Zoti vepron në këtë botë edhe nëpërmjet meje

Nov 16 • Meditimi i ditës

16 nëntor 2017 – E enjte, Shën Margarita e Skocisë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Urt 7,22 – 8,1; Ps 119,89-91.130.135.175; Lk 17,20-25)

 

Prania e Hyjit

Gjatë kohës sa jam ulur këtu, rrahjet e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,

të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.

Ndalem një moment, dhe bëhem i/e vetëdijshëm/e për këtë prani të Hyjit në mua.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të bëhem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojë dëshira për posedim dhe për pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të të shërbej.

 

Ndërgjegjësimi

Ndërsa i kthehem detyrave të mia të përditshme,
ma përkujto, o Zot,
se gjithmonë je pranë meje.
Asnjëherë s`duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 17, 20-25

 

20 I pyetur prej farisenjve: “Kur do të vijë Mbretëria e Hyjit?” ai iu përgjigj:

“Mbretëria e Hyjit nuk vjen në mënyrë të dukshme, 21 as nuk do të mund të thuhet: ‘Qe këtu!’ Ose ‘Qe atje! ‘Porse, ja, Mbretëria e Hyjit është mes jush!”

22 Atëherë u tha nxënësve të vet:

“Do të vijë koha, kur do të dëshironi të shihni një ditë të vetme të Birit të njeriut, por nuk do ta shihni. 23 Do t’ju thonë: ‘Qe, këtu është! Ja, atje!’ Mos shkoni as mos i ndiqni! 24 Sepse, sikurse vetëtima që vetëton në njërin skaj e ndrit deri në skajin tjetër të qiellit, ashtu do të jetë edhe Biri i Njeriut [Ditën e tij]. 25 Por, më parë i duhet të vuajë shumë e të përbuzet prej kësaj breznie.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • I krishteri jeton në tension të vazhdueshëm: ai shpreson se Zoti do të veprojë dhe do të krijojë një botë të re dhe më të mirë, dhe në të njëjtën kohë i krishteri vepron në këtë botë duke e ditur se bota varet edhe nga ai.
  • O Zot, po më paralajmëron që të mos bie në grackën e premtimeve të rreme të lloj-lloj profeti që flasin për fundin e botës. Kjo është bota jonë të cilën duhet ta formojmë dhe të kujdesemi për të me durim dhe guxim.

 

Bashkëbisedimi

Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër që do të të besoj gjithmonë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhe gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »