Si ta zgjedh liderin e Qytetit?!

Nov 18 • Editorial

Nga Don Fatmir Koliqi

 

Të dielën, më 19 nëntor 2017, në Komunat e Republikës së Kosovës do të zhvillohen zgjedhjet e balotazhit për kandidatët që kanë kaluar rundin e parë të zgjedhjeve lokale 2017. Këto zgjedhje kanë qenë një etapë e re përqasjeje qytetare në raport me zgjedhjet, një shenjë e vetëdijesimit për rëndësinë e zgjedhjes së liderëve lokalë dhe përfaqësuesve të asambleve komunale. Këto shenja pozitive japin shpresë për përparime të jetës demokratike në vendin tonë, edhe pse ka shumë për të bërë që demokracia të formësohet e të piqet.

Në mënyrë të veçantë një interesim i madh i qytetarëve duket të jetë për garën e të parit të Kryeqytetit. Ky interesim i madh më nxit të hedh në letër disa reflektime, pasi ka disa vite që edhe unë jam banues i këtij qyteti. Kam parë, kam ndier gëzime e hidhërime për mënyrën e qeverisjes së tij sipas dy modeleve të qeverisjes, si çdo qytetar. Këtu preferoj të shkruaj disa reflektime mbi Qytetin ku realizohet jeta e qytetarëve, për të dhënë disa pika orientimi se si e kuptoj unë këtë hapësirë të qytetarisë sonë; të jep disa karakteristika për liderin e qytetit dhe për politikat e qeverisjes, që mendoj se janë fundamentale për ta ndërtuar dhe për ta krijuar identitetin e një qyteti, siç është Prishtina.

Nesër, secili qytetar me të drejtë vote do të përballet me një vendim për qytetin e tij, në të cilin nëpërmjet një akti politik të demokracisë do ta sfidojë ndërgjegjen e tij qytetare, pasi aty në kuti, me anë të votimit, hedh botëkuptimin e tij personal dhe shoqëror dhe vendos për mënyrën e qeverisjes.

 

Të zgjedhësh liderin e Qytetit

Çfarë duhet të jetë lideri që do të jetë prijësi në qeverisjen e qytetit dhe kush dua të më përfaqësoj mua si qytetar? Një pyetje që ia bëjmë vetes secili që jeton dhe reflekton për jetën dhe botëkuptimin e jetës qytetare. Sipas mendimit tim, janë të domosdoshme disa njohuri paraprake antropologjike, sociologjike e kulturore që duhet të kihen parasysh, pasi ato prodhojnë jehonë të madhe në jetën reale të qytetarëve dhe i japin formë jetës së qytetit.

Lideri nuk vlerësohet, në rend të parë, për efikasitetin e veprimtarisë, por, para së gjithash, për kuptimin, vizionin, botëshikimin që jep, përçon në një bashkësi politike, në bashkësinë e qytetarëve. Ka (shumë) liderë që në ofertën e tyre promovuese përkufizohen e rrudhen në përqasjen e tipit izolues të grupit apo partisë që i përkasin, e ka liderë që përthyejnë qarkun izolues të përkatësisë partiake dhe ndjejnë nevojën të japin përqasje gjenerale e mbipartiake, e cila çon tek një komunitet harmonik ku nuk ravijëzohen dallimet e përkatësisë apo besimit si disharmoni apo pengesë, por në divesitet forcohet themeli i qenësisë kontekstuale dhe identitare të qytetit.

Të zgjedhësh udhëheqësin e Qytetit do të thotë të përcaktohesh për qeverisje që tejkalon rrudhjet e ngushta partiake, e cila nuk përçon reduktime botëkuptimore për t’u izoluar nga paradigma europiane. Lideri dhe platforma e tij qeverisëse nuk duhet të bëjë kapërcime regresive e as të ketë ballafaqime indiferente ndaj çështjeve kruciale për të ardhmen e qytetit dhe qytetarëve, e aq më pak, të përdorë mjete të paligjshme përballë problemeve që kërkojnë qëndrime lideri me përgjegjësi. Veprimet të tilla paraqesin manifestime të një demokracie iluzioniste, e mbështjell me pëlhura vezulluese që shkaktojnë turbullira në sytë e qytetarit, me qëllim të arritjes së synimeve jotransparente. Ja, pse procesi demokratik i qytetit nëpërmjet këtyre veprimeve shfaqet gjysmak, madje demokraci e pakryer, e thyer dhe e tërhequr zvarrë në empirinë reale ndër rrugë të Qytetit.

 

Ndërtimi dhe krijimi i Qytetit në masën e njeriut!

Qyteti ndërtohet dhe krijohet sipas masës së njeriut. Njeriu duhet të jetë qendra rreth të cilit zhvillohet jeta e qytetit dhe qëllimi kah duhet drejtuar platforma politike e qeverisjes.

Për ta ndërtuar qytetin në këtë masë antropologjike, humane duhet të kihet vizioni i shëndosh, i cili përmes një plan strategjik real – i kuptuar si proces ndërgjegjësimi, që përmban në vete një kapërcim autentik dhe vizionar, një kulturë botëshikimi që depërton thellë në palcën e shpirtit të jetës së qytetit-qytetarit. Është e pamjaftueshme që të propozohet vizioni i mbijetesës që ka brenda vetes përqasje dembele dhe fragmentare për të qeverisur qytetin. Sepse, Qyteti e ka dinamikën e rritës së njeriut, që nuk mund t’i përngjajë një kënete të palëvizshme, por një lumi që rrjedh rrëmbyeshëm, e bie gjithnjë ujë të freskët. Me konceptin e kënetës i ndalet rrita qytetit. Polis-i merr jetë tu pas objektiva ambicioze të përbashkëta e gjithëpërfshirëse, të afta për të përcaktuar një kthesë në politikën e qytetit.

Të shtyrë nga ky koncept, Qytetin e ndërtojnë, përmbajtja e kuptimi ekzistencial, përmes politikave integruese që e bëjnë njeriun pjesë aktive, pjesë të gjallë të qytetit (qytetaria aktive integruese). Këtë ndërtim ka aftësi me e ba politika e brumit zanafillor aristotelian dhe tomistik – që është koncepti perëndimor i t’jetuarit bashkë – të përqendruar në dy koncepte bazike: ndërtimi i qytetit (polisi-n) në masën e njeriut, sipas formës të tij si qendër dhe qëllim, dhe e dyta si komplementare e të parës – krijimi i qytetit/qytetarinë (civitas) mbi vlerat antropologjike që e mishërojnë të mirën e përbashkët (common good).

Këto premisa konstitutive e përbëjnë ethosin qytetarethosin politik të polisit, i domosdoshëm për krijimin e një hapësire ndërvepruese politike qytetar-qytet, që krijon rend dhe harmoni në jetën urbane. Me tjera fjalë, qyteti duhet të jetë një agorà – shesh i bashkëndarjes/pjesëmarrjes ndër-komunikative, ndërpersonale, njëlloj interaktiviteti publik i dialogut dhe konvergjencave që e qojnë komunitetin në krijimin e bashkësisë harmonike.

Ky ethos krijon hapësira ku banuesi i qytetit mund të frymojë një perspektivë, të realizojë të drejtën për ta pasur qytetin shtëpi të tijën – të ndjejë se është pjesë e qytetit, një banues real ku e gjënë përkatësinë. Ethosi politik i polisit është hapësirë, topos banimi, që Qytetin e shndërrojnë në një laborator qytetërimi, ku personi i lirë dhe i motivuar mund të projektojë të ardhmen e dinjitetshme sipas masës e tij njerëzore.

 

Të mbrosh rrënjët e ta banosh të tashmen

Qyteti është vendhapësirë i prezantimit të një kulture të të jetuarit, ku tregohen si në pasqyrë format e identitetit qytetar, preferencat dhe përcaktimet kulturore dhe shpirtërore. Në këtë kuptim Prishtina është dhe përfaqëson, hë për hë, pasqyrën e Kosovës, pasi shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës jetojnë këtu, të ardhur thuajse nga të gjitha pjesët urbane e rurale të vendit. Prishtina është një mini Kosovë e llojit të vet.

Prishtina, edhe pse në historinë e saj nuk është më i lashti qytet në vendin tonë, megjithatë ai tashmë është Qendra e Kosovës, që në dekadat e fundit ka shkruar histori e do ta shkruaj historinë e Kosovës edhe në të ardhmen.

Por, në anën tjetër, Qyteti ynë ka një histori të lashtë, shumë të pasur e dhe të pakontestueshme, pasi këtu janë shkruar histori të mëdha, që nga Bogdani i zhvarrosur, që ky qyteti e ka harruar vite me radhë, përkatësisht e ka zhvarrosur përsëri e përsëri, duke e lejuar/bërë qytetin e tij një fole botëkuptimesh të paqarta e konfuze, fole sinkretizmash që shfaqin paradigma tejkaluese, të cilat e kthejnë mbrapa qytetarinë tonë europiane. Prishtina ka shkruar histori, sepse është qyteti i Katedrës intelektuale dhe shpirtërore, letrave e personaliteteve me renome ndërkombëtare që kanë shkruar identitetin e Prishtinës, e jo vetëm. Prishtina është Qytet sepse ka Katedralen-Shenjtëroren e parë në botë kushtuar bijës më të ndritur të kombit shqiptar, Shën Nënë Terezës.

Veprimet që kjo kujtesë të mos promovohet, qëndrimi i paqartë ndaj rrënjëve, pengesa e realizimit të projekteve me përmasa kombëtare, vitale për të rindërtuar qytetarinë tonë të lashtë, janë indikator të rrezikshëm në procesin e ndërtimit të ardhmërisë së afërt e asaj të largët, që me të drejtë qytetari ngreh pyetje, në çfarë drejtimi do ecën Prishtina!

Kujtesa është pjesë e edukimit dhe zhvillimit kombëtar dhe qytetarë, sepse përmes kujtesës së treguar (narrativat memoriale) ne i shpëtojmë gjërat që mos të shprishen, shkapërderdhen e të mos përjetojnë rënie (harresa). Një profesor i rangut botëror, mik disavjeçar i popullit tonë, derisa po vizitonte sivjet Kosovën, shprehte habinë se si kujtesa nuk kultivohej, përkundrazi kishte hetuar njëfarë tendence për ta vrarë. Ai përsëriste se ju keni një kujtesë me vlera të mëdha të rangut europian. Mospromovimi i saj nuk ju bën nder e as nuk ju çon në integrime perëndimore. Tregimi i kujtesës krijon mundësi të transformimit në ide që ravijëzojnë dhe trasojnë rrugët e së tashmes në formë të prekshme dhe e bëjnë atë të përhershme, ekzistenciale për ta shkruar historinë e të ardhmes.

Qyteti nuk është thjeshtë një hapësirë gjeografike, por është vend qytetërimi, humanizimi për të realizuar të mirën e përbashkët të banuesve të tij. 

Kur të dilni për të votuar, ju nuk dilni për të përmbushur vetëm një akt politik në procesin e demokracisë, por ju me atë letër po përcaktoni çfarë botëkuptimi doni të jetë qyteti juaj, jeta e juaj dhe e ardhmja e fëmijëve tuaj.

Prandaj, për përmbyllje dua t’i përdorë fjalët dhe ftesën e Imzot Dodë Gjergjit, kur shkruante me rastin e zgjedhjeve parlamentare duke i bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të dalin për të votuar: “[…] u bëjmë thirrje qytetarëve në përgjithësi, që ditën e zgjedhjeve të dalin e t’i votojnë ata persona që janë zemërpastër, që i kanë duart e papërlyera dhe që kanë vizion të qartë në të mirë të qytetarëve tanë, në ujdi me qytetarinë europiane […].”/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »