A ka rrëmujë në tempullin e zemrës sime?

Nov 9 • Meditimi i ditës

 9 nëntor 2017 – E enjte, Kushtimi i Bazilikës Laterane, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 47,1-2.8-9.12 (ose: 1Kor 3,9c-11.16-17); Ps 46,2-3.5-6.8-9; Gjn 2,13-22)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment
dhe mendoj për dashurinë dhe hirin të cilin Hyji e derdh mbi mua,
se si më krijon në shëmbëlltyrën dhe përngjasimin e vet, se si më bën tempull të tijin…

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.
Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,
që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.
Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të bëhem njeri i lirë nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.
Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.
Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që tu përgjigjem nxitjeve të ungjillit.
Që t`i dua të afërmit si vetveten.
Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

________________________________________

 

Gjn 2,13-22

13 Ishin afër Pashkët e hebrenjve e Jezusi u ngjit në Jerusalem. 14 Në Tempull gjeti shitës qesh, delesh e pëllumbash dhe këmbyes të hollash duke ndenjur aty. 15 Atëherë punoi një frushkull konopësh dhe i dëboi nga Tempulli të gjithë së bashku me dele e me qe. Këmbyesve u derdhi të hollat dhe u rrëzoi tavolinat. 16 Shitësve të pëllumbave u tha:
“Hiqini këta prej këndej e mos e bëni shtëpinë e Atit tim, shtëpi tregtie!”
17 Nxënësit e tij u kujtuan se është në Shkrimin e shenjtë:
“Zelli për Shtëpinë tënde më bren!”
18 Atëherë ndërhynë judenjtë dhe e pyetën:
“Ç’shenjë na jep duke vepruar kështu?”
19 Jezusi iu përgjigj:
“Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!”
20 “Dyzet e gjashtë vjet zgjati ndërtimi i këtij Tempulli iu përgjigjën judenjtë e ti do ta ndërtosh për tri ditë?”
21 Porse Jezusi foli për tempullin e trupit të vet. 22 Kur u ringjall prej së vdekuri, atëherë u ra ndër mend nxënësve se këtë kishte dashur të thotë dhe i besuan Shkrimit të shenjtë e fjalës që tha Jezusi.

________________________________________

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ndoshta ka plehra dhe rrëmujë edhe në tempullin e zemrës sime. Si mund ta pastrojë dhe ta bëjë vend për Hyjin?
    • Duke shikuar në retrospektivë, ne mund ta kuptojmë domethënien e kësaj ngjarjeje. A mund të të kujtohet një rast i tillë? Zoja jonë “i ruante në zemrën e saj” ngjarjet e Jezusit që në atë moment s`i kuptonte. Bëj, o Zot, që të jem si ajo.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.
Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.
Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto disa minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »