Përballë fundit i/e (pa)përgatitur

Nov 17 • Meditimi i ditës

17 nëntor 2017 – E premte, Shën Elizabeta e Hungarisë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Urt 13,1-9; Ps 19,2-5; Lk 17,26-37)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, po vij sot tek Ti

se më ka marrë malli për afërsinë tënde.

Dëshiroj shumë të Të dua sikurse Ti më do mua.

Mos më ndaftë asnjëherë asgjë prej Teje.

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga ankthet dhe brengat e mia,

që të hapem para tij nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Si jam duke u sjellë me Hyjin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri për të biseduar me mua;
ke ecur dhe punuar përmbi këtë tokë; ke pësuar të nxehtët dhe të ftohtët.
Koha që e ke kaluar mbi tokë ka qenë e mbushur me kujdesin për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ringjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Lk 17, 26-37

 

26 Dhe, siç ndodhi në kohën e Noehit, po ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut: 27 njerëzit hanin, pinin, merrnin gra e merrnin burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë. Atëherë erdhi përmbytja e i fshiu të gjithë. 28 Po ashtu, siç ndodhi në kohën e Lotit: sodomasit hanin, pinin, blenin, shitnin, mbillnin, ndërtonin, 29 por, atë ditë, kur Loti doli prej Sodomës, ra zjarr e sulfur prej qiellit e i zhduku të gjithë. 30

Ashtu do të ndodhë atë ditë, kur Biri i njeriut të dëftohet ashtu siç është në të vërtetë.

31 Atë ditë, kush të ndodhë mbi pullaz e gjërat t’i ketë në shtëpi, të mos zbresë t’i marrë. E kush të gjendet në fushë, të mos kthehet prapa. 32 Le t’ju kujtohet gruaja e Lotit! 33 Kushdo që të mundohet ta ruajë jetën e vet, do ta humbasë, e kush ta humbasë, do ta ruajë.

34 Unë po ju them: atë natë, prej dyve që do të jenë në të njëjtin shtrat, njëri do të merret e tjetri do të lihet. 35 Dy gra që do të bluajnë së bashku, njëra do të merret e tjetra do të lihet. ”[36]

37 Atëherë e pyetën:

“Ku, o Zotëri?”

“Ku të jetë kufoma ‑ iu përgjigj ‑

aty do të mblidhen edhe shqiponjat.”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Tre vizionet apokaliptike janë thurur në këtë raport të Lukës ungjilltar: Ndjenja e Jezusit të pësimit të tij të afërt dhe vdekjes, paralajmërimi i shkatërrimit të Jerusalemit nga romakët, dhe ardhja e dytë e Jezusit dhe fundi i botës.
    • Jezusi është në rrugën e tij drejt Jerusalemit dhe vdekjes, nuk i ka mbetur shumë kohë. Ai e di se së shpejti do të ballafaqohet me zgjedhjen përfundimtare. A ishte kjo arsyeja përse po flet kaq fort për nevojën për të zgjedhur pikërisht tani si dhe për pasigurinë e kësaj jete?
    • O Zot, po paralajmëron se fundi patjetër do të vijë, por kur ai vjen, nuk ka rëndësi asgjë tjetër përveçse si do të të pres – i përgatitur apo i papërgatitur.

  

Bashkëbisedimi

E filloj bisedën me Jezusin në bazë të tekstit të Shkrimit Shenjt që pikërisht e lexova.

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »