Imzot Dodë Gjergji: Mesha e mëngjesit dhe ndezja e qirinjve te varri i Nënë Terezës

Nov 13 • Kisha në Kosovë

Po e përcjellim shtegtimin e ipeshkvit tonë, Imzot Dodë Gjergjit në Kalkuta të Indisë, tek varri i Shën Nënë Terezës. Në ditën e tretë të tij, ipeshkvi kremtoj meshën tek varri i Shën Nënë Terezës, në bashkëmeshim me argjipeshkvin e Kalkutës, Imzot Thomas D’Sousa, në prani të motrës eprore të Misionareve të Dashurisë, m. María Prema Pierick, bashkësisë së motrave dhe laikëve vullnetarë. 

Gjatë meshës me Bashkësinë e Misionareve të Dashurisë në Kalkuta, ipeshkvi shprehi kënaqësinë e tij që ka mundësi të kremtojë këtë meshë në këtë vend të shenjtë e plotë bekime. Ai në fjalën e tij e shpjegoi arsyen e shtegtimit dhe të pranisë në mesin e motrave të Shën Nënë Terezës:

Jam këtu për të falënderuar Zotin për Nënë Terezën. Për të falënderuar Gonxhen tonë që pati guximin ta fillojë dhe t’i prijë një revolucioni të ri ndër ju, që është revolucioni i bamirësisë dhe i mëshirës. Kam ardhur këtu që të lutem për bamirësit e Kishës sime në Kosovë, që ata Zoti t’i shpërbejë për mundin dhe kontributin e madh që kanë dhënë në ndërtimin e Shenjtërores dhe Katedrales në Prishtinë. Dua t’i lutem Nënë Terezës që të ndërmjetësojë te Zemra e Krishtit, që atyre t’iu jep gëzimin e zemrës, përparimin e dashurisë në familjet e tyre dhe bekimin e Hyjit të gjallë. Në lutjen time këtu e kam edhe popullim tim, që është populli i Nënë Terezës, që kjo bijë dhe nënë e shenjtë të jetë në zemrat e secilit për t’u ba në ta dritë bamirësie dhe shkëndijë paqeje, për të cilat kemi nevojë në mesin tonë.”

Pasi kremtuan meshën e shenjtë bashkë me bashkësinë e motrave, njerëzve vullnetarë të pranishëm, Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji ndezi qirinj tek varri i Nënë Terezës dhe u ndal në lutje, bashkë me argjipeshkvin D’Sousa dhe Eproren e Misionareve të Dashurisë M. María Prema Pierick.

Njërin nga këta qirinj të ndezur, do ta sjell ipeshkvi në Katedralen tonë në Prishtinë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »