Shërbimi i përvuajtur, vetë shpërblimi

Nov 14 • Meditimi i ditës

14  nëntor 2017 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Urt 2,23 – 3,9; Ps 34,2-3.16-19; Lk 17,7-10)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.
Ja ku jam, o Zot.
Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.
Shumë e dëshiroj fuqinë tënde që shëron.

 

Liria

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;
zhurmën që e ndërpret marrëdhënien ekzistuese, që ndanë.
Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.
Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të falënderoj.
Diçka që ndjehem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,
dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Lk 17, 7-10

 

Jezusi u tha nxënësve të vet:
7 Cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan delet, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: ‘Hajde e ulu me të shpejtë në tryezë!’ 8 a thua jo, përkundrazi, nuk do t’i thotë: ‘Bëje gati darkën, ngjeshu e më shërbe sa të ha e të pi unë njëherë e pastaj ha e pi edhe ti!?’ 9 A thua do ta falënderojë shërbëtorin pse zbatoi çka iu urdhërua? 10 Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë. ’“

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ky tekst mund të jetë i vështirë për t’u kuptuar. Mesazhi qendror do të ishte që shërbimi i përvuajtur është vetë shpërblimi i bërë duke e dashur Zotin. Mund të na ndihmojë nëse i krahasojmë fjalët e Jezusit të thëna në një kohë tjetër kur ka folur për atë se kush është më i madhi: “Kush është më i madh, ai që ulet në tryezë apo ai që shërben? Ai që ulet në tryezë. E unë jam mes jush si ai që shërben!”
  • Do të ishte e vështirë të kuptojmë thellësinë e marrëdhënies dhe lidhjes që Jezusi ka me ne nëse nuk arrijmë ta kuptojmë dashurinë dhe shërbimin e tij të madh ndaj nesh. Kjo dashuri dhe shërbimi shprehen në vuajtjen dhe vdekjen e tij. 

 

Bashkëbisedimi

O Zot, shumica e mendimeve të mia janë të bazuara në gjërat tokësore,
 të preokupuara turravrap dhe me zhurmën e kohës. Më ndihmo të gjej
 momente të qeta meditimi në mënyrë që të mund t`i lëshohem Shpirtit
tënd që vetëm ai mund të më qetësojë dhe plotësojë me dashurinë tënde
jo egoiste!

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa

luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »