Imzot Dodë Gjergji  ka filluar shtegtimin në Kalkuta të Indisë

Nov 12 • Kisha në Kosovë

Ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, ka filluar shtegtimin njëjavor tek varri i Shën Nënë Terezës në Kalkuta të Indisë. Revista jonë do ta përcjell dita-ditës shtegtimin e tij për t’iu informuar për takimet, vizitat, lutjet, përvojën që do t’i ketë në këtë vend, ku Shën Nënë Tereza e pati jetuar dhe zhvilluar veprimtarinë e saj të shenjtë në shërbim të të varfërve ndër më të varfër.

Imzot Dodë Gjergji ka mbërri në Kalkuta të premten e 10 nëntorit në mesnatë, ku është pritë nga argjipeshkvi i Kalkutës Sh. T. Mons. Thomas D’Souza, dhe bashkëpunëtoret e tij të Kuries. Gjatë këtij shtegtimi ipeshkvi do të qëndrojë në Kurien e argjipeshkvisë e do të shoqërohet nga argjipeshkvi D’Sousa.

Të shtunën e 11 nëntorit, ipeshkvit i është bërë një surprizë e bukur, pasi argjipeshkvi i Kalkutës bërë një mirëseardhje solemne me një festival të përgatitur nga kori katolik i këtij qyteti, ku kanë marrë pjesë një mori e madhe e katolikëve. Kjo ngjarje fetare-kulturore ishte një hyrje e bukur për t’u njohur me traditën, mentalitetin dhe njerëzit e këtij vendi – na tregon ipeshkvi – ndër të cilët Gonxhja jonë ka kaluar jetën e saj.

Sot, ditën e diele (12 nëntor 2017), dy prelatët së bashku kanë kremtuar meshën e se dielës në Famullinë e Shën Patrikut, në të cilën u nda edhe sakramenti i krezmimit 30 të rinjve të kësaj famullie.

Argjipeshkvi D’Sousa në fjalën mikpritëse para besimtarëve shprehi falënderimin për vizitën e Ipeshkvit të Kosovës. “Ky është ipeshkvi nga vendi i origjinës se Nëne Terezës – tha argjipeshkvi. Atje kanë ndërtuar një Shenjtërore shumë të bukur, që ia kanë kushtuar asaj. Tani ipeshkvi i kësaj Kishe ka ardhur për t’u lutur te varri i Nënës [kështu e thirrin ata Nënë Terezën], që të lutet për besimtarët që e kanë ndihmuar, bamirësit e  përkrahës të tjerë dhe gjithë popullin e tij e vendit të vet

Ipeshkvi ynë i dhuroji atij një Medalje të festës së shugurimit të Katedrales, ujin e bekuar me figurën e Shën Nënë Terezës dhe Figurën e Zojës së Letnicës, ku Gonxhja jonë pati pru vendimin e shenjtë të bëhet misionare e të shkojë në Indi për t’iu shërbyer të varfërve. Përveç këtyre dhuratave, ipeshkvi i dhurojë një lëmoshë modeste për nevojat e argjipeshkvisë së Kalkutës.

Shtegtimi i ipeshkvit tonë do të vazhdojë me takime e vizita tjera. Menjëherë, në mëngjesin e ditës së nesërme, në orën 06:00 sipas orës lokale, kurse tek ne në mesnatë, ipeshkvi do të kremtojë meshën e shenjtë bashkë me argjipeshkvin e Kalkutës Thomas D’Sousa dhe gjithë bashkësinë e Motrave të Nënë Terezës – Misionaret e Dashurisë, në Kishën ku është varrosur Nënë Tereza, apo te kisha e varrit të Nënë Terezës, i cili është bërë vend-shtegtim për miliona njerëz. /drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »