Oh – sinekdoka e Pashkut

Nov 17 • Kulturë

(Ri)lexim në 80 – vjetorin e lindjes së Anton Pashkut

 

Nga Xhavit BEQIRI

 

Vite më parë, duke persiatur për misterin e raportit të veprës, autorit dhe lexuesit, ritheksoja një të dhënë të përbotshme: “Vepra e mirë është si vera. Sa më shumë që të kalojë koha, ajo bëhet gjithnjë e më e dëshiruar. Një vepër e mirë jeton shumë në tepër, sesa krijuesi i saj, i cili ia lë shëndenë kësaj bote, duke ia lënë, megjithatë, edhe një pjesë të vetvetes – Veprën. Brezave që vijnë kjo vepër ua ofron – jo veç si mesazh artistik, po edhe si njëfarë misteri – një pjesë të shpirtit të krijuesit, me tërë rropullitë e tij, edhe mendore, edhe emotive…” 

Në letërsinë e Kosovës, madje në letërsinë shqipe në përgjithësi, romani “Oh” i Anton Pashkut është shembulli më tipik i dëshmisë së kësaj ligjësie universale. I botuar më 1971, ky roman është bërë me kohë shenja dalluese jo vetëm e autorit të saj, por e një brezi të tërë krijuesish, të cilët në letërsinë e Kosovës tashmë janë pagëzuar si “autorët e refuzimit” (shih. Nysret Krasniqi, Letërsia e Kosovës 1953 – 2000, AIKD 99, Prishtinë, 2016). Për më tepër, fryma e asaj kohe, e çliroi letërsinë shqipe nga shkrimi ideologjik, nga propaganda socrealiste, e cila, duke e nxjerrë artin e shkrimit nga shtrati i saj i vërtetë, e kishte shndërruar tashmë letërsinë në një gogol të shëmtuar në shërbim të pushtetit.

 

Elipsa, heshtja, refuzimi…

 

Shtresimet e gjera të dijes e të informacionit letrar e kulturor të autorit Anton Pashku, në romanin “Oh” shpërfaqen si kujtesë për madhështinë dhe tkurrjen e etnisë, për të shpërthyer me pasthirrmë, me gjâmë të rândë, si ekspresivitet i dhembjes dhe pafuqisë individuale e të përgjithshme. Lavdia e humbur, rënia e vazhdueshme, disfatat dhe copëzimet e stërpërsëritura shpërthejnë me pasthirrmë emocionuese; prandaj, “Oh” i Pashkut, është oh i individit përballë shoqërisë, ashtu siç është oh i etnisë, përballë tragjedisë së  përsëritshme, tragjedisë pa fund që buron nga pushtimet dhe tkurrjet. Për më tepër, është një antitezë, një antitezë në mes asaj që ka qenë dikur etnikumi iliro-arbëror, qoftë edhe si idealitet krijimi, si botë imagjinare, dhe asaj që ka mbetur tani nga ai etnikum. Kujtesa, pra, përplaset fort me faktin, me realitetin. E, pasi që janë dy botë shumë të ndryshme, njëra e madhërishme, e tjetra e gjymtuar, nuk kanë si të mos e krijojnë këtë mospërputhje të madhe, këtë kundërshti të papajtueshme, e cila në tekstin letrar merr formë nëpërmjet figurës, në këtë rast, nëpëmjet antitezës.

Oh-u është pasthirrmë e dhimbjes së madhe, është klithje e pamundësisë për ta ribërë si një tërësi të vetme botën që ka ekzistuar dikur, një idealitet, me botën e sotme të sakatosur shëmtueshëm, me botën e sotme torzo, një fakticitet; pamundësia e njeriut/krijuesit që gjakon tërësinë, pafuqia e njeriut që, në fund të fundit, gjakon lirinë e tij dhe të etnisë së tij, shpërthen dhimshëm e gjëmueshëm si një përplasje e madhe yjesh, që në ligjërimin pashkian kondensohet në një pasthirrmë të vetme – oh! Prandaj, romani “Oh” i Anton Pashkut, që në titull, sugjeron shprehjen dhe mendimin e kondensuar, përqendrimin maksimal, elipsën!

Ligjërimi pashkian, i mbrujtur me dijen dhe me vetëdijen e autorit për përkatësinë si etni, si gjuhë dhe si religjion i përfshin në një të tri veçoritë apo figurat e sipërtheksuara: Oh-u pasthirrmë është edhe antitezë, edhe elipsë. Pasthirrma oh del si antitezë, si kundërshti e rreptë në mes bukurisë së një bote imagjinare (kujtesës) dhe shëmtisë së botës konkrete të gjymtuar (fakticitetit); ndërsa, elipsa del nga teksti e konteksti i veprës, sepse gjâma e madhe, dhimta e rândë nuk sajohet me të folurit e stilit të lartë të veprave epike, me epitete e hiperbola, por me një klithje të tkurrur skajshëm, vetëm me një oh.

Po ashtu, përveç të tjerash, ky tekst i Pashkut ka elemente të theksuara të botëkuptimit e të ligjërimit biblik. Sado që autori duket sa nuk ka pasur intencë t’i bëjë të vërejtshme këto elemente, duke këmbëngulur ta ruajë stilin vetjak të shkrimit, ato dalin në pah ku më shumë e ku më pak, për të krijuar njëfarë parafytyrimi për peizazhin e botës së tij intelektuale e shpirtërore. Rrëfimi për delen e humbur në romanin e Pashkut është shumë i ngjashëm me rrëfimin për delen e humbur në Bibël. Edhe mesazhi që del prej këtij rrëfimi të Pashkut, edhe pse nuk thuhet drejtpërdrejt, meqë autorit i pëlqen heshtja, heshtja si figurë letrare, është lehtësisht i nënkuptueshëm: kopeja, tërësia nuk është e njëjtë, nuk është tërësi nëse i hiqet qoftë edhe një dele e vetme. Krijuesi letrar, njësoj si krijuesi biblik nuk e pëlqen torzon, por tërësinë!

Përtej tragjikës së stampuar si klithje ngjethëse që në titull, ligjërim i Oh-ut, ndonëse disi e mban fshehur, ka një tis të thekshëm ironie; edhe ironia e Pashkut është origjinale, sepse del nga nënteksti i veprës, pra nuk është qëllim parësor i saj. Ironia e Pashkut më shëmbëllen me ironinë e poetit Ali Podrimja, i cili refuzimin për t’u pajtuar me honet e marrëzisë së përditshme, e shfaqte pikërisht me këtë figurë – me ironi! Përveç kësaj, këta dy autorë, të cilët veprës së tyre letrare deri-diku i dhanë formë në të njëjtën kohë e në të njëjtën hapësirë, i përafron refuzimi permanent i torzos, aq sa Podrimja, madje, e bëri titull të një libri me poezi (Torzo, 1971).

Porse, kjo pikëpamje, ky refuzim mund t’i atribuohet pa dilemë gjithë atij brezi krijues, që në betejën e madhe për lirinë dhe emancipimin e etnisë e shndërroi refuzimin e shëmtisë/torzos në platformë krijuese e kulturore për theksimin e veçantisë së etnisë në ish-federatën jugosllave. Kjo frymë e intelektualëve të Prishtinës u ngjiz gjatë viteve ’60 – ’70 në botën e letrave dhe, që andej, kaloi në të gjitha dimensionet e jetës shoqërore të shqiptarëve të Kosovës, duke kulmuar në fundvitet ’80 dhe në vitet ’90, kur mori formën e lëvizjes legale për liri e pavarësi, në krye të së cilës qe letrari e dijetari Ibrahim Rugova, njeriu që nga refuzimi estetik kapërceu te refuzimi politik, duke e refuzuar torzon hapur.

 

Sinonimia e romanit “Oh”

 

Përsëritja e gjymtyrëve të njëjta, ose të përafërta, veçimi dhe topika e tyre, janë elemente të rëndësishme të ligjërimit pashkian. Në romanin “Oh” shembujt e sinonimisë strukturore gjuhësore janë të shumtë, ashtu siç janë të shumtë edhe shembujt e sinonimisë me afri kuptimore. Anton Pashku “nuk e respekton” normën e zakonshme të radhitjes së fjalëve në fjali, të fjalive në periudhë, të periudhave në frazë; Pashku e ka normën e vet, normën e fuqishme të krijuesit… Ai është i veçantë si krijues, por edhe më e veçantë është gjuha e krijimeve të tij. Unik në të dyja, ai mbetet një model i shkrimit dhe i punës me gjuhën.

Në romanin “Oh”, lehtë bie në sy një sintaksë krejtësisht atipike e romanit; së këndejmi, mund të themi se shenjat dalluese të gjuhës së kësaj vepre janë: ndërrimi i funksionit sintaksor të gjymtyrëve, kalimi i tyre nga gjymtyrët kryesore në të varura dhe anasjelltas, përmbysja e rendit sintaksor, inversioni, transpozicioni semantik i foljeve, fjalitë e paplota, fjalitë e pagjymtyrëzueshme, fjalitë njëkryegjymtyrëshe vetore, fjalitë njëkryegjymtyrëshe pavetore, gjymtyrët homogjene, gjymtyrët e veçuara… në fund të fundit – njëfarë oksimoroni total i një teksti në prozë të shkruar të shumtën me ritmin, tonin dhe figuracionin e një vepre me poezi.

… gemi i thotë degës, dega lisit, lisi lisave, lisat fushës, fusha kodrave, kodrat bjeshkëve, bjeshkët reve, qiellit, e qielli reve, retë bjeshkëve, bjeshkët kodrave, kodrat fushës, fusha lisave, lisat lisit, lisi degës, dega gemit e gemi i thotë desidiatit dhe breukut…

 

Në këta rreshta, shohim lojën semantike e sintaksore të Pashkut; përveç fjalisë së parë dhe asaj të fundit (gemi i thotë degës, përkatësisht gemi i thotë desidiatit), të gjitha fjalitë e tjera janë fjali njëkryegjymtyrëshe emërore, në të cilat mungon njësia kallëzuesore. Kjo e dhënë e përligj pakundërshtueshëm pohimin se ligjërimi pashkian, përveç të tjerash, gjakon elipsën. Pashku është shkrimtar i gjuhës maksimalisht të thukët, ai kërkon – dhe ia del mbanë – që nga fjala t’i nxjerrë të gjitha konotimet e mundshme, madje të krijojë prej saj sugjestione të pafundme. Loja e ndryshimit të funksionit sintaksor të gjymtyrëve, në këta rreshta, nis që nga fjalia e parë, në të cilën emri degës, në dhanore, ka funksionin e kundrinës së zhdrejtë, mirëpo fill në fjalinë e dytë, ky emër, nga gjymtyra e varur shndërrohet në gjymtyrë kryesore, në kryefjalë: dega lisit. E kështu me radhë kundrina lisit, bëhet kryefjalë në fjalinë pasuese “lisi lisave” deri te fjalia e fundit, ku Pashku “e rigjen” foljen-kallëzues.

Ndërtimet e tilla sintaksore, jo vetëm nga aspekti i formës, por edhe nga ai i funksionit janë veçori dalluese e stilit të poezisë. Mungesa e gjymtyrëve të caktuara, e sidomos e gjymtyrës kryesore i jep ligjërimit artistik forcë e shprehësi të veçantë. Teksti i romanit Oh, e pasqyron prozatorin Pashku edhe në petkun e poetit; ligjërimi i tij fsheh tejetej nuanca të forta lirizmi!

Në shembullin e cituar, njësitë strukturore të sinonimisë janë sajuar mbi bazën e parimit të paralelizmit dhe të formave të njëjta gramatikore-gjuhësore, me qëllim të shtimit të shkallës së shprehësisë dhe të intensivitetit të tekstit. Përveç sinonimisë kuptimore, këto fjali kanë edhe unitet strukturor (gjymtyrësh), prandaj paraqesin shembull tipik të sinonimisë strukturore gjuhësore, e cila mbështetet më shumë në përdorimin e njësive përbërëse gjuhësore, sesa në anën kuptimore të tyre.

Përsëritja e gjymtyrëve të njëjta sintaksore ka ndikim të drejtpërdrejtë në anën estetike të tekstit letrar, sepse ndikon si në aspektin kuptimor/figurativ, ashtu edhe në anën melodike/tingullore të tij. Përsëritja e gjymtyrëve të njëjta shndërrohet në mjet të shkallëzimit poetik të tekstit, meqë grumbullimi i elementeve të njëjta vetvetiu krijon enumeracion.

Në romanin Oh, gërshetimi i sinonimisë me afri strukturore gjuhësore dhe sinonimisë me afri kuptimore është një dukuri më se e rëndomtë. Uniteti i tekstit, i realizuar nëpërmjet gjymtyrëve të përsëritura homogjene, sajon njëkohësisht sinonimi strukturore gjuhësore dhe sinonimi kuptimore.

Sinonimia strukturore gjuhësore e karakterizon gjithë tekstin e romanit “Oh”. Shpeshherë, kjo afri gjymtyrësh sintaksore arrin shkallën e një paralelizmi të plotë, meqë teksti përmban gjymtyrë tërësisht të njëjta

  ‘Këtë, desidiat, nuk e bajnë as breukët!’

 ‘Këtë, breuk, nuk e bajnë as desidiatët!’ (Oh, fq. 33)

 

Rreshtat e mësipërmë, nëse doni vargjet, pse jo, kanë unitetet të plotë strukturor e kuptimor. Nga aspekti i trajtave morfologjike kemi renditjen: përemër dëftor, emër, pjesëz mohuese, trajtë e shkurtër e përemrit vetor, pjesëz mohuese dhe emër; nga aspekti sintaksor kemi renditjen: kundrinë, thirror, kallëzues dhe kryefjalë. Sa i përket, radhitjes së fjalëve në fjali, kemi të bëjmë me radhitjen e anasjelltë (ose emocionale), sepse rendi i drejtë gramatikor është përmbysur fare dhe kryegjymtyrët janë në fund të fjalisë. Ligjërim tipik i stilit të letërsisë artistike. Ligjërim që e shndërron kuptimin e fjalëve, herë duke e zgjeruar, herë duke e ngushtuar, gjithnjë me konotime të reja, ligjërim që, po ashtu, e shndërron funksionin thjesht sintaksor të gjymtyrëve gramatikore, të cilat, nëpërmjet përsëritjes dhe inversionit kalojnë përnjëherësh në gjymtyrë sintaksore-stilistike. 

Çrëndomtësimi i topikës e bën romanin Oh më se një herë të përngjasojë me vargun poetik. Sikurse në poezi, edhe në këtë roman janë sajuar përplot figura tipike për stilin e poezisë. Pashku, ashtu siç predikonte shekuj më parë Aristoteli, i tejkalon kohët dhe format, duke na mundësuar që veprën e tij, të paktën nga forma e trajtave gramatikore dhe nga vlera semantike e tyre, ta lexojmë edhe si prozë, edhe si poezi. Teksti i tij letrar i ka shkrirë në një të dyja stilet e shkrimit, stilin e prozës dhe stilin e poezisë. Kështu, paronomazia, përngjashmimi tingullor, figurë tipike e veprave epike-lirike, haset dendur në romanin “Oh”. Mbase, kjo edhe mund te jetë veçoria më e dendur e përdorimit me funksion dytësor të gjuhës. Shembujt e përzgjedhur (e të këtillë ka përplot), pa dyshim, e përligjin këtë konstatim:

  • Eh, moj bobla e mjerë!
  • Eh, or bobol i gjorë!
  • Po ti nuk je as shi as borë!
  • Jam ajo që mbaj, së paku, ranë në dorë!
  • Ti, shkurt, ndoshta nuk je as gjizë.
  • As që due me qenë gjizë. Due me qenë kizë!
  • Po bizë? (Oh, fq. 18)

  • Në Hiroshimë ka gjëmue, zemrat jau ka shitue.
  • Tmeri i paska kaplue?
  • Jo vetëm ata, edhe mue
  • Prandaj paske frikë!
  • Prandaj po e baj nji digë. (Oh, 147)

  • Pa ndal njiherë, se tash m’u kujtue: a më the ti mue se kjo asht troftë?
  • Të thashë: pa qitë skortën mbetesh pa troftë.
  • Pra, kjo troftë… broftë!
  • Ti po mahitesh, por unë e kam njimend: më gëzoftë!

  • Mirë, moj boboreshë, pse po lodhesh kaqë fort!
  • Ty çdo punë të duket sa bahet kot.
  • Por kjo piramidë nuk do të qëndrojë dot.
  • Mos deshte me thanë: asnji motmot?
  • Po, asnji motmot… A s’po e ndien këtë erë të quejtën not?
  • Pse quhet, s’do me thanë se s’duhet të punohet sot! (Oh, fq. 145)

 

Në këta shembuj, vërehet çdokund prania e sinonimisë strukturore gjuhësore (përsëritja e emrave, foljeve dhe ndajfoljeve të njëjta). Megjithatë, elementi kryesor stilistik mbi të cilin këtu arrihet shprehësia e tekstit është ngjashmëria tingullore e tyre, paronomazia, sepse fjalët/emrat: borë-dorë, gjizë-kizë-bizë; foljet: ka gjëmue – ka shitue – paska kaplue (me togun vokalik ue), dhe ndajfoljet: fort, kot, dot, motmot, sot, me strukturën e tyre tingullore shumë të ngjashme, e përplotësojnë njëra-tjetrën si një informacion shtues – plotësues i asaj që tashmë është e njohur. Prandaj, të dhënat e reja që sjellin këto fjalë, në rend të parë, vihen në funksion të anës kuptimore të tekstit.

Në shembujt tanë, nga aspekti i tingëllimit, fjalët me të cilat përfundojnë fjalitë e këtyre dialogëve janë shumë të ngjashme. Në ndonjë rast, si te ilustrimi i dytë, ato dallojnë vetëm nga kundërvënia fonologjike e fonemave (p.sh. borë-dorë, gjizë–kizë–bizë, troftë-broftë; kot-dot-not-sot). Bashkë me rimën, përngjashmimi tingullor, si element i rëndësishëm fonostilistik i veprës, edhe në këtë roman shpeshherë sajon izotonizmin, theksat në rrokjet e njëjta (borë – dorë, ballin/hallin, troftë/broftë …), si dhe izotopinë, paralelizmin e plotë të trajtave gramatikore dhe të ndërtimit sintaksor, një dukuri që tashmë e cekëm. 

 

Oh – një stilemë…

 

Në ligjërimin e letërsisë artistike secila fjalë është në gjendje të krijojë marrëdhënie jo vetëm morfo-sintaksore me një fjalë tjetër, por të na sugjerojë edhe konotime të tjera, të cilat mund të mos i kishim menduar më parë. E, pasi që çdo fjalë ka vlera intelektuale, ndiesore, sentimentale, tingëlluese, sociale, si dhe vlera (veçori) të përdorimit (P. Tevo & Zh. Lekomt, Komenti letrar, UEGEN, Tiranë, 2000, fq. 172), edhe pasthirrma oh e titullit të një romani bëhet domosdo pjesë e kësaj loje me ligjësi e me rregulla të paracaktuara. Kësisoj, kjo fjalëz ndihmëse, që gramatiksht nuk mund të ketë mëvetësi, sepse nuk futet në rangun e fjalëve që cilësohen si të tilla, u shndërrua në një gurrë interpretimesh që nuk prajnë tash e 46 vjet! Dhe, nuk mund të ndodhte ndryshe; romani “Oh”, që në titull, sugjeron një përdorim dytësor të gjuhës.

Në studimet tona letrare, njësoj si “Lahuta e malcís” e Gjergj Fishtës, edhe Oh-u i Anton Pashkut, me kohë, u ngjit në shkallën e një stileme. Për më tepër, kjo stilemë është bërë shenja dalluese e autorit të saj, është shndërruar me kohë në një figurë, në një sinekdokë. Në rastin e Gjergj Fishtës krijues, rolin e sinekdokës e luan pjesa, e cila e “mbulon” tërësinë, veprën tjetër të tij, madje edhe emrin e autorit vetë, duke u bërë kështu shenjë dalluese për të. Varësia e emrit të autorit dhe e pjesës tjetër të veprës së tij pothuajse është mposhtur me këtë lloj të veçantë të metonimisë, nga një titull i vetëm, por kryesori – Lahuta e malcís. Ashtu siç ka ndodhur edhe me Anton Pashkun, vepra dhe emri i të cilit tashmë pothuajse janë mposhtur nga sinekdokaOh!

Ky, mbase, është fati dhe mallkimi i krijuesve të veprave të mëdha, që shenjojnë epokë?! Të kujtohen sipas kryeveprës së tyre… (Prishtinë – Tiranë, vjeshtë 2017)./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »