Të mësosh se si të jetosh me kryqe

Nov 8 • Meditimi i ditës

8 nëntor 2017 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rom 13,8-10; Ps 112,1-2.4-5.9; Lk 14,25-33)

 

Prania e Hyjit

Kur jam i/e grishur të rri me një mikun tim,
mezi e pres këtë dhe e ndiej veten se po më bëhet nder.
Kur më grish Hyji që ta kaloj një kohë në praninë e tij,
Ai dëshiron që ta njoh dhe ta ndjej dashurinë e tij.
Me besim dhe shpresë ia hapi mendjen dhe zemrën Hyjit,
dhe lus që të më ndihmojë që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për dashurinë dhe praninë e tij.

 

Liria

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,

edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.

 

Ndërgjegjësimi

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i sinqertë se si jam.

Si është duke më kaluar dita? Si po e ndjej veten tani?

 

Fjala

Lexoje pasazhin e Shkrimit Shenjt, pa u ngutur, disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh më tutje.

 

Lk 14, 25-33

 

25 Një mori e madhe e popullit po bënte rrugë me të. Ai u kthye kah ata dhe u tha:

26 “Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babain, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se sa mua, nuk mund të jetë nxënësi im.

27 Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im!

28 Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet se a ka sa i duhen për ta kryer? 29 Që, kur t’i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë ‑ të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë 30 duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!’ 31 Ose ‑ cili mbret, kur do të niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqërojë a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t’i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet mijë? 32Nëse nuk mundet, çon delegacionin derisa ai është ende larg e kërkon qyshket për paqe.

33 Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.”

  

Çka dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 Mbartja e Kryqit na kujton të Premten e Madhe, Jezusin që rrëzohet nën peshën e tij. Për shumicën prej nesh, kryqi nuk na imponohet nga jashtë, por është pjesë e natyrës sonë: dobësia apo paaftësia fizike dhe mendore, tundimet dhe dëshirat e përsëritura që na vjedhin lirinë tonë.
• Ta mbartësh kryqin tënd nuk do të thotë aq shumë t`i zgjidhësh këto probleme, sa të mësosh se si të jetosh me to, pa u befasuar dhe në mënyrë të përvuajtur.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »