Të jesh gati për gjërat e duhura në kohën e duhur!

Nov 12 • Meditimi i ditës

12 nëntor 2017 – E diela 32-të gjatë vitit (A), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Urt 6,12-16; Ps 63,2-8; 1Sol 4,13-18; Mt 25,1-13)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment

dhe mendoj për praninë jetëdhënëse të Hyjit

në çdo pjesë të trupit tim, në gjithçka rreth meje,

në tërë jetën time.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe për të fjetur.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndjej çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Mt 25, 1-13

 

1”Atëherë Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit.2 Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura. 3 Tashti, këto marroqet, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. 4Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë.

5 Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. 6 Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilini përpara!’ 7Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. 8 Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ 9 Të mençurat u përgjigjën: ‘ Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’

10 Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. 11 Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ 12 Por ai iu përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’

13 Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Mund ta ndjesh zhgënjimin e virgjërave “marroqe” të cilat kanë qenë të robëruara në të tashmen dhe nuk kanë menduar për një ngjarje të rëndësishme që duhej të ndodhte në të ardhmen. Ndjeje edhe faktin e refuzimit të virgjërave të mençura.
  • Çka ka menduar Jezusi kur ka thënë se Mbretëria e Qiellit do të jetë e ngjashme me këtë ngjarje? A do të thotë kjo se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të gatshëm – të jemi gati? Gati për çfarë? Ndoshta për momentin kur forcat tona mund të zbatohen për gjërat e duhura në kohën e duhur?

 

Bashkëbisedimi

E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërisht e lexova.

Çfarë më nxiti më së shumti të mendoj?

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »