Këshillë për prindërit

Nov 12 • Familja

Edukimi i fëmijëve është një punë për të rritur, të gatshëm për një përkushtim që harron vetveten: Për këtë detyrë janë të aftë ata bashkëshortë të cilët duhen mes tyre, që dashurinë e nevojshme të mos e kërkojnë diku tjetër.

E mira e fëmijëve tuaj do të jetë ajo që ata vetë do ta zgjedhin: Mos ëndërroni për ta dëshirat tuaja. Mjafton që ta duan të mirën, të largohen nga e keqja dhe ta kenë tmerr gënjeshtrën.

Mos pretendoni pra të parashikoni të ardhmen e tyre: Të jeni krenar që ata shkojnë drejtë së ardhmes me vrull, edhe nëse ju duket se për një moment po ju harrojnë.

Mos i inkurajoni fantazi madhështie, nëse Zoti i thërret për diçka të bukur dhe të madhe, mos të jeni ju ata që t’ia pengoni fluturimin.

Mos ia lejoni vetes që të vendosni ju në vend të tyre, por ndihmoni që të kuptojnë dhe të vendosin, dhe të mos kenë frikë, se ajo që duan kërkon mund dhe ndonjëherë i bën të vuajnë: është më e padurueshme një jetë që jetohet kot.

Më shumë se këshillat tuaja do t’i ndihmojnë vlerësimi që kanë për ju dhe që ju keni për ta; më shumë se njëmijë rekomandime të lodhshme ata ndihmohen nga disa gjeste që shohin në shtëpi:
Dashuri e thjeshtë, vlerësimi i ndërsjellë, dominimi i pasioneve, shija ndaj gjërave të bukura dhe forca për të buzëqeshur.

Ndër të gjitha diskutimet mbi dashurinë, asnjëri nuk do të më mësonte më shumë se sa sjellja e nënës sime, që strehon një endacak të uritur, dhe nuk gjej gjest më të bukur për të qenë krenar si njeri, se sa kur babai im doli përpara për të marrë në mbrojtje një burrë që ishte akuzuar padrejtësisht.

Fëmijët tuaj duhet të jetojnë në shtëpitë tuaja me ndjenjën që të bën të ndihesh mirë, që të jep forcë që të dalësh nga shtëpia, sepse brenda vetes janë këto gjëra që të rrisin besimin në Zotin dhe shijen e të jetuarit mirë.

[Shën Ambrozi, ipeshkëv i Milanos, shek. IV. Përktheu: p. Gjergj Ndreka]

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »