URTIA – dhuratë e Zotit për të mirën e bashkësisë dhe për amshimin e lumtur

Nov 11 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XXXII gjatë vitit (A)

 

Leximi i parë   Urt 6,12-16

Lexim prej Librit të Urtisë

Urtia është ndritëse e kurrë nuk errësohet, dhe ata që e duan e shohin lehtë, ajo gjendet prej atyre që e kërkojnë. U del para atyre që e dëshirojnë që të bëhet e njohur prej tyre.  Kush ngrihet heret për ta kërkuar s’do të lodhet: do ta gjejë ndenjur para derës së vet. Sepse, edhe vetëm ta dëshirosh atë është përsosje mençurie, kush për atë rri zgjuar, shpejt do të jetë i sigurt. Ajo vetë endet andej-këndej për t’i kërkuar ata që janë të denjë për të, udhës u dëftohet me kënaqësi e në të gjitha mendimet e tyre vetë u vjen e para në takim. Fjala e Zotit.

 

Psalmi   63

Ref: Shpirti im ka etje për ty, o Zot

——————————————

O Hyj, Hyji im je ti,

qysh në agim të kërkoj.

Ka etje për ty shpirti im,

ty të dëshiron trupi im,

tokë e shkretë, e thatë, e paujë.

——————————————

Kështu erdha në Shenjtëroren tënde

për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.

Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta:

buzët e mia do të të lavdërojnë.

——————————————

Kështu do të të bekoj në jetën time,

e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,

do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,

me buzë të hareshme do të lavdërojë goja ime.

——————————————

Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim,

në përgim natën do të mendoj për ty,

sepse ti je bërë ndihma ime,

prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!

——————————————

 

Lexim i ditë 1 Sel 4, 13-18

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Nuk duam, o vëllezër, t’ju lëmë në padijeni lidhur me ata që vdiqën, që të mos trishtoheni porsi të tjerët që nuk kanë shpresë. E njëmend, nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ngjall, atëherë Hyji patjetër edhe ata që vdiqën, nëpër Jezusin dhe bashkë me Jezusin, do t’i marrë në lumturi.  Këtë po ju themi të themeluar në fjalën e Zotit: ne që jemi gjallë, që do të ndodhim gjallë në ditën e ardhjes së Zotit, nuk kemi për të qenë para atyre që kanë vdekur. Sepse vetë Zoti – kur të jepet urdhri, në zë të kryeengjëllit, në zë të borisë së Hyjit – do të zbresë nga qielli e më së pari do të ngjallen të vdekurit në Krishtin, dhe vetëm atëherë, ne që do të jemi ende në jetë, bashkë me ta kemi për të qenë marrë në re, në takim me Zotin, në ajër. Kështu do të jemi gjithmonë me Zotin. Pra, ngushëlloni njëri tjetrin me këto fjalë! Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Qëndro besnik deri në vdekje, thotë Zoti, dhe do ta jap kurorën e jetës.

Aleluja

 

Ungjilli   Mt 25, 1-13

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “Atëherë Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta dhe i dolën para dhëndrit. Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura. Tashti, këto marroqet morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. Ndërsa ato të mençurat morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë. Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilni përpara!’ Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ Të mençurat u përgjigjën: ‘Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’  Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. Më vonë ia behën edhe virgjërat tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ Por ai u përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’ Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Tema boshte e tri leximeve është urtia, e cila nuk mund të trashëgohet, blihet, bartet te tjerët, por në ndonjë mënyrë “fitohet”, mbi të gjitha pranohet prej Zotit, për t’u jetësuar, zbatuar, dhe dëshmuar. Atë Zoti ia dhuron  personit, individit, njeriut, të krishterit, për një shërbim ndaj të tjerëve, veçmas ndaj bashkësisë së krishterë, sipas planit dhe vullnetit të tij, por edhe bashkëpunim dhe zbatimit tonë (khs. 1 Kor 12, 4-12).

Urtinë e krishterë mund ta cilësojmë si orientim, drejtim, përcaktim, gjetje të pse-hit për jetë dhe veprim tani dhe në amshim, vlerësim të drejtë të Krijuesit dhe krijesave. Si e tillë ajo është burim i pashtershëm jete, gëzimi, lumturie, sepse na ndihmon që ta njohim Zotin, ta duam, t’i shërbejmë dhe ta shëlbojmë shpirtin, arsye këtë përse Zoti na ka krijuar.

 Mu për këtë urtia e krishterë njeriun e bënë të vetëdijshëm se çdo e mirë dhe çdo hir është dhuntia e Zotit, pra, të përvujtë, të hapur, në shërbim të dyfishtë dhe të vazhdueshëm, ndaj Zotit dhe të afërmit.

Figurat stilistike për përshkrimin  dhe jetësimin e urtisë janë të ndryshme, si “ndritëse që kurrë nuk errësohet”, e cila i dhurohet atyre që e kërkojnë, presin “para derës së vet”, në kërkim të atyre që “janë të denjë për të” dhe “vetë vjen e para në takim” (krh. Ur 6, 12 – 16). Me këtë shprehje dhe përshkrime theksohet qartas burimi i saj – Zoti, por edhe qendrimi i hapur dhe dinamik i njeriut, bashkëpunimi ynë, pa të cilin nuk ka përparim në jetën dhe dëshmin e krishterë.

Shën Pali në letrën  e parë drejtuar Selanikasve trajton urtinë e krishterë jo vetëm  në vlerësimin dhe trajtimin e kësaj jete dhe bote, por edhe si horizont, perspektivë, mundësi dhe siguri  e jetës së matanshme, amshimit të lumtur, që na është zbuluar, siguruar dhe dhuruar në Jezu Krishtin e ngjallur, me të cilin edhe ata që vdiqën,  të parët tanë, bashkë me Të janë në lavdi (khs. 1 Sel 4, 14). 

Kjo e vërtetë për çdo të krishterë është një botëkuptimi i ri i kësaj jete dhe amshim, sepse me Krishtin e ngjallur, çdo gjë ndryshon, ndërrohet, ka një prizëm dhe dimension të ri dhe të panjohur, për ne njerëz edhe të paarritshëm, deri edhe vetë vdekja, që për ne nuk është më “vdekje”, por kalim në amshim.  “Pra, ngushëlloni njëri-tjetrin me këtë fjalë!” (1 Sel 4, 18).

Shëmbëlltyra e Ungjillit të sotëm për  dhjetë virgjëra të ftuara në dasmë, urtinë e krishterë e trajton në mënyrën shumë konkrete, bindëse dhe mahnitëse.

Dasma simbolizon jetën tonë si pritje, përgatitje, mundësi, ecje kah lumturia e amshuar, ku feja dhe dashuria janë shtylla pa të cilat s’ka ecje përfundimtare dhe kuptimplote kah jeta e pasosur. Në dasmë, pra, në jetë, fe, shpresë dhe dashuri, në gosti të përkohshme, në Eukaristi, por edhe atë të amshuar,  në shëlbim dhe amshim, jemi të ftuar të gjithë, pa dallime, virgjërat e mençura dhe marroqe, por përfundimi mund të jetë krejt ndryshe, kryesisht mvaret prej nesh dhe qëndrimit tonë ndaj Zotit dhe të afërmit. Dhjetë virgjërat ishin të barabarta, në përcjellje të nuses, me enë apo dritëza, por me jetë dhe sjellje të ndryshme.

Dhëndri, është vetë Jezusi. Vonesa e tij në dasmë është shkas, rast, mundësi për pritje, kërkim, përgatitje për gëzim, gosti, dasmë pesë virgjërat e mençura, ndërsa huti, befasi, errësirë për virgjërat marroqe, sepse i kishin marrë dritëzat, por pa vaj (krh. Mt 25, 1-3).

Ena apo dritëza pa vaj fiket, nuk ndriçon, e humb domethënien primare. Pse  u ndodhi kështu? Mund të ketë shumë arsye, por virgjërat e marra, ishin të dashuruar në vetvete, të përqendruara në veshmbathje, zbukurim me qëllim që  të binin në sy dhe  t’ iu pëlqyer të tjerëve, duke harruar dasmën, dhëndrin, nusen. Mu për këtë harrojnë ftesën për dasmë, harrojnë vajin për dritëza, harrojnë kryesoren e kësaj ngjarjeje.

Vaji simbolizon fenë dhe dashurinë me të cilat lypset jetuar gjithnjë dhe gjithkund, duke pasur në qendër të vëmendjes dhe jetës Zotin dhe të afërmin, njeriun, e jo vetveten, egoizmin, egocentrizmin, lakminë, argëtimin, dëfrimin, jetën e shfrenuar, robërinë e së keqes.

Ena është jeta jonë, jemi ne, që pa fe dhe dashuri nuk jemi më vetvetja, edhe më pak të krishterë, të zgjuar dhe syçelë,  në pritje të Dhëndrit, dasmës. Jeta na është dhuruar për ta dhuruar, me shërbim, flijim, kënaqësi që mund të bëjmë mirë dhe të bëhemi të mirë gjatë jetës dhe shtegtimit tonë tokësor, të përcaktuar dhe orientuar kah amshimi i lumtur.

Pritja, simbolizon jetën e njeriut,  e cila zgjatet, sepse dhëndri vonohet,  nuk e dimë pse,  sikurse nuk e dimë as ne sa dhe si do të jetojmë, por megjithatë jemi, do të duhej të jemi, gjithnjë gati, me sy, mendje dhe zemër të hapur. Sipas traditës hebreje dhëndri me shoqëri vinte te shtëpia e nuses për ta marrë bashkëshorten, dhe  nusja, familja, shoqet e saja, duhej pritur  atë me një ceremonial kremtor në çdo kohë, edhe në orët e vonshme.

Në orët e vona, “rreth mesnatës u dha lajmi: “Ja, dhëndri! Dilni përpara!” (Mt 25, 6). Kur thërret Zoti për amshim, nuk ka shmangieje, ikje, mospërfillje, shi për këtë “të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta” (Mt 25, 7), me një dallim shumë të madh: të mençurat ishin të përgatitura, kishin marrë me vete dritëzat dhe vajin, ndërsa marroqet ishin me dritëza pa vaj. Kjo situatë i kishte befasuar dhe ato nuk kishin më zgjidhje, përpos të kërkonin prej të mençura vaj, “se po na ndalen dritëzat” (Mt 25, 8).

Mirëpo, ishte tepër vonë tashmë ta përmirësonin këtë lëshim, harresë, pakujdesi,  dhe virgjërat e mençura janë të vendosura në përgjigje: “Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!” ( Mt 25, 9). Marroqet, edhe kësaj radhe janë të tilla, sepse shkojnë për të blerë, por e humbin rastin e hyrjes në gëzimin e dasmës, pasi që “u mbyll dera” (Mt 25, 10).

Populli ynë thotë mirë: vera një herë vjen te dera, ose,  pas vdekjes nuk ka më pendim.

Dhëndri, apo siç e quan ungjilltari Mateu “Zotëria” nuk u jep më shans, rast, mundësi për të hyrë në dasmë,  sepse e kishin tepruar, nuk kishin menduar në dasmë, në ftesë, në gëzim të dhëndrit dhe të nuses, simbolikisht thënë në “vaj”, por ishin përqendruar në vetvete, në kotësi dhe marrëzi, në përbuzje të dhuratës, jetës,  gostisë… Prandaj  dhëndri u përgjigjet vendosmërisht dhe përfundimisht kështu: “Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!” (Mt 25, 12).

Pse nuk i njeh dhe nuk u lejon më hyrjen në dasmë? Sepse virgjërat marroqe nuk e kanë njohur, dashur dhe pritur atë. Këtu duhet t’i kujtojmë fjalët e Jezu Krishtit: Pata uri, pata etje, isha shtegtar, isha në burg… (khs. Mt 25, 34-36), që me fjalë tjera domethënë: kur unë pata uri, etje, isha shtegtar, në burg, në trajtën e Vëllaun Njeri, ti ku ishe, a ishe, a ishte, pse nuk ishe?

Gjyqi i fundit i mbarë botës do ta ketë vetëm një pyetje, një “provim”, atë të fesë dhe dashurisë konkrete ose veprues, siç ishte Shën Nëna Tereze, e cila në çdo Njeri, sidomos në të sëmurë, të braktisur, të kërcënuar dhe rrezikuar, ata në buzë të vdekjes, të gërbulur, e ka njohur, dashur dhe shërbye vetë Jezu Krishtin.

Përfundimi i kësaj shëmbëlltyre është shumë i rëndësishëm dhe aktual për çdo njeri si ftesë, qortim, kujdes dhe përcaktim jetësor: “Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!” (Mt 25, 13).

Vërtet ne nuk e dimë ditën as orën e ardhjes së Dhëndrit, Jezusit, vdekjes apo kalimit tonë në amshim, por një gjë e dimë, besojmë, dhe kjo na mjafton: jemi të ftuar dhe të dërguar që si të krishterë të jetojmë në kohë dhe në hapësirë aty ku Zoti na ka caktuar, gjithnjë në pritje të ardhjes së Tij – dasmës, gëzimi dhe shpërblimit tonë. Kjo ardhje apo “dasmë”  nuk na befason, nëse jeta jonë ka dy “binare” të qarta dhe të sigurta, fenë dhe dashurinë që na aftësojnë për ta njohur, pranuar, jetësuar dhe dëshmuar Dashurinë e tij në këtë botë, si dhe na përgatisin në amshimin e lumtur.

Prandaj, jemi të ftuar në dasmë, në jetë, gëzim dhe festim, në amshim. Pranoje jetën, jetoje jetën, dhuroje jetën, në shërbim dhe flijim, për ta gëzuar Jetën tani dhe në amshim. /Don Lush Gjergji/

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, në këto të Diela të fundit të vitit liturgjik jemi të ftuar të mendojmë seriozisht për takimin që do të kemi me Zotin në fund të jetës sonë. T’i afrohemi Atij me besim e me mirënjohje për gjithçka që na ka dhënë. Ta thërrasim me besim duke thënë:

 

                     Na dëgjo, o Zot!

LQë e gjithë bashkësia të bashkohet në falënderimin për Zotin krijues e Atë dhe të bashkëpunojë me  zemërgjerësi për një progres të vërtetë në drejtësi e në paqe. Të lutemi.

L.Që puna në të gjitha shprehjet e saj të marrë dritë e forcë prej fjalës dhe shembullit të Krishtit, duke e ditur që në Të është e vërteta e njeriut. Të lutemi.

LQë në çdo anë të botës të punohet në mënyrë më të efektshme për të eleminuar skandalin e mosushqyerjes dhe urisë, dhe të shpërndahen në mënyrë të barabartë mes popujve të gjitha të mirat e tokës. Të lutemi.

L. Që fara, e hedhur në tokë nga punëtorët e fushës, të prodhojë një mbledhje të begatshme dhe mos t’i mungojë askujt buka e përditshme. Të lutemi.

L. Për këtë bashkësi: që të ndjejë nevojën të ushqejë besimin në burimin e jetës që është Krishti, e të dijë të jetojë kohën e pranishme në mënyrë vepruese e të frytshme për të arritur mbretërinë qiellore. Të lutemi.

M. O Zot Jezus, ti na ke thënë: “Rrini zgjuar dhe lutuni përderisa nuk e dini as ditën as orën”. Bëj që ta marrim seriozisht këtë paralajmërim, që të jemi të gatshëm të të mirëpresim kur Ti të vish.  Ti që jeton e mbretëron për të gjithë shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »