimin. Ty nuk mund të bëj shërbime. Më ke mësuar se të duash do të thotë të japësh pa pritur se do të ma kthejnë të tjerët, se është më e gëzueshme të japësh sesa të marrësh.

 

Bashkëbisedimi

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i/e gatshëm/e edhe të dëgjoj gjithçka që ai dëshiron të më thotë.

Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës ndërsa më vështron.

Mund të jem krejt i/e sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.

Ia hapi zemrën kur i flas për frikën dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund të mbështetem në përkujdesjen e tij,

i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë di ç`është më së miri për mua.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që më dhe gjatë këtyre pak momenteve që i kalova vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »